Ndërlidhjet

Intervenimi i NATO-s, fillimi i fitores së madhe


Ish selia qendrore e forcave ushtarake në Beograd, e shkatërruar gjatë fushatës ajrore të NATO-s
Ish selia qendrore e forcave ushtarake në Beograd, e shkatërruar gjatë fushatës ajrore të NATO-s
Ndërhyrja e forcave ajrore të Aleancës Veri-atlantike, NATO, kundër caqeve ushtarake e policore të Serbisë, e cila filloi 15 vjet më parë, me 24 mars, shënoi fillimin e bombardimeve për 78 ditë mbi këto caqe, si dhe ngjalljen e shpresës për qytetarët e Kosovës se liria ishte afër.

Kështu vlerësojnë zyrtarët e lartë të Qeverisë së Kosovës, njohësit e çështjeve të sigurisë dhe qytetarët që kishin përjetuar momentet e fillimit të bombardimeve.

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, përmes një deklarate për media ka thënë se Kosova po shënon “përvjetorin më të rëndësishëm në historinë e re".

“Në këtë 15 vjetor, shprehim mirënjohjen tonë të thellë për SHBA-në dhe vendet anëtare të BE-së, për Aleancën e NATO-s, që parandaluan spastrimin etnik të Kosovës dhe që përmes sulmeve ajrore në mbrojtje të popullit të Kosovës i dhanë fund një regjimi shtypës, për të mundësuar një jetë të re”, ka deklaruar presidentja Jahjaga.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, fillimin e bombardimeve të caqeve serbe nga ana e forcave ajrore të NATO-s e rikujton si ditën e fillimit të fitores së madhe.

“Është dita e fillimit të fitores së madhe. Prandaj, uroj të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës në këtë ditë të jashtëzakonshme dhe historike për popullin tonë”
, ka thënë kryeministri Thaçi.

Naim Maloku, ekspert i çështjeve të sigurisë, 15 vjet më parë, ishte pjesëtar i njësiteve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Duke folur për Radion Evropa e Lirë, ai rikujton fillimin e bombardimeve të NATO-s mbi caqet serbe, si momentin i cili kishte vulosur bindjen se lufta në Kosovë po shkonte drejt përfundimit. Intervenimin e NATO-s ai e sheh të rëndësishëm, sidomos, në dy segmente kryesore.

“Aspekti i parë është se intervenimi ka pasur bazë dhe karakter humanitar. Është hera e parë që NATO merr një aksion humanitar për të ndaluar vuajtjet e popullatës civile shqiptare, për të kthyer 1 milion të shpërngullur, për të ndaluar masakrat mbi popullatën civile. E dyta, dislokimi i forcave të KFOR-it (NATO-s) në Kosovë, ka pasur ndikim të jashtëzakonshëm pozitiv, në zhvillimet pozitive, në përshpejtimin e dinamikës së ndryshimeve pozitive në rajon”, shprehet Maloku.

Edhe qytetarët në Prishtinë, rikujtojnë fillimin e intervenimit të Aleancës veri-atlantike mbi caqet serbe.

Qenan Çitaku
, thotë se me 24 mars 1999, kur kishte goditur bomba e parë e NATOS mbi caqet serbe, kishte qenë kujdestar në, siç e quajti ai, repartin e Termoelektranës në Obiliq.

“Në orën 8 pa 2 minuta, ishim shoqëria të mbledhur në repart. Ne fituam një lloj gëzimi të madh. Në mesin tonë pat edhe serbë. Ata thanë ‘e patë se çka ndodhi’? Unë pa një pa dy u thash ‘e keni lypë dhe e keni gjetur’. Pastaj na thanë, ‘keni për të parë se çfarë ka për të ndodhur tash e tutje’. Edhe ndodhi”.

Ruzdi Morina, po ashtu një qytetar nga Prishtina, rikujton se kur nisën bombardimet mbi caqet serbë nga forcat ajrore të NATO-s, qytetarët shqiptarë e kishin pritur me gëzim atë moment.

“Kur kanë rënë bombat, fillimisht, të drejtën ta them, ne kemi duartrokitur. Ai ishte një shpëtim humanitar i një populli, ashtu sikurse e shpëtuan, të themi, popullin izraelit prej fashizmit”.

Ndryshe, analisti Maloku vlerëson se intervenimit të NATO-s mbi caqet serbe dhe prania e saj përmes KFOR-it në Kosovës tash e 15 vjet, ka luajtur dhe po vazhdon të luaj rol jashtëzakonisht të rëndësishëm për sigurinë jo vetëm në Kosovë, por në gjithë rajonin.

“Po të mos ishte KFOR-i këtu, nuk do të mund të përmbahej Serbia pa ndërhyrë ushtarakisht në Kosovë. Praktikisht, NATO-ja, përmes KFOR-it, këtu e ka rëndësinë e veçantë për sigurinë jo vetëm të Kosovës, por të gjithë rajonit. Praktikisht, siguria e Kosovës dhe rajonit është kështu siç është falë asaj që është NATO-ja e dislokuar në Kosovë”, thekson ai.

Bombardimet e NATOS mbi caqet serbe përfunduan pas 78 ditësh me marrëveshjen e Kumanovës, e cila në qarqe të ndryshme cilësohet edhe si kapitullim i Serbisë.

Pak ditë më vonë Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara miratoi Rezolutën 1244, përmes së cilës Kosova do të administrohej nga Misioni i Kombeve të Bashkuara.

Por, me 17 shkurt 2008 Kosova shpalli pavarësinë e saj.

Analisti i çështjeve politike, Halil Matoshi, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thekson se kjo rezolutë në një formë është e tejkaluar, ndonëse ajo ende mbetet zyrtare.

“Duke pasur parasysh gjendjen brenda Kosovës, pavarësinë e brendshme të saj, si dhe njohjen nga 109 shtete, sa janë tash, kjo do të thotë se në Kosovë dhe në raportet e saj me vendet që e kanë njohur, mund të thuhet se është tejkaluar Rezoluta 1244. Mirëpo, realisht, ajo tejkalohet vetëm kur të votohet një rezolutë e re në Këshillin e Sigurimit, e cila e abrogon rezolutën paraprake”, thotë Matoshi.

Megjithatë, institucionet e Kosovës me këtë rast nuk kanë organizuar ndonjë manifestim, përmes të cilit do të shënohej 15 vjetori i fillimit të bombardimeve të NATO-s mbi caqet serbe.

Në Kosovë, në kuadër të KFOR-it, në vitin 1999 u vendosën rreth 50, 000 ushtarë nga 36 vende të ndryshme botërore, nga të cilët 30.000 ishin nga vendet e NATO-s.

Ndërkaq, sot, me një numër shumë të vogël, forcat paqeruajtëse të NATO-s, vazhdojnë operimin e tyre nëpër Kosovë.
XS
SM
MD
LG