Ndërlidhjet

Kosova karshi situatës në Krime


Harta e Rusisë me rajonin e aneksuar të Krimesë në të...
Harta e Rusisë me rajonin e aneksuar të Krimesë në të...
Pesëmbëdhjetë vjet që nga ndërhyrja e forcave veriatlantike në Kosovë, një shtet tjetër, sikur Kosova, po kërkon ndërhyrje të njëjtë, në baza humanitare, për t’ia kthyer sovranitetin mbi shtetin dhe territorin.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Evropian dhe NATO-ja po bashkëndiejnë me Ukrainën, dhe po flasin njëzëri, se Rusia me dhunë po shkëput pjesë të territorit të Ukrainës fqinje.

Ramadan Sylejmani, një burrë në të gjashtëdhjetat, tha sot se edhe pse rastet e Kosovës dhe Ukrainës nuk janë të njëjta, Prishtina zyrtare duhet ta ndjek politikën e perëndimit për këtë krizë, e cila llogaritet si më e thella, që nga koha e “luftës së ftohtë”.

“Duhet të rreshtohemi me ata që na kanë ndihmuar me fituar lirinë”, thotë ai.

Moska zyrtare ka përdorur kartën e pavarësisë së Kosovës, si një pretekst për aneksimin e panjohur ndërkombëtarisht të Krimesë së Ukrainës.

Në anën tjetër, vetëm dy shtete të rajonit, Shqipëria dhe Mali i Zi, janë rreshtuar pas qëndrimit për Ukrainën të Bashkimit Evropian, të cilës familje synojnë t’i bashkohen vendet e Evropës Juglindore.

“Kanë pasur edhe një marrëveshje për Krimenë, mes Rusisë, Britanisë së Madhe dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Por, Rusia atë marrëveshje e shkeli. Rusia po tregon që ato ligjet ndërkombëtare, po i shpjegon nga këndi i vet, qysh po i konvenon asaj. Po e krahason Kosovën me Krimenë, që nuk është rast i njëjtë. Ne nuk e kemi pushtuar askënd. Krimeja është e pushtuar nga Rusia. Dihet!”, vlerëson Ramadan Sylejmani.

Prishtina zyrtare së fundi herë foli për Ukrainën më 2 mars, para se tani rajoni i aneksuar i Krimesë, të mbante referendum.

Atë të diele, Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës, kishte dënuar pushtimin e territorit të Ukrainës nga Federata Ruse, dhe shkeljen e sovranitetit dhe integritetit territorit të Ukrainës.

Tri javë më pas, nga zyra e kryediplomatit të Kosovës, nuk kanë dhënë ndonjë koment shtesë.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ishte ai që në një intervistë për revistën "Business New Europe", më 19 mars, tha se aneksimi i Krimesë nga Rusia dhe ndarja e Kosovës nga Serbia nuk mund të krahasohen “në asnjë rrethanë” dhe përpjekjet e fundit për të tërhequr paralele mes tyre janë “të paqëndrueshme”.

Por, njohësit e zhvillimeve ndërkombëtare flasin më hapur, dhe thonë se Prishtina zyrtare nuk duhet të ketë komplekse për t’u përfshirë në çështje të tilla të gjeo-politike.

Alexander Borg Olivier, ka punuar tërë karrierën në Kombet e Bashkuara, ndërsa para ndryshimit të rolit të Misionit të OKB-së në Kosovë (UNMIK), ishte shef i shtyllës së parë të drejtësisë, që ekuivalent i sotshëm është ministër i drejtësisë.

Zoti Borg Olivier thotë për Radion Evropa e Lirë, se nuk është ai që duhet t’i thotë Kosovës së çfarë të bëjë, mirëpo nënvizon se për çështjen e Ukrainës, Kosova duhet të jetë në anën e së drejtës.

Sipas tij, Rusia nuk ka pasur të drejtë ligjore dhe as ndërkombëtare që ta aneksojë Krimenë nga Ukraina, dhe se në këtë aspekt perëndimi ka të drejtë që po i vendos sanksione Rusisë dhe liderëve të Krimesë që përkrahen nga Moska.

Nuk besoj që Kosova duhet të ketë qasje vetëmohuese, e cila është joparimore. Unë vijë nga një shtet i vogël, ndër më të voglit në botë. Por gjithmonë jemi mburr, duke bërë atë që është e drejtë dhe korrekte. E jo gjithmonë atë që na konvenon më së shumti".

"Duhet marr këtë parasysh, por në fund të fundit, mendoj se do të vini në një përfundim se duhet anuar tek pala e cila e bënë të drejtën, që është parimore. Që do të zgjas dhe nuk do t’iu kthehet prapa që t’ju kafshoj gjatë rrugëtimit tuaj para!”
thotë Borg Olivier.

Por një qytetar sheh edhe ngjashmëri ndërmjet të Krimesë dhe Kosovës.

“Njëjtë. Krimeja-Ukraina, Mitrovica-Kosova. Njëjtë është. Si këtu para 15 vjet e fituam lirinë, por na mbeti zalli te ura [e Mitrovicës]. Kështu që edhe ata atje [në Krime] zëre se njëjtë e kanë situatën. S’ka kurrfarë dallimi. Problemet të cilat që përpara është dashur të rregullohen, i kanë lënë në njëfarë mënyre si vegëz. Fuqitë botërore tash e kanë në dorë këtë marifet, ta them ashtu”, thotë Arben Krasniqi, një 36 vjeçar nga Prishtina.
XS
SM
MD
LG