Ndërlidhjet

SHBA dhe BE dënojnë planet për referendume në Ukrainë


John Kerry dhe Catherine Ashton
John Kerry dhe Catherine Ashton
Uashingtoni i ka dënuar ashpër planet e separatistëve pro-rusë për të organizuar referendum për vetëvendosje në lindje të Ukrainës, gjatë kësaj fundjave.

Separatistët pro-rusë kërkojnë autonomi dhe pavarësi për pjesë të Ukrainës lindore. Një gjë e tillë kujton referendumin rajonal në Krime, në muajin mars, që ka çuar në aneksimin e gadishullit nga Rusia.

Duke folur pas takimit në Uashington me shefen e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Catherine Ashton, Sekretarti amerikan i Shtetit, John Kerry, ka thënë:

“Jemi shumë të shqetësuar me përpjekjet e separatistëve pro-rusë në Donjeck dhe Luhansk për të organizuar një referendum fals më 11 maj. Ne kundërshtojmë kategorikisht këtë përpjekje për të ndarë tutje Ukrainën”.

Kerry ka thënë se “asnjë shtet i civilizuar” nuk do të njohë rezultatet e referendumeve në Donjeck dhe Luhansk.

Edhe pse Rusia de facto ka kontroll mbi Krimenë, pak shtete e njohin këtë hap të saj.

Shtetet e Bashkuara dhe Evropa kanë vënë sanksione kundër rusëve të lidhur me qarkun e brendshëm të presidentit Vladimir Putin dhe kundër ukrainasve pro-rusë që kanë qenë të përfshirë në aneksimin e Krimesë.

Sanksione janë vendosur edhe kundër aksioneve të vazhdueshme destabilizuese të Moskës në lindje të Ukrainës, ku jeton kryesisht popullatë rusishtfolëse.

Zyrtarët amerikanë kanë thënë se të gjithë ukrainasit duhet të votojnë për qeverisjen e tyre të ardhshme në zgjedhjet mbarëkombëtare, të caktuara për 25 maj.

Qëndrim të ngjashëm kanë shprehur edhe zyrtarët evropianë.

“Është në duart e popullit të Ukrainës që të vendosë se çfarë është dhe çfarë do të jetë Ukraina. Ata do ta shqyrtojnë me shumë kujdes se ku do të jetë vendi i tyre në botë”, ka thënë baronesha Ashton, pas bisedimeve me sekretarin Kerry.

Edhe Kerry, edhe Ashton kanë kritikuar Rusinë për moszbatim të Marrëveshjes së Gjenevës. Kjo e fundit është arritur në muajin prill dhe ka pasur qëllim shtensionimin e situatës në lindje të Ukrainës.

Ata kanë kërcënuar se çdo aksion i Moskës për të aneksuar pjesë të tjera të Ukrainës do të ndëshkohet me sanksione shtesë.

Kerry dhe Ashton kanë thënë se sanksionet e tilla do të shkojnë përtej dënimeve të vendosura tashmë ndaj zyrtarëve rusë dhe do të aplikohen ndaj të gjithë sektorëve të ekonomisë rusë, përfshirë industrinë e mbrojtjes, financat dhe energjinë.(v.tela)
XS
SM
MD
LG