Ndërlidhjet

Shtohet presioni kundër Tribunalit për Kosovën


Ilustrim
Ilustrim
Veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në mesin e tyre edhe kryeministri aktual, Hashim Thaçi, thonë njëzëri se ky formacion gueril gjatë luftës nuk ka kryer krime.

Por, për një gjë të dy palët dallojnë.

Veteranët e mbledhur rreth organizatës OVL-UÇK, kanë thënë se Kosova nuk ka nevojë për Tribunal të veçantë për krime lufte, dhe se ai është i panevojshëm.

Kurse, kryeministri Hashim Thaçi nuk e ka thënë këtë gjë.

“Kosova ka institucionet funksionale të drejtësisë, të vlerësuara dhe të respektuara edhe prej bashkësisë ndërkombëtare. Kjo përvojë ndërkombëtare që e kemi kaluar qe 15 vjet, ka qenë shumë ndihmuese për ne, për t’u ballafaquar me çdo sfidë”, është përgjigjur shefi i Qeverisë.

Zyrtarë të lartë amerikanë, po zhvillojnë takime në Prishtinë me liderët institucionalë dhe politikë, rreth rëndësisë së krijimit të një gjykate, e cila do t’i trajtonte krimet e pretenduara që janë kryer nga UÇK-ja, siç përshkruhet në raportin e Dick Martyt.

Ky tribunal do të krijohej nga Parlamenti i Kosovës, ose përndryshe do të duhej intervenimi i Këshillit të Sigurimit të OKB-së për këtë gjë.

Thaçi të shtunën ka vizituar herët në mëngjes Organizatën e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK), ku është takuar me komandantët e dikurshëm të zonave të luftës.

Muharrem Xhemajli që drejton këtë organizatë, ka thënë se i gjithë procesi për themelimin e këtij tribunali, është i panevojshëm.

“OVL e UÇK-së, çdo herë ka pas qëndrimet e saj të qarta, sa i përket tribunalit të supozuar, dhe që po diskutohet tani. Ne do ta kundërshtojmë në vazhdimësi, sepse ky tribunal, i cili po pretendohet që të bëhet, është një tribunal, i cili shkel mbi integritetin e shtetit tonë, vendit tonë. E mohon luftën e UÇK-së”
, është shprehur Xhemajli.

Sipas tij, që kur ka mbaruar lufta, ushtarët e komandantët e UÇK-së janë ballafaquar me gjykatat ndërkombëtare, të cilat procese. Xhemajli ka vlerësuar se po ia humbin namin ushtrisë.

Për këtë konstatim ka reaguar paksa edhe kryeministri Thaçi, sipas të cilit, UÇK-ja me ligjin e miratuar për veteranët, po formësohet ndryshe.

“Luftën e UÇK-së, sidomos tani me nxjerrjen e ligjit, kemi një institucionalizim të vlerave të UÇK-së. Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka qenë e drejtë, legjitime, mbrojtëse, ka qenë luftë e vullnetit të Kosovës, ka qenë lëvizja apo guerilja më e suksesshme në botë. UÇK-ja nuk ka kryer krime. Prandaj, kemi zhvilluar luftë të pastër, dhe janë respektuar të gjitha normat dhe standardet ndërkombëtare”,
ka thënë ai.

Për këtë ligj, edhe ishin takuar dy veteranët e luftës, tashmë në pozita të ndryshme.

Kryeministri Hashim Thaçi kishte shkuar në selinë e organizatës së veteranëve të luftës, për t’iu uruar miratimin e kësaj dispozite ligjore, e cila ua rregullon statusin dhe të drejtat e veteranëve.

Përderisa Thaçi e Xhemajli po uronin njëri-tjetrin për këtë ligj, dhe përmbajtjen e saj, në sheshin “Nënë Tereza” në Prishtinë, disa veteranin po protestonin për ndasinë që ata mendojnë se krijoi Kuvendi dhe ata që e punuan atë.

Ushtarët dhe personeli komandues i Brigadës 138 “Agim Ramadani” kanë shfaqur pakënaqësi përse u lanë anash, vetëm pse u organizuan përmes Ministrisë së Mbrojtjes së Qeverisë së Kosovës në ekzil, e jo përmes Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së.

“Në sfond të ngjarjeve të fundit, lidhur me ligjin për Veteranët, këtu shprehim pakënaqësinë me procesin e miratimit dhe me përmbajtjen përfundimtare të këtij ligji, përkatësisht, me faktin se ky ligj dështon të jetë gjithëpërfshirës dhe të jetë shembull pozitiv i bashkimi kombëtar, siç ishte lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, është shprehur komandanti i kësaj njësie, Rrustem Berisha.

Ushtarët e brigadës “Agim Ramadani”, janë ankuar përse organizimet e bëra, si nga brenda, ashtu edhe jashtë vendit, nuk njihen si organizime të mirëfillta në Ligjin e veteranëve, dhe sanksionohen përmes Nenit 3 të këtij ligji.

Ndërkaq, kryeministri Thaçi, Ligjin për veteranët e Kosovës e sheh si gjithëpërfshirës, kurse ka thënë se pret që i gjithë procesi i verifikimit të mbi 60 mijë aplikacioneve, të mbarojë deri më 1 korrik.
XS
SM
MD
LG