Ndërlidhjet

Pro-rusët votojnë për vetëqeverisje në lindje të Ukrainës


Referendumi në qytetin Donetsk
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:09 0:00

Referendumi në qytetin Donetsk

Institucionet e vetëshpallura në lindje të Ukrainës e kanë organizuar referendumin për vetëqeverisje në dy provincat e Ukrainës Lindore.

Rreshta të gjatë të votuesve janë parë në shumë qendra të votimit në qytetin e Donetskut, kryeqytet i njërit nga dy rajonet që po e mbajnë referendumin.

Separatistët pro-rusë kanë organizuar referendum në rajonet ukrainase të Donetskut dhe Luhansk.

Qeveria ukrainase në Kiev dhe shumë qeveri perëndimore e kanë dënuar mbajtjen e referendumit dhe e kanë cilësuar si ilegal.

Ushtruesi i detyrës së presidentit të Ukrainës, Oleksandr Turchynov, ka paralajmëruar se votimi është një “hap drejt humnerës”.

Turchynov ka thënë se qeveria ka shfaqur gatishmërinë për të negociuar me përfaqësues nga lindja, por jo edhe me ata, që, sipas tij, e kanë për qëllim që ta shkatërrojnë vendin.

Liderët e separatistëve, gjatë muajit të kaluar i kanë deklaruar dy rajonet që gjenden në kufi me Rusinë si “Republika të popullit”.

Roman Lyahin, udhëheqës i vetëshpallur i Komisionit Zgjedhor në Donetsk, ka thënë se pjesëmarrja e qytetarëve në referendum, ishte e madhe.

Por, mediat pro-ukrainase, kanë raportuar në anën tjetër se pjesëmarrja e votuesve në referendum, është e vogël në dy rajonet ku popullsia e përgjithshme është rreth 6.5 milionë banorë.

Nga këto rajone, bëhet me dije se po votojnë edhe fëmijët, po votojnë qytetarët më shumë se një herë dhe se po votojnë edhe për anëtarët e familjes.

Ish-kryeministrja e Ukrainës, Yulia Tymoshenko, e cila është kandidate për presidente në zgjedhjet që do të mbahen më 25 maj, i ka thënë televizionit Odesa në Ukrainë, se referendumi i 11 majit në dy qytete “është një tragjedi e imponuar mbi ne, e të cilën përfundimisht duhet ta ndalojmë”.

Në ditën kur po mbahet referendumi, është raportuar se ka pasur luftime në herët në mëngjes në qytetin Slovyansk.

Luftimet kanë ndodhur kur grupe të armatosura pro-ruse e kanë sulmuar një ndërtesë televizive, e cila është nën kontrollin e ushtrisë ukrainase.

Zyrtarët ukrainas kanë njoftuar se një person është plagosur.

Udhëheqësi i administratës së presidencës ukrainase, Serhiy Pashinsky, ka njoftuar se si përgjigje ndaj sulmit në ndërtesën e televizionit, forcat ushtarake të Ukrainës e kanë “shkatërruar” një bazë të separatistëve dhe disa pika kontrolli që gjenden jashtë qytetit Slovyansk dhe në qytetin e afërt Kramatorsk.

Pavarësisht të shtënave votimi për referendumin po mbahet në qytetin Slovyansk.

Kryetari i vetëshpallur i këtij qyteti, Vyacheslav Panomaryov, ka thënë se pjesëmarrja në referendum do të jetë 100 për qind.

“Pra, ne duam një republikë të pavarur. Më tepër se kjo ne nuk duam asgjë. Dallimi? Gjuha jonë amtare, kjo është një. Që të jenë në gjendje që t’i zgjidhin problemet tona, kjo është e dyta, dhe kjo është e tëra që duam, nuk duam asgjë më shumë”, ka thënë Nikolai, një votues nga Slovyanski, i cili ka votuar në referendumin e organizuar.

Në Maruipol, si rezultat i përleshjeve vdekjeprurëse të javës së kaluar, janë hapur vetëm tetë vendvotime, ndërsa qyteti ka një popullatë prej gjysmë milioni.

“Ata kanë shtënë, por neve ajo nuk na ka trembur. Ne kemi vuajtur aq shumë sa që nuk ka të shtëna që mund të na trembin. Nëse procesi i votimit do të shkojë mbarë, atëherë të shtënat do të ndalen dhe çdo gjë do të shkojë mirë”, është shprehur Sergei, një votues nga Slovyanski.

Numri i vogël i vendvotimeve dhe numri i madh i qytetarëve ka bërë që në këtë qytet të krijohen radhë të gjata, ndërsa kutitë janë vendosur edhe jashtë objektit.

“Ne do ta krijojmë shtetin tonë, një shtet federal. Dhe pas kësaj, do të bashkohemi me Rusinë”, ka theksuar Yevgeney Belashov nga qyteti i Donetskut.(s.bajrami)
XS
SM
MD
LG