Ndërlidhjet

Ballkani Perëndimor të ndjekë BE-në në “sanksionimin e Rusisë”


Ilustrim
Ilustrim
Maja Kocijançiq, zëdhënëse e shefes për politikë të jashtme të Bashkimit Evropian, Catherine Ashton, ka thënë në një bisedë të shkurtër me Radion Evropa e Lirë, se blloku u bën thirrje vendeve të treta që të përshtasin pozicionet me BE-në kur bëhet fjalë për krizën në Ukrainë.

​RADIO EVROPA E LIRË
Tani, kur Bashkimi Evropian ka miratuar ndalimin e vizave dhe ngrirjen e pasurisë së zyrtarëve rusë, çfarë pret Bashkimi Evropian, a duhet vendet e Ballkanit Perëndimor të ndjekin atë që ka bërë BE-ja?

MAJA KOCIJANÇIQ
Bashkimi Evropian u ka bërë thirrje vendeve të treta, përfshirë vendet kandidate dhe kandidatet potenciale, që të përshtasin pozicionet me BE-në kur bëhet fjalë për krizën në Ukrainë, duke përfshirë masat kufizuese.

Kjo është procedurë standarde me cilindo vendim të këtij lloji dhe vendet e treta gjithmonë ftohen që të veprojnë në këtë mënyrë.

Disa vende të Ballkanit Perëndimor tashmë janë radhitur (përkrah BE-së), si Shqipëria dhe Mali i Zi, hap të cilin e përshëndesim.

BE-ja, në mënyrë aktive, u shpjegon qëndrimet e saj vendeve të treta dhe qëndrim i yni mbetet: u bëjmë thirrje vendeve të treta që të radhiten me pozicionin tonë, natyrisht duke respektuar procedurat e veta.

RADIO EVROPA E LIRË
Por, ato nuk janë të obliguara që t’i përshtaten qëndrimit të BE-së?

MAJA KOCIJANÇIQ
Në këtë moment flasim për qëndrimin e 28 vendeve anëtare të BE-së. Por, vendet e treta ftohen që të bëjnë të njëjtën gjë. Kjo është procedurë standarde dhe ne i inkurajojmë që ta bëjnë.

Kjo është posaçërisht e rëndësishme për vendet kandidate dhe kandidatet potenciale për anëatrësim, sepse perspektiva e tyre afatgjate është pikërisht perspektiva evropiane dhe politika e jashtme e BE-së do të jetë edhe politika e tyre e jashtme.

RADIO EVROPA E LIRË
Thatë se Shqipëria dhe Mali i Zi kanë ndjekur qëndrimin e BE-së. A keni indickaicione se një gjë të tillë do ta bëjë edhe Bosnja, Serbia dhe Kosova?

MAJA KOCIJANÇIQ
Për këtë duhet t’i pyesni ato. Këto vendime merren pasi të respktohen procedurat e brendshme dhe unë nuk mund ta komentoj këtë.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG