Ndërlidhjet

EULEX vazhdon të jetë i padëshiruar në veri


Pamje e një murali në veri të Mitrovicës, ku shkruan "EULEX shko në shtëpi"
Pamje e një murali në veri të Mitrovicës, ku shkruan "EULEX shko në shtëpi"
Misioni evropian për sundimin e ligjit – EULEX, ende vazhdon të jetë i padëshirueshëm në veriun e Kosovës, ashtu siç edhe ishte deklaruar nga kryetarët e katër komunave ne këtë pjesë të vendit, vlerësojnë zyrtarë të institucioneve komunale në veri të vendit, si dhe politikan serb që veprojnë jashtë këtyre institucioneve.

Neveria dhe mos durimi ndaj misionit EULEX në veri ishte shpërfaqur pas arrestimeve ose ndalimeve që prokurorët e këtij misioni kishin bërë ndaj personave të caktuar me përkatësi serbe, nën dyshime të caktuara për vepra kriminale.

Kryetarët e komunave në veri të Kosovës, patën kërkuar nga misioni EULEX që të takoheshin me prokurorin e këtij misioni, për të biseduar lidhur me thirrjet që prokurori u ka bërë personave të caktuar për, siç thuhet, biseda informative.

Ksenija Bozhoviq, kryetare e Kuvendit të komunës së Mitrovicës së veriut, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se në kohët e fundit EULEX-i nuk ka treguar gatishmëri për të bashkëpunuar.

“Mund t’ju them se deri më sot EULEX-i nuk ka treguar aspak seriozitet dhe gatishmëri për vazhdimin e ndonjë bashkëpunimi serioz. Kur them seriozitet, do të thotë se ata në terren duhet të tregojnë se janë të gatshëm për bashkëpunim, me të cilin të dyja palët do të ishin të kënaqura. Përgjigjet e tyre janë i njëjti rrëfim, pa asnjë argumentim të fakteve në terren”, theksoi Bozhoviq.

Në anën tjetër, lideri i serbëve të veriut Marko Jakshiq, i cili i takon taborit që ka qenë kundër zgjedhjeve lokale të mbajtura nga institucionet e Kosovës në veri të vendit, duke folur për Radion Evropa e Lirë, vlerëson se deklaratat e përfaqësuesve serb të institucioneve në veri, janë joserioze dhe madje, siç thotë ai, janë të paqëndrueshme në kohë.

Sipas tij, çështja se a do të bashkëpunojnë këto institucione me EULEX-in ose jo është çështje e momentit dhe nuk varet nga disponimi i tyre.

“Të gjithë ata njerëz, të them ashtu, nuk janë personalitete serioze, të cilat do ta kishin qëndrimin dhe sjelljen e tyre politike. Qëndrimi i tyre varet, para së gjithash, nga Beogradi. Nëse Beogradi u thotë që ‘duhet të takoheni me EULEX-in në orën 12’, atëherë ata do të takohen. Por, nëse u thotë ‘mos u takoni’, atëherë ata nuk do ta bëjnë këtë. Kështu që, dua të them se nuk kemi të bëjmë me veprues të pavarur që do ta kishin mendimin e tyre”, vlerësoi Jakshiq.

Në anën tjetër, misioni EULEX, menjëherë pas deklaratës së kryetarëve të komunave veriore se ky mision është i padëshiruar në veri, përmes një komunikate, pati caktuar linjën e kuqe që “në fushën e sundimit të ligjit, askush përveç zyrtarëve për zbatim ligji, të caktuar ligjërisht apo prokurorët ose gjykatësit, nuk mund të pretendojë ta ketë të drejtën e autorizimit ose jo të zbatimit të drejtësisë”.

Gjithashtu, në komunikatën e ti misioni EULEX pati theksuar se “mirëpret çdo qasje konstruktive ndaj zbatimit të sundimit të ligjit në pjesën veriore të Kosovës dhe për sigurinë e përditshme të popullatës”.

Ndryshe, me 25 prill, dy vetura t ë misionit EULEX, janë sulmuar me armë zjarri, teksa po lëviznin në pjesën veriore të Mitrovicës.

Sulmi që për pasojë pati dëme materiale, por jo edhe në njerëz, ishte dënuar nga institucionet vendore dhe ndërkombëtare në Kosovë.

Bozhoviq thotë se sulmin ndaj pjesëtarëve të EULEX-it e dënojnë edhe institucionet e komunave në veri, duke shtuar se sulmet e tilla nuk i kontribuojnë qetësimit të situatës..

“Në çdo rast, ne nuk e përkrahim sulmin e tillë dhe ne duhet të punojmë së bashku. Por e gjitha varet nga EULEX-i dhe ai duhet të tregoj se është i gatshëm të bashkëpunojë me përfaqësuesit e serbëve në veri, në dobi të gjithë qytetarëve dhe jo të punoj në drejtim të asaj që aksionet e saj të jenë vetëm për arrestimin e serbëve, pa dëshmi dhe pa argumente domethënëse”, theksoi Bozhoviq.

Edhe Jakshiq thotë se sulmi ndaj pjesëtarëve të EULEX-it e nxitë dënimin e këtij veprimi nga ana e të gjithëve.

Gjithashtu, ai shpreh bindjen se sulmet e tilla nuk janë të motivuara nga Beogradi zyrtarë.

“Nuk besoj që prapa sulmeve kësaj here qëndron Beogradi zyrtar. EULEX-i ka ardhur që ta kryej misionin si i paanshëm, dhe që nuk do të jetë në anën e askujt. Por, gjatë gjithë kohës po shohim se EULEX-i po anon kah krijimi edhe i një shteti të shqiptarëve në Ballkan".

"Duhet të përkujtojmë se viteve të kaluar serbët e kanë bllokuar lëvizjen e EULEX-it në shumë vende dhe në shumë raste, mu për shkakun pse është pozicionuar nga njëra anë, gjë që nuk do të duhej ta bënte. Por, megjithatë, shtënien mbi pjesëtarët e EULEX-it duhet dënuar në çdo rast”, u shpreh Jakshiq.
XS
SM
MD
LG