Ndërlidhjet

Vuçiq: Kosovën s'e njohim, por do jetojmë në paqe me të


Aleksandër Vuçiq me kabinetin e tij qeveritare
Aleksandër Vuçiq me kabinetin e tij qeveritare
Deputetët e Kuvendit të Serbisë e kanë zgjedhur të dielën Qeverinë e re të Serbisë, në krye të së cilës është Aleksandar Vuçiq.

Prej 228 deputetëve, për zgjedhjen e Qeverisë së Serbisë kanë votuar 198 deputetë, kundër kanë qenë 23 dhe kanë abstenuar 6 deputetë.

Menjëherë pas zgjedhjes së Qeverisë së re të Serbisë, kryeministri i ri serb, Aleksandar Vuçiq, të dielën në mbrëmje, u ka premtuar qytetarëve të mbledhur para ndërtesës së kuvendit serb, se do të bëjë gjithë çka është e mundur që vendi të përparojë, duke përmendur se Serbia mjaft raste i ka harxhuar, për shkak se politikanët i janë vardisur popullit.

Ai ka paralajmëruar se do të vazhdojnë presionet mbi Serbinë, por se ajo është më e fuqishme pas zgjedhjeve, si dhe ka përsëritur që gjendja në Serbi duhet të përmirësohet me masa të rënda.

Siç ka thënë ai, në paraqitjen e tij para deputetëve të Kuvendit të Serbisë, qeveria e re serbe i ka tri detyra themelore për përmirësimin e ekonomisë.

“E para, reformimin e mënyrës me të cilën ekonomia jonë funksionon, duke sjellur një paket të gjerë të reformave detale dhe serioze në parlament. Këto do të jenë ligje themelore dhe të detajuara, të cilat në Serbi do t’ia krijojnë një ambient të vërtetë të tregut dhe do të ndihmojë edhe më shumë që të shkatërrohet korrupsioni”, ka thënë Vuçiq.

Ai ka shtuar se detyrë e dytë e qeverisë do të jetë zhvillimi i sektorit privat, si dhe detyrë e tretë do të jetë konsolidimi i buxhetit, zvogëlimi i shpenzimeve dhe rritja e të ardhurave.

Ai ka theksuar se qenësore në këtë drejtim është “ndryshimi i mentalitetit”.

Vuçiq ka theksuar se qeveria e kaluar e përbërë nga progresistët dhe socialistët, ka qenë e suksesshme dhe se ka nisur mjaft procese, ka arritur mjaft suksese, si dhe i ka kthyer Serbisë reputacionin.

Sipas tij, suksesi më i madh është se “është ndarë nga mandatet dhe grupet e fuqishme të interesave financiare”.

Si sukses të dytë, ai e ka përmendur luftën kundër krimit dhe korrupsionit, ndërkaq, si sukses të tretë, bisedimet me BE-në. Suksesi i katërt i qeverisë s kaluar serbe, sipas Vuçiqit, janë bisedimet e Beogradit me Prishtinën.

“Ne nuk e kemi krijuar problemin e Kosovës. Ai ka nisur para shumë dekadash, për të mos thënë shekujsh. Situata e sotme në Kosovë është pasojë e shumë gabimeve, të cilat i kanë bërë një numër i liderëve dhe qeverive serbe. Ndërkaq çdo ditë e moszgjidhjes së problemit të Kosovës, na ka kushtuar me thellim të krizës në atë vend. Ne jemi qeveri përgjegjëse që e kemi ndërprerë këtë. Nuk do ta njohim Kosovën, por duam të jetojmë në paqe me shqiptarët”, ka thënë Vuçiq.

Ai shtoi se procesi i bisedimeve me Prishtinën do të vazhdojë dhe se ai, personalisht, do ta përfaqësojë Serbinë në bisedimet në Bruksel.

“Bisedimet do t’i vazhdojmë me besimin e mirë se deri në fund të mandatit të kësaj qeverie, do t’i ofrojmë drejt fundit. Natyrisht, nuk varet e gjitha nga ne, por ajo që varet, ne mundemi dhe duhet ta bëjmë. Ky proces është prioritet i yni dhe në qoftë se punojmë në mënyrë të vyer, besoj që deri në fund të kësaj dekade, Serbia mund të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian. Nuk po e them premtimin e forte, sepse nuk varet gjithçka nga ne”, thkesoi Vuçiq.

Ndryshe, kryeministri i deridjeshëm i Serbisë, Ivica Daçiq, tashmë do ta ketë postin e zëvendëskryeministrit të parë dhe ministrit të Punëve të Jashtme.

Qeveria e re në Serbi ka 19 anëtarë, duke u nisur nga kryeministri, 16 ministra dhe dy ministra pa portofol.

Në anën tjetër, opozita në Serbi e ka kritikuar ekspozenë e kryeministrit të ri, Vuçiq.

Lideri i Partisë Demokratike, Dragan Gjilas e ka theksuar se Serbia do të pësojë privatizim të shtetit në të cilin vendos një njeri dhe se fuqitë e mëdha kanë ndikuar në formimin e qeverisë.

Ai ka theksuar se deri më tash në Serbi ka pasur privatizim të ndërmarrjeve, ndërkaq tash privatizim edhe të shtetit.

“Një sistem i tillë, asnjëherë dhe askujt nuk i ka sjellë asgjë të mirë dhe në shtigje të gjata, nuk do t’i sjellë as Serbisë. Po vazhdon demagogjia dhe fjalët, por nuk ka zgjidhje konkrete”, ka thënë Gjilas.

Eksperti serb për ekonomi, Milan Kovaçeviq ka theksuar se qëllimet e qeverisë së re, të cilat i ka paraqitur Vuçiq, janë të nevojshme dhe janë të njohura edhe më parë.

“Problemi më i madh këtu është se a ka qeveria e krijuar në këtë formë kapacitete për pjesën qenësore të programit ta realizojë”, ka theksuar Kovaçeviq.

Ndryshe, të hënën në Beograd ka qëndruar përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për politikë të jashtme Catherine Ashton, ditën kur edhe është paralajmëruar të mbahet mbledhja e parë e Qeverisë së re të Serbisë.
XS
SM
MD
LG