Ndërlidhjet

Pritet miratimi në Kuvend i ligjit për FAK-un


FSK
FSK
Kuvendi i Kosovës pritet që të hënën të debatojë dhe të vendosë, nëse do të ketë votat e mjaftueshme, për themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës.

Pikërisht në kërkim të një kompromisi, liderët politikë të partive kryesore pritet që para seancës së Kuvendit të mblidhen dhe të diskutojnë për këtë çështje.

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Adem Grabovci, shpreh bindjen e tij se në seancën e së hënës nuk do të ketë mungesë të votave sa i takon çështje së themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës.

“Sa i takon votave ne, thellësisht jemi të bindur se nuk do të kemi problemi dhe çdo gjë do të kaloj në normalitet, ashtu siç edhe i takon të shkojë. Nuk e besoj që asnjë nga deputetët e Kuvendit të Kosovës është kundër formimit të Forcave të Armatosura, sepse formimi i kësaj force prodhon siguri për të gjithë qytetarët e Kosovës, pa marrë parasysh përkatësinë nacionale”, thotë Grabovci për Radion Evropa e Lirë.

Grabovci me siguri foli edhe për votat e komuniteteve pakicë në Kuvendin e Kosovës, se nuk do ya kundërshtojnë dhe do të votojnë pro themelimit të Forcës së Armatosur.

“Shpresoj dhe besoj fuqishëm se edhe nesër, të gjithë, pa përjashtim do ta japin votën e tyre pro kalimit të këtij ligji për formimin e Forcave të Armatosura të Kosovës. Unë asnjëherë deri më tash gjatë takimeve, konsultave që kemi pasur, nuk kemi hasur në ndonjë kushtëzim nga minoritarët, këtë e them për korrektësi”, shprehet Grabovci.

Ajo çka kërkojnë komunitetet pakicë në Kuvendin e Kosovës, sipas Grabovcit, është vazhdimi edhe për një mandat i vendeve të rezervuara, por sipas tij, kjo çështje është e ndarë dhe do të rregullohet me një marrëveshje ndërmjet liderëve politikë.

Nga ana tjetër, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, thotë për Radion Evropa e Lirë, se votat e deputetëve të LDK-së për ushtrinë, janë të sigurta pro vendimit.

“Votat e Lidhjes Demokratike për ushtrinë janë të garantuara, ndërsa sa i përket vendeve të rezervuar( për komunitete) po ashtu janë e kundërta e garantimit, që do të thotë ne nuk i japim votat për vendet e rezervuara. Dhe nuk duhet t’i votojmë, sepse rrezikohet përfaqësimi dhe rrezikohet balancimi i pushteti dhe shtetit të Kosovës. Kështu që me këtë arsyetim, ne nuk e japim votën”,
thekson Gashi.

Ndërsa, Mahir Yagcilar ministër i Ministrisë së Administratës Publike, kryetar i Partisë Demokratike Turke të Kosovës tha se komunitet turk në kuvend do të votoj për formimit të ushtrisë së Kosovës. Ai tha po ashtu se kjo është çështje dhe interes i vendi.

“Unë besoj që edhe në Grupin 6+, po besoj edhe në komunitete që janë jashtë grupit parlamentar 6+, do të veprohet në mënyrën konstruktivi dhe do të votohet për Forcat e Armatosur të Kosovës”, tha Yagcilar.

Megjithatë, ministri Yagcilar kritikon përfaqësuesi institucioneve se për këtë çështje dhe të tjera, ka munguar bashkëpunimi dhe koordinimi më komunitetet.

“Presim që në të ardhmen të ketë kulturë të bisedimeve brenda Parlamentit dhe me zyrtarët e lartë shtetërorë”, thotë Yagcilar.

Kurse, deputetja Jasmina Zhivkoviq nga Partia e Pavarur Liberale, shprehet shkurt se ende nuk ka një qëndrim të prerë nëse do të votohet për apo kundër kësaj çështjeje:

“Është ende herët, ndoshta po e ndoshta jo. Çdo gjë mund të pritet”.

Sidoqoftë, mbetet të shihet nëse të hënën liderët politikë do të arrijnë ndonjë marrëveshje para seancës së Kuvendit në kërkim të sigurimit të votave të pakicave për themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës.

Një kompromis eventual, do të mundësonte më pas edhe marrëveshjen për agjendën politike, që përfshinë edhe caktimin e datës së mbajtjes së zgjedhjeve.
XS
SM
MD
LG