Ndërlidhjet

Gërmimet në Rashkë gjejnë mbetje të tjera mortore


Gërmimet në Rashkë, 23 prill 2014
Gërmimet në Rashkë, 23 prill 2014
Hulumtimi për gjetjen e mbetjeve mortore, të shqiptarëve të vrarë nga forcat serbe gjatë luftës në Kosovë, vazhduan edhe gjatë ditës së premte, në Rudnicë të Rashkës.

Këtë e ka konfirmuar edhe shefi i ekipit të Mjekësisë ligjore nga Kosova, Arsim Gërxhaliu, i cili tash e tre ditë gjendet në Rudnicë të Rashkës.

Gërxhaliu i ka thënë Radios Evropa e Lirë se të premten është punuar për pastrimin sipërfaqësor të vendit që tashmë me arsye dyshohet se është varrezë masive, për faktin se më herët në po të njëjtin vend janë gjetur mbetjet mortore të dy personave, të cilët kanë rezultuar të jenë shqiptarë të Kosovës, të fshatit Rrezallë e komunës së Skënderajt, të vrarë nga forcat serbe.

Gërxhaliu ka thënë se është duke u bërë lokalizimi i dheut me flamuj, rreth e përqark vendit, ku sipas tij, ngjyra e dheut ndryshon dhe jep për të kuptuar se aty është punuar më parë.

Megjithatë, siç thotë ai, tashmë në disa vende kanë dalë në sipërfaqe disa mbetje të tjera mortore.

‘Në disa vende kanë dalë disa mbetje të tjera mortore, vogla. Kemi bërë pastrimin e mbetjeve të pjesës së hequr të dheut që bora dhe shiu, gjatë dimrit, i kanë pastruar. Do të vazhdojmë edhe më tutje, deri në lokalizimin përfundimtarë. Pastaj, nga pjesa e poshtme, aty ku janë gjetur në dhjetor, të bëjmë depërtimin deri tek mbetjet mortore”, tha Gërxhaliu.

Ai tha se terreni te varreza masive në Rudnicë është ende në shenjim e sipër.

Ndryshe, në kuadër të aktiviteteve për shënimin e Ditës Kombëtare të Personave të Pagjetur, e cila shënohet me 27 prill, Rashkën të premten e ka vizituar edhe një delegacion i përbërë nga zyrtarë të Komisionin qeveritar për të pagjeturit, përfaqësues të asociacioneve të familjarëve të personave të pagjetur, si dhe vetë familjarë të këtyre personave.

Prenk Gjetaj, drejtues i komisionin qeveritar për të pagjeturit, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se i vlerëson përgatitjet teknike që janë bërë për të hulumtuar deri në fund varrezën masive në Rudnicë të Rashkës, ndërkohë që sipas tij, ekipet e përbashkëta nga Kosova, Serbia dhe bashkësia ndërkombëtare janë duke punuar në këtë drejtim.

“Varësisht prej zhvillimeve ose prej ndonjë pengese që mund të del, në kuptimin e të reshurave, por, unë besoj që për 50 ose 60 ditë, sipas premtimeve, do të realizohet, gjegjësisht, do të bëhet ekshumimi mbetjeve mortore që gjenden në këtë varrezë masive”, thotë Gjetaj.

Haki Kasumi, bashkërendues i Këshillit Koordinues i Asociacioneve të Familjarëve të të Zhdukurve të Kosovës, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se një grup prej 12 familjarësh të personave të pagjetur , të premten e kanë ndjekur për së afërmi punën që po zhvillohet në varrezën masive në Rudnicë të Rashkës.

Ai vlerëson se tashmë ka sinjale të qarta se është shtuar angazhimi i institucioneve qeveritare për zbardhjen e fatit të të pagjeturve

“Angazhimi i Komisionit qeveritar dhe i qeverisë në përgjithësi, rreth kësaj çështjeje, kohët e fundit është shtuar. Normal, është i vonuar. Nuk kemi si të jemi të kënaqur, përderisa na mungojnë edhe 1 mijë e 712 familjarë, për të cilët mungon çdo informatë".

"Megjithatë, na mbanë shpresa që, meqenëse ka filluar puna, sigurisht, me përfundimin e kësaj varreze, do të gjendet një numër bukur i madh i rasteve të njerëzve, të cilët janë të evidencuar si të zhdukur”, bën të ditur Kasumi.

Muhamet Rukolli nga fshati Rrezallë e komunës së Skenderajt, i cili ka të zhdukur babanë e tij gjatë luftës në Kosovë, tha se ballafaqimi me varrezën në Rudnicë ishte moment i rëndë.

“Ndjenjë shumë e vështirë. Por, megjithatë, sado kudo, dëshira e familjarëve është që të gjenden trupat e të pajetëve dhe të kthehen në vendin ku kanë lindur dhe për të cilin kanë dhënë edhe jetën”, thotë Rukolli.

Ndryshe, sipas pohimeve të mëhershme të shefit të ekipit serb për çështjen e personave të pagjetur, Veljko Odaloviq, në varrezën masive në Rudnicë të Rashkës, mund të jenë mbetjet mortore të mbi 250 shqiptarëve të vrarë dhe të zhdukur gjatë luftës në Kosovë.

Ndryshe, në nivel të Kosovës, ende mbesin të pagjetur edhe mbi 1,700 veta të zhdukur që nga viti 1999.
XS
SM
MD
LG