Ndërlidhjet

Rexhepi: Policia në veri, shënjestër e kriminelëve


Autoritetet policore në veri të Kosovës, bëjnë të ditur se motivi i sulmit ndaj tre pjesëtareve të Policisë së Kosovës, ende nuk dihet.

Mirëpo, ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, ka deklaruar se kthimi i rendit dhe i sigurisë në veri është duke i penguar grupet e caktuara kriminale.

“Sulmi në këtë patrullë të policisë që ishin duke i kryer detyrat në pikëkalimet kufitare edhe ata (të tjerët) janë bërë pengesë për krimin e organizuar. Tash target janë bërë edhe policët e komunitetit serb. Ata do ta kenë obligim, veç ruajtjes së qytetareve, t’i luftojnë me aq sa kanë informata grupet e caktuara kriminale, qoftë të krimit ekonomik ose formave të tjera”
, tha ministri Rexhepi, derisa ka raportuar në Komisionin për Punë të Brendshme dhe Siguri në Kuvendin e Kosovës, për vrasjet e fundit në vend.

Të hënën në mbramje, tre pjesëtarë të Policisë së Kosovës janë plagosur në një incident në komunën e Zubin Potokut në veriun e Kosovës.

Policia tha një patrullë e policisë kufitare që ishte në lëvizje, është qëlluar me armë zjarri në fshatin Banjë të komunës së Zubin Potokut.

Me këtë rast, nga të shtënat janë plagosur tre pjesëtarë serbë të Policisë së Kosovës.

Zëvendëskomandanti i Policisë së Kosovës në veri, Besim Hoti tha për Radion Evropa e Lirë se policët e plagosur janë jashtë rrezikut për jetën.

Hoti tha po ashtu se policia është duke vazhduar hetimet deri sa ende nuk dihen motivet e sulmit.

“Rasti është regjistruar si vrasje e rëndë në tentative, ndërsa prokuroria e EULEX-it është e inkuadruar në këtë rast. Në këtë fazë të mëtutjeshme të hetimeve do të krijohet një grup i përbashkët i hetuesve të task-forcës së EULEX-it dhe hetuesve të Policisë së Kosovës. Asnjë nga informacionet e deritashme nuk kanë treguar për motive e dhe shkaqet e sulmit”, tha Hoti.

Ndryshe, me kërkesën e Komisionit për Punë të Brendshme dhe Siguri në Kuvendin e Kosovës, Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi dhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Shpend Maxhuni, kanë raportuar para komisionit lidhur me rastet e fundit të vrasjeve në vend.

Siç u bë e ditur, nga muaji janar e deri në fund të muaji mars kanë ndodhur 10 raste të vrasjeve.

Drejtori i Policisë, Shpend Maxhuni tha se policia në bashkëpunim me autoritetet e drejtësisë, kanë zbardhur 7 raste kurse 3 të tjera janë në procedurë.

“Në kuadër të këtyre tri rasteve të pazgjidhur është edhe rasti i fundi i vrasjes në komunën e Pejës. Ne duhet ta pranojmë se të gjitha këto raste kanë qenë mjaft komplekse. Pra edhe rasti i fundi është mjaft kompleks. Vetë mënyra e kryerjes së kësaj vrasjeje është komplekse, por policia e Kosovës në bashkëpunim me prokurorin e Prokurorisë Speciale është duke punuar intensivisht në ndriçimin dhe arrestimin e kryerëseve potencial të kësaj vrasjeje”, tha Maxhini.

Ministri Bajram Rexhepi theksoi se si vrasjet e qytetarëve apo ato në shkolla, por edhe tjera, janë shqetësuese dhe se, siç tha ai, duhet të bëhet më tepër rreth parandalimit të tyre.

Rexhepi i ka cilësuar disa prej vrasjeve si tendencë dhe motiv për hakmarrje.

“Asnjë grup kriminal nuk mund të jetë më i fuqishme se sa institucionet e zbatimit të ligjit dhe kjo duhet të ndodh. Kështu që varësisht nga faktet, argumentet që janë në hetuesi, policia do të veprojë dhe asnjëherë nuk do të zmbrapset nga çfarëdo grupi që e konsideron veten të një rrezikshmërie të lartë”, tha mes tjerash Rexhepi.

Komisioni për Punë të Brendshme dhe Siguri në Kuvendin e Kosovë, duke u nisur nga raste e vrasjeve kohëve të fundit në Kosovë, ka ngritur shqetësimet për mungesë të një sigurie më të madhe.

Kryetari i këtij komisioni Ahmet Isufi tha se autoritetet e rendit duhet t’i bëjnë verimet e duhur në mënyrë që të mbrojnë qytetarët dhe pronat e tyre.
XS
SM
MD
LG