Ndërlidhjet

A do të ndikojë konflikti Ukrainë-Rusi në Eurovizion?


Ilustrim
Ilustrim
Është vetëm një garë kënge. Por, kjo nuk i ka ndaluar tifozët e Eurovizionit të pyeten nëse intensifikimi i konfliktit midis Rusisë dhe Ukrainës do të ndikojë ceremoninë, e cila nis të martën në Kopenhagë.

Dhuna vdekjeprurëse në lindje dhe jug të Ukrainës, për të cilën ushtruesi i detyrës së presidentit të Ukrainës, Oleksandr Turchynov, ka fajësuar Rusinë, ka nxitur spekulime se vendet mund të tërhiqen nga gara, e cila sivjet shënon vitin e 59-të.

Dy shtetet do të jenë pothuajse njëra pas tjetrës, me vetëm Azerbajxhanin në mes, kur 16 kandidatët e parë të performojnë në natën e parë gjysmëfinale.

Ukraina, disa konkurrentë të së cilës, në të kaluarën, kanë shfrytëzuar platformën e Eurovizionit për slogane anti-ruse, sivjet ka shkuar në të sigurt.

Këngëtarja e saj, Maria Yaremchuk, 21 vjeçe, do të këndojë një këngë dashurie, që nuk ka të bëjë fare me politikën.

Megjithatë, Yaremchuk, babai i së cilës ka qenë këngëtar i njohur i muzikës popullore në Ukrianë, thotë se është thellësisht e shqetësuar me ngjarjet e vazhdueshme në Ukrainë, sidomos me dhunën e 2 majit në Odesa, ku mbi 40 aktivistë pro-rusë dhe pro-ukrainas kanë humbur jetën.

“Natyrisht, jemi të shqetësuar, i gjithë ekipi. Është e vështirë të përqendrohemi në prova, kur mendja jonë është me ata në shtëpi… Por, kjo nuk do të na pengojë, me asnjë kusht. Përkundrazi, të detyron të jesh edhe më i fortë”, thotë Yaremchuk.

Rusia, në garën e sivjtme të Eurozivizonit, garon me binjaket Anastasia dhe Maria Tolmachevy.

Dy motrat bjonde kanë marrë përsipër detyrën për të zbutur imazhin e Rusisë jashtë, edhe pse balada e tyre mund t’iu bëjë përshtypje vëzhguesve ukrainas me vargjet: “duke jetuar në kufi, afër krimit…”.

Paul Jordan, studiues britanik dhe tifoz i devotshëm i Eurovizionit, thotë se ka dëgjuar disa murmuritje anti-ruse te komuniteti i Eurovizionit, jo vetëm për qëndrimin e Rusisë në lidhje me Ukrainën, por edhe për legjislacionin antihomoseksual.

Megjithatë, ai beson se zgjedhja e motrave Tolmachevy ka qenë e zgjuar.

Tani, mbetet të shihet se si do të ndikojë konflikti Ukrainë-Rusi gjatë votimit në Eurovizion, ku vendet nuk mund të votojnë për veten e tyre dhe tradicionalisht favorizojnë fqinjët gjeografikë.

Votimi për fqqinjët është bërë aq i dukshëm në vitin 2009, saqë zyrtarët e Eurovizitonit kanë rikthyer juritë, që tani mbajnë 50 për qind të votave, krahas 50 për qind të publikut.

Jordan thotë se në vitin 2005, në prag të Revolucionit të Portokalltë në Ukrainë, Rusia i ka dhënë fqinjit të saj vetëm 2 pikë, ndërsa maksimumi është 12. Tani, me krizën e brendshme në Ukrainë dhe me aneksimin e Krimesë, është pothuajse e pamundur të përcaktohet se si do të ndahen votat.

Zyrtarët e Eurovizionit, në mënyrë të vendosur, mbrojnë natyrën jopolitike të garës, duke thënë se ajo është menduar si një mundësi unike për të sjellë familjen pan-evropiane në një festë me muzikë pop dhe kostume ekstravagante.

Por, Jordan thotë se politika do të krijojë rezultatin edhe në gjysmëfinale, edhe në finalen e 10 majit, kur 16 vende do të luftojnë për të drejtën për të mirëpritur garën e këngës, vitin e ardhshëm.

“Tensionet ekzistuese brenda Evropës manifestohen në Eurovizion dhe sidomos përmes votimit”, thotë Jordan, i cili zgjedh Greqinë si favorite të mundshme për të fituar.(v.tela)
XS
SM
MD
LG