Ndërlidhjet

Kurti: Vetëvendosje nuk lejon shkelje të ligjit


Albin Kurti
Albin Kurti

"Kemi qenë praktikisht i vetmi subjekt opozitar dhe, në të njëjtën kohë, në këta muaj të qeverisjes në Prishtinë, kemi dëshmuar që zotimet tona i përmbushim dhe nuk lejojmë asnjëherë kurrfarë shkeljeje të ligjit, se lëre më korrupsion enorm, çfarë e kemi gjetur ne Komunën e Prishtinës", thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.


RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Kurti, pse duhet dhënë votën juve?

ALBIN KURTI
Lëvizja Vetëvendosje është më shumë se parti politike. Lëvizja Vetëvendosje është një subjekt, i cili ka edhe ideale, edhe moral në politikë. Mirëpo, në të njëjtën kohë, është një subjekt, i cili konceptin e tij të drejtë e parimor e ka shndërruar në alternativë qeverisëse, e cila e bën Kosovën shtet republikan, me zhvillim ekonomik të bazuar në prodhim, me drejtësi shtetërore që e lufton në mënyrë të pakompromis korrupsionin dhe me barazi shoqërore përmes politikave sociale.

Këto gjera, asnjë subjekt tjetër nuk i thotë e aq më pak t’i bëjë. Ndërkaq, kandidatët e Vetëvendosjes janë mundësia, kushti dhe garancia që alternativa jonë qeverisëse do të realizohet kur të jemi ne në qeverisje, në tërësinë e saj, por edhe në të gjitha elementet përbërëse të saj.
RADIO EVROPA E LIRË
Keni qenë shumë kritikë ndaj pushtetit të deritashëm. Si do t’i bindni qytetarët që ju mund të veproni ndryshe nga ajo që keni kritikuar?

ALBIN KURTI
Ne kemi qenë opozitë parimore, e sinqertë dhe serioze në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Kemi qenë praktikisht i vetmi subjekt opozitar dhe, në të njëjtën kohë, në këta muaj të qeverisjes në Prishtinë, kemi dëshmuar që zotimet tona i përmbushim dhe nuk lejojmë asnjëherë kurrfarë shkeljeje të ligjit, se lëre më korrupsion enorm, çfarë e kemi gjetur ne Komunën e Prishtinës.

Pra me opozitën tonë parlamentare dhe me pushtetin tonë komunal në kryeqytet, ne e kemi dëshmuar para qytetarëve të Republikës se jemi një subjekt krejtësisht ndryshe dhe, rrjedhimisht, do ta sjellim ndryshimin, të cilin e dëshirojnë të gjithë qytetarët anekënd Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Cili është qëndrimi juaj për dialogun me Serbinë, si do të veproni nëse fitoni?

ALBIN KURTI
Ne besojmë që Serbisë i duhen vënë kushtet para çfarëdo dialogu me të dhe këto kushte kanë të bëjnë me heqjen e Kosovës nga Kushtetuta e Serbisë, ku shkruan që Kosova është pjesë integrale e Serbisë, me kërkimfaljen për krimet nga e kaluara dhe me pagesën e dëmeve të luftës për të gjitha shkatërrimet, vrasjet, të cilat na i kanë shkaktuar.

Por, në të njëjtën kohë, edhe një marrëdhënie e reciprocitetit, ku çkado që Serbia kërkon për serbët në Kosovë, do të duhej që të aplikohej së pari për shqiptarët në Serbi, posaçërisht në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, po pse jo edhe për hungarezët në Vojvodinë, për boshnjakët në Sanxhak e për vllehët në Timok atje.

Në të njëjtën kohë, ne do ta zëvendësonim dialogun me Serbinë me dialog me serbët e Kosovës, me ç’rast integrimi i tyre në shoqërinë kosovare do të bëhej përmes zhvillimit ekonomik, barazisë shoqërore, punësimit, e jo thjesht përmes këtyre privilegjeve institucionale për politikanët individualë serbë, të cilët kësisoj vetëm sa po shkëputen nga pakica serbe si popullsi dhe, në fakt, nuk po e integrojnë atë në institucionet tona.
RADIO EVROPA E LIRË
Një çështje tjetër e përfolur kohët e fundit është edhe lejimi apo jo i bartjes së shamisë, asaj që cilësohet si uniformë fetare, në institucionet shkollore. Jeni për apo kundër lejimit të bartjes?

ALBIN KURTI
Lëvizja Vetëvendosje e ka pasur qëndrimin e saj të qartë që prej gushtit të vitit 2011. Edhe këtu jemi subjekti i vetëm, i cili e ka diskutuar në forumet tona të brendshme këtë gjë dhe ka ardhur me një qëndrim të qartë; e ky është që ne nuk jemi për ndalimin e shamisë për personat mbi 16 vjeç, ashtu siç nuk jemi për ndalimin edhe të simboleve të feve të tjera në institucionet publike, gjithnjë mbi moshën 16-vjeçare.

Këtë e bëjmë nga pikëpamja e shtetit sekular dhe nga aspekti i të drejtave të njeriut, ashtu siç është e përcaktuar në Kartën Universale për të Drejtat e Njeriut. Pra, pikëpamja e shtetit sekular dhe e të drejtave të njeriut na bën neve që ta kemi një qëndrim të tillë, pra të mos jemi për ndalimin e shamisë në institucione publike mbi moshën 16-vjeçare.
RADIO EVROPA E LIRË
Me kë do të pranonit të hynit në koalicion të mundshëm?

ALBIN KURTI
Së pari, Lëvizja Vetëvendosje është duke u lidhur fuqishëm me qytetarin e Republikës pa dallim moshe, gjinie, profesioni, vendbanimi, prejardhjeje, feje e kështu me radhë dhe jemi duke synuar një ndryshim të madh demokratik, i cili e ka në qendër qytetarin e Republikës, me të drejta politike e kulturore, por edhe socio-ekonomike.

Kur Lëvizja Vetëvendosje të dalë subjekti i parë pas këtyre zgjedhjeve, ne do të fillojmë bisedimet me partitë e tjera dhe do të shohim se me cilën prej tyre mund të gjejmë më së shumti përputhje programore dhe besim të ndërsjellë.

Pra, ne duam që të dalim subjekti i parë; ndryshimet në Kosovë ndodhin pikërisht atëherë kur Vetëvendosja do të jetë subjekti i parë. Për ta krijuar koalicionin qeverisës, do të fillojmë bisedimet mbi baza parimore, programore e konceptuale me partitë e tjera.
RADIO EVROPA E LIRE
A keni vija të kuqe, thënë kushtimit, të cilat nuk do të mund t’i kalonit në këtë drejtim?

ALBIN KURTI

Ne, çdo vijë të kuqe tonën e lidhim me nevojën e madhe të qytetarëve të Republikës për ndryshim dhe besojmë se për ta kurorëzuar këtë ndryshim, së pari, Vetëvendosje duhet të jetë subjekti i parë.

Së dyti, alternativa qeverisëse e Vetëvendosjes me shtetin zhvillimor, shtetin social dhe shtetin e së drejtës, duhet të paraqesin binarët e programit qeveritar katërvjeçar të ardhshëm. Dhe, së treti, besojmë se është e shëndetshme për demokracinë në Kosovë që subjekti, partia në pushtet, e cila ka qenë gjatë këtyre viteve që prej shpalljes së pavarësisë, të dalë në opozitë.
XS
SM
MD
LG