Ndërlidhjet

Një milion euro për trajtimin e tre fëmijëve


Ilustrim
Ilustrim
Numri i fëmijëve të prekur me kancer është në rritje, thonë profesionistë shëndetësorë. Sipas tyre, në vitin 2008 kanë qenë të diagnostikuar 7 fëmijë të prekur me këtë sëmundje, derisa në vitin 2013 janë diagnostikuar 48 raste të reja.

Ndryshe, këtë vit janë paraqitur edhe 8 raste të reja të fëmijëve të prekur me kancer.

Leukemia akute, sipas profesionistëve shëndetësorë, është sëmundja më e shpeshtë te fëmijët.

Disa lloje të kësaj sëmundjeje trajtohen në Klinikën e Pediatrisë në repartin e hemato-onkologjisë ne Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, derisa ka lloje të caktuara që nuk mund të trajtohen.

Andaj, si rrjedhojë, tashmë është formuar fondi prej 5.5 milionë eurosh nga Qeveria e Kosovës, në mënyrë që rastet që kanë nevojë për trajtim jashtë vendit, të mund të përfitojnë nga ky fond.

Muharrem Avdiu, ushtrues detyre i drejtorit në Klinikën e Pediatrisë i ka thënë Radios Evropa e Lirë se tashmë nga fondi prej 5.5 milionë euro kanë përfituar tre fëmijë, të cilët do të dërgohen për shërim jashtë vendit, raste këto që nuk mund të trajtohen në Kosovë.

“Me këtë fond janë krijuar kushtet që rastet, të cilat nuk mund të trajtohen në Repartin e hemato-onkologjisë, do të mund të trajtohen në qendrat adekuate botërore. Kjo do të thotë shumë për fëmijët, sepse ne me mundësitë tona, kemi limite si në barna, ashtu edhe në kuadro”, ka thënë Avdiu.

Në anën tjetër, drejtori i Departamentit për informim në Ministrinë e Shëndetësisë, Faik Hoti, ka deklaruar se fondi prej 5.5 milionë eurosh i ndarë nga Qeveria e Kosovës për fëmijët me leukemi akute, do të ketë mandat të caktuar. Në prononcimin dhënë Radios Evropa e Lirë Hoti ka shpjeguar se tashmë janë ndarë 1 milion euro në kodet buxhetore të kësaj ministrie.

“Qeveria ka nxjerrë vendim për mbështetjen e fëmijëve dhe ka ndarë 1 milion euro të këtij fondi në buxhetin e Ministrisë së Shëndetësisë që të fillohet me procedurat për trajtim jashtë vendit për sëmundjen e leukemisë. Aktualisht, ministria është duke mbështetur tri raste që po trajtohen jashtë vendit me këtë sëmundje, dhe dy-tri raste tjera janë në kompletim të dokumentacionit”.

Familjarët duhet të sjellin profaturat e spitaleve se ku dëshirojnë t’i trajtojnë fëmijët. Fondi prej 5.5 milionësh do të krijojë shumë lehtësi për Ministrinë e Shëndetësisë, sepse të hollat për këto raste janë marrë nga fondi i përgjithshëm për trajtim jashtë vendit”, ka shpjeguar Hoti.

Ndryshe, fondi për shërimin e pacientëve jashtë institucioneve shëndetësore publike që ka në dispozicion Ministria e Shëndetësisë prej vitesh, është 3.8 milionë euro.

Hoti ka shtuar se këto mjete, të cilat janë shfrytëzuar edhe për rastet e fëmijëve me leukemi, tash do të mund të shfrytëzohen për sëmundje të tjera, kurse kërkesat, sipas tij, janë të shumta.

Ndërkaq, Avdiu ka theksuar se përpos tri rasteve që po planifikohen të shkojnë për shërim jashtë vendit, në Klinikën e Pediatrisë trajtohen tash për tash rreth 9 fëmijë, pasi që sëmundja, siç ka shpjeguar ai, kërkon trajtim të gjatë deri në pesë vjet, andaj fëmijët qëndrojnë në klinikë në periudha të caktuara.

Të dhënat e Organizatës Botërore të Shëndetësisë flasin se brenda vitit në botë regjistrohen rreth 10 milionë raste të reja me kancer.

Supozohet se në vitin 2020, kjo rritje mund të shkojë deri në rreth 15 milionë raste të reja në nivel global.
XS
SM
MD
LG