Ndërlidhjet

Uji nga Batllava, jo i pijshëm


Ilustrim
Ilustrim
Reshjet e fundit atmosferike, kanë bërë që niveli i ujit në liqenin e Batllavës të rritet për 7.2 metra, derisa në atë të Badocit për 4 metra, kanë deklaruar zyrtarë të Ujësjellësit Rajonal "Prishtina".

Megjithëkëtë, reduktimet e ujit po vazhdojnë. Arieta Mjeku, zyrtare për informim në Ujësjellësin Rajonal "Prishtina", thotë për Radion Evropa e Lirë se për shkak të turbullimit të ujit nga të reshurat e ditëve të fundit, është zvogëluar prodhimi i ujit në të dy liqenet, andaj si pasojë reduktimet po vazhdojnë.

"E kemi zvogëluar prodhimin për shkak që qytetarët të marrin ujë me kualitet të lartë në krojet e tyre. Prodhimi në fabrikën e ujit në Batllavë ka rënë nga 500 litra në sekondë në 350 litra në sekondë, ndërkaq në liqenin e Badocit ka rënë në 150 litra në sekondë, derisa më vonë është ngritur në 250 litra në sekondë. Me një prodhim më të madh të ujit, do të ofronim ujë me kualitet jo shumë të mirë, andaj kemi zvogëluar prodhimin e ujit", bën të ditur Mjeku.

Por, Burbuqe Nushi, nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës, thotë se në bazë të mostrave ditore që ata i bëjnë për ujin, ky i fundit ka rezultuar të jetë i turbullt, andaj siç thotë zonja Nushi, qytetarët të cilët furnizohen me ujë nga liqeni i Batllavës, nuk preferohet ta konsumojnë ujin për pije.

"Nëse u referohemi rezultateve të ditës së sotme, çdo gjë është brenda standardeve, në aspektin bakteror çdo gjë është brenda standardeve edhe parametrat kimik, përpos disa pikave që furnizohen nga liqeni u Batllavës, ku ka turbullirë pak më të ngritur dhe nuk është brenda standardeve dhe kemi rekomanduar qytetarët që të kenë kujdes dhe të mos përdoret për pije, edhe pse nuk shkakton ndonjë dëm shëndetësor, por që nuk preferohet. Qytetarët duhet të kenë kujdes që ky ujë mund të përdoret si ujë teknik, por jo për pije", thotë Nushi.

Nushi jep hollësi edhe të tjera rreth asaj se pse është dashur të ketë reduktime të ujit:

"Në ditët e fundit që ka pasur reshje të mëdha, e kemi sforcuar këtë monitorim më shumë se sipas planit, dhe dje kemi bërë inspektimin e fabrikës së ujit në Shajkovc. Turbullimet kanë qenë të larta dhe për 3- 4 orë ka pasur reduktime për shkak të turbullirave. Më pas është qetësuar situata dhe ka vazhduar prodhimi".

Edhe Arieta Mjeku pohon se reduktimet e ujit nga Kompania e Ujësjellësit Rajonal "Prishtina" po vazhdojnë me orare mjaft të ashpra.

"Reduktimet me ujë zakonisht fillojnë nga ora 10 deri në orën 14 dhe nga ora 21:30 deri në orën 05 të mëngjesi, por ky orar ndryshon varësisht nga lagjja", shpjegon Mjeku.

Ndryshe, për qytetarët e Prishtinës, furnizim të rregullt me ujë nuk do të ketë deri në vitin 2016, kur përfundon ndërtimi i fabrikës së ujit në Shkabaj.

Kjo fabrikë që pritet të ndërtohet gjatë këtij viti, parashihet të ketë kapacitete përpunuese për fazën e parë deri në 700 litra për sekondë. Kjo sasi do të jetë e mjaftueshme për të mundësuar furnizim të rregullt për 24 orë pa ndërprerje.

Një problem i vazhdueshëm që e ka përcjellë kompaninë e Ujësjellësit Rajonal “Prishtina”, është edhe borxhi që konsumatorët i kanë kësaj kompanie.

Borxhi i përgjithshëm i konsumatorëve në zonën e shërbimit që nga paslufta deri më tani, është mbi 51 milionë euro.
XS
SM
MD
LG