Ndërlidhjet

“Beneficionet” e viktimave të dhunuara gjatë luftës


Pamje nga një protestë kundër dhunës...
Pamje nga një protestë kundër dhunës...
Edhe pse me status ligjor do të rregullohet statusi i viktimave të dhunuara gjatë luftës, me projekt-ligjin që pritet të debatohet të enjten në Kuvend, beneficionet e veçanta, nuk do t’i gëzojë kjo kategori e shoqërisë.

Në projekt-ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit Nr. 04/L-054 për statusin dhe të drejtat e dëshmorëve, invalidëve, veteranëve, pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, personave të dhunuar gjatë luftës, viktimave civile të luftës dhe familjarët e tyre, “personat e dhunuar gjatë luftës” përjashtohen nga gjashtë privilegje që i caktohen grupeve të tjera.

Sipas ligjit Nr. 04/L-054 Neni 6, saktëson beneficionet e veçanta, ndërsa të abuzuarit seksualisht gjatë luftës nuk gëzojnë “shtesa për përkujdesje dhe ndihmë nga personi tjetër”, nuk janë të liruar nga tatimi dhe reduktimi i harxhimeve të rrymës, nuk e kanë stazhin e dyfishtë, nuk kanë përparësi për regjistrim dhe pranim në institucionet arsimore publike, nuk lirohen nga pagesat për universitet, dhe as nuk ju paguhen shpenzimet e varrimit.

Kështu parashihet në projekt-ligjin i cili pritet të shqyrtohet në seancën e së enjtes në Kuvendin e Kosovës, ndërsa këto kufizime janë përshkruar në Nenin 6.

Ky legjislacion, ka për qëllim rregullimin ligjor të statusit të viktimave të cilat i kanë mbijetuar abuzimit seksual dhe dhunimit gjatë periudhës së 27 shkurtit 1998 e deri më 20 qershor të vitit 1999.

Mirëpo pika 10 e Nenit 6, i përjashton të dhunuarit e luftës, nga paragrafi 1, si dhe paragrafi 2, 5, 7, 8, 9 të këtij neni, e ku janë të përcaktuara beneficionet e veçanta.

Disa deputetë kanë pranuar se nga aspekti moral, nuk janë mbrojtur si duhet të drejtat e kësaj kategorie të luftës.

Ndërsa mbrojtësit e të drejtave të grave, dhe avokatët e të drejtave të njeriut, thonë se rregullimi i statusit të këtyre viktimave nuk duhet të bëhet si do.

Behxhet Shala, që drejton Këshillin për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, se kjo çështje disi është ende tabu në shoqëri.

“Një temë që nuk është trajtuar fare, dhe tash ka nevojë për një zgjidhje të ngutshme, dhe zgjidhjet e ngutshme nuk janë as të mira, e as të dobishme për vet ata të cilëve ju takon”, ka thënë ai.

Shala mendon se rehabilitimi i këtyre viktimave, duhet të bëhet fillimisht nga aspekti financiar, kjo për shkak të gjendjes së rëndë ekonomike, e cila sadopak do t’i bënte të pavarura financiarisht këto viktima.

“Në qoftë se ne e lëmë anash trajtimin material, dhe merremi me trajtime të tjera, prapë do të jemi në pikën zero. Domethënë, mund ta bëjmë një hap të vogël përpara, mirëpo prapë do të jemi në pikën zero, sepse nuk do të jemi në gjendje që këto gra thjesht, t’ua krijojmë një mirëqenie ekonomike. Apo së paku kushtet për një ekzistencë apo mbijetesë minimale”, ka sugjeruar Behxhet Shala.

Sipas projekt-ligjit që kuvendi do të trajtojë të enjten, del se “pensionet për personat e dhunuar gjatë luftës” të jenë “300 euro”, ndërsa këtë shumë besohet se mund të përfitojnë 20 mijë viktima të abuzuara.

Për shkak të ndjeshmërisë dhe natyrës së përcaktimit të numrit të saktë të kësaj kategorie, pritet të formohet një komision, i përbërë nga specialistë të fushës së psikologjisë, sociologjisë dhe formateve të tjera.

Drejtuesja e Rrjetit të Grave të Kosovës, Igballe Rogova ka thënë për Radion Evropa e Lirë, se projekt-ligji që trajton viktimat e dhunuara gjatë luftës, ka hasur në pengesa financiare, për shkak të kostos që besohet se do të bartë.

Për këtë shkak, sipas saj, pensioni prej 300 eurosh, është zbritur në 100 euro.

“Mirëpo të gjitha këto janë menduar më herët, para se të hyjë projekt-ligji që kjo është një proces. Nuk shkon që vitin e parë do të lajmërohen të gjitha. Por në një afat prej 3 vjetësh, gratë do të paraqiten”, thotë zonja Rogova.

Ajo insiston që ndryshimet nga 300 në 100 euro pension, të mos jenë të vlefshme, meqë nuk pret që të lajmërohen të gjitha viktimat përnjëherë, por që ato që hedhin hapin e parë, “janë heroina”.

Në fakt në projekt-ligjin e propozuar, Neni 8, kërkohet me pikën 4.1 që “për personat e dhunuar gjatë luftës afati përfundimtar sipas këtij ligji është 5 vite”.
XS
SM
MD
LG