Ndërlidhjet

Tensione dhe ankth në Donjeck


Gati dy javë pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Gjenevës, me qëllim të qetësimit të situatës në Ukrainë, në rajonin e Donjeckut nuk ka shenja të shtensionimit.

Në fakt, më 28prill, dhjetëra militantë pro-rusë kanë sulmuar një grup të protestuesve ukrainas, duke i rrahur brutalisht. Disa protestues janë rrëmbyer dhe rrahur në përpjekje për t’i detyruar ata që të pranojnë se i përkasin grupit nacionalist Sektori i Djathtë.

Ky ka qenë një përshkallëzim i paparë i dhunës në qytet, që ka lënë tensione të larta.

Një ditë më parë, aktivistët pro-rusë kanë uzurpuar ndërtesën e televizionit të qytetit.

Në të njëjtën kohë, asnjë ndërtesë e vetme publike, që ka qenë e uzurpuar kur është nënshkruar Marrëveshja e Gjenevës, nuk është dorëzuar. Madje, janë uzurpuar edhe të tjera në pjesë të tjera të Donjeckut.

Po ashtu nuk është dorëzuar asnjë armë dhe asnjë barrikadë nuk është hequr, ndërsa janë marrë pengje të reja.

“Ka rritje të madhe të agresionit ndaj mbështetësve të Ukrainës. Në dy ditët e fundit, dhjetëra makina që kishin flamuj të Ukrainës ose simbole të tjera, janë thyer”, përshkruan situatën gazetarja e Radios Evropa e Lirë në Donjeck, Valeria Dubova.

Por, e tillë siç është, Marrëveshja e Gjenevës ia ka lidhur duart Qeverisë së Ukrainës, duke u lënë autoriteteve atje mjete shumë të kufizuara për t’u marrë me militantët pro-rusë, të cilët vetëm se janë trimëruar me këto zhvillime.

Gjithnjë e më shumë po bëhet e qartë se ngjarjet në Donjeck dhe në lindje të Ukrainës janë duke u drejtuar nga jashtë.

Dhuna e 28 prillit duket se është kryer nga njerëz që kanë ardhur në qytet me autobusë dhe janë larguar menjëherë.

Dhuna në rritje ka tronditur dhe revoltuar shumë banorë të zakonshëm, të cilët janë të mendimit se aktivistët lokalë kanë humbur kontrollin e lëvizjes pro-ruse.

Zyrtarët de facto lokalë kanë kërkuar mbajtjen e një referendumi më 11 maj, për të legjitimizuar shpalljen e Republikës së Donjeckut. Taktikat e militantëve pro-rusë duket se kanë për qëllim zvarritjen e status quo-s deri në mbajtjen e referendumit.

Data e referendumit – ndonëse ende nuk është e qartë nëse autoritetet e vetëshpallura do të mund të organizojnë atë – është menjëherë pas 9 majit, ditës që shënon 69-vjetorin e fitores në Luftën e Dytë Botërore.

Analistët vendas dhe vëzhguesit paralajmërojnë për mundësinë e provokimeve apo të dhunës gjatë kremtimit të Ditës së Fitores.

Më 30 prill, zyrtarët ukrainas të sigurisë kanë thënë se kanë kapur një numër njerëzish në zonën Mikolaiv, të cilët dyshohet se kanë planifikuar të bombardojnë ceremoninë e vënies së kurorave më 9 maj.

Në Donjeck, analistët po ashtu kanë paralajmëruar për sulme të mundshme ndaj veteranëve të Luftës së Dytë Botërore.(v.tela)
XS
SM
MD
LG