Ndërlidhjet

Në vitin 2015 barnat me çmim të unifikuar


Ilustrim
Ilustrim
Barnat nëpër barnatoret e Kosovës, nuk kanë çmime të unifikuara. Kjo, sipas zyrtarëve institucionalë, ndodh për shkak se Kosova nuk e ka një rregullore administrative që do të mund ta rregullonte këtë çështje.

Por, ushtruesi i detyrës së kryeshefit të Agjencisë Kosovare për Produkte Mjekësore, Arianit Jakupi, i ka thënë Radios Evropa e Lirë, se me hyrjen në fuqi të Ligjit për sigurime shëndetësore, do të krijohet mundësia ligjore që institucioni që ai udhëheq, ta rregullojë këtë çështje përmes akteve nënligjore.

“Në mungesë të Ligjit për sigurime shëndetësore, Kosova është konsideruar si treg i lirë, jo vetëm për barna, por edhe për produkte tjera, dhe vendosja e çmimit është bërë varësisht nga dëshira e atyre që i kanë importuar ato barna”.

“Hyrja në fuqi e Ligjit për sigurime shëndetësore e krijon mundësinë ligjore që AKPM-ja, në bashkëpunim me Agjencinë e financimit shëndetësor, të krijojnë akte nënligjore, me anë të së cilave do të rregullohet çmimi i barnave, i cili rregullon marzhet për depot farmaceutike, vetë barnatoreve, si dhe rregullimit të çmimit të prodhuesit e që do të monitorohet nga institucionet tona”,
ka thënë Jakupi.

Ai gjithashtu ka shtuar se me aktet ligjore që pritet të fuqizohen pas hyrjes në fuqi të Ligjit për sigurime shëndetësore, do të rregullohet edhe çështja e shitjes së barnave pa recetë të mjekut, e që tash për tash në çdo barnatore mund të blesh barna pa rekomandimin e mjekut, përfshirë këtu edhe antibiotikët dhe barnat narkotike.

“Ne kemi bërë draft-udhëzimin për rregullimin e çmimeve të barnave dhe menjëherë do të iniciojmë rishikimin e draftit në kuadër të ligjit, i cili është miratuar dhe shpresojmë që brenda disa muajve të fillojmë që vendosjen e produkteve medicinale në treg, ta bëjmë në bazë të këtyre akteve ligjore dhe nënligjore. Për mosrespektim nga barnatoret, janë paraparë edhe masa”.

“Futja në fuqi e Ligjit për sigurime shëndetësore dhe rimbursimit të barnave, do ta bëjë obligative respektimin e kësaj, sepse nuk mund pacientit t’i rimbursohen barnat pa e pasur sistemin e referimit komplet dhe recetën e barnave. Me këtë, ne nuk do ta rregullojmë vetëm çmimin e barnave, por edhe rregullimin e sistemit të referimit”, ka shpjeguar Jakupi.

Për larminë e çmimeve të barnave, flasin edhe vetë farmacistët, të cilët thonë se ka dallime të çmimeve të barnave varësisht nga barnatorja. Njëra nga to është Merita Syla, e cila thotë për Radion Evropa e Lirë, se për shkak të tregut të lirë, çmimet dallojnë shumë nëpër barnatore.

"Ka shumë ankesa nga pacientët për shkak se barnatoret që kanë shumë punë, i kanë çmimet më të ulëta dhe shkaktojnë probleme nëpër barnatore tjera. Dallojnë shumë çmimet për shkak të tregut të lirë të barnave. Barnatoret që punojnë mirë dhe kanë qarkullim më të madh, kanë leverdi t’i shesin edhe më lirë barnat. Derisa barnatoret që kanë më pak punë dhe qarkullim më të vogël, ata nuk mund t’i ulin çmimet”, thotë Merita Syla.

Sidoqoftë, edhe vetë anëtarë të Shoqatës së Farmacistëve të Kosovës, kanë deklaruar se larmia e çmimeve e destabilizon tregun farmaceutik, andaj sipas tyre, kjo çështje duhet rregulluar sa më shpejt.
XS
SM
MD
LG