Ndërlidhjet

Haradinaj: Qeverisjen do ta bazojmë në shtet ligjor


Ramush Haradinaj
Ramush Haradinaj
Plani qeverisës i Aleancës, Drejtimi i Ri, parasheh zgjidhje për Kosovën, në kualitetin qeverisës, qeverisjen e mirë bazuar në shtet ligjor; zhvillimin ekonomik bazuar në resurset që ka vendi...”, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Ramush Haradinaj, kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.


RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Haradinaj, pse duhet dhënë votën juve?
RAMUSH HARADINAJ
Në gjendjen çfarë është vendi, e që është sjellë nga një qeverisje e gabuar, drejtim i gabuar qeverisës, plani qeverisës i Aleancës - Drejtimi i Ri - parasheh zgjidhje për Kosovën, në kualitetin qeverisës, qeverisjen e mirë bazuar në shtet ligjor, zhvillimin ekonomik bazuar në resurset që ka vendi në thëngjill, metale, industrinë ushqimore, njeriun e ri dhe parasheh një kredibilitet institucional, kredibilitet shoqëror. Pra, parasheh një mobilizim të shoqërisë në proceset integruese.

Këto janë argumente që janë të qëndrueshme dhe i bazojmë edhe në përvojën tonë të 100-ditëshit qeverisës të mbajtur mend për mirë, e me këtë u ofrohemi qytetarëve dhe besoj se këto janë argumentet pse ata duhet që ta votojnë Aleancën.

RADIO EVROPA E LIRË
Ju, si Aleancë, nuk keni arritur të fitoni pushtetin në zgjedhjet e kaluara. Çfarë ndryshimesh keni bërë përbrenda që të arrini të grumbulloni më shumë vota kësaj here?

RAMUSH HARADINAJ
Bazën zgjedhore të Aleancës ne mendojmë ta rrisim, duke i rritur argumentet mbi konceptin pse qytetarët na votojnë, në krahasim me argumentet që ka subjekti politik që e ka dështuar vendin, që është Partia Demokratike e Kosovës pra, qeverisja e deritashme.

Po ashtu, edhe me argumentet qeverisëse, po flasim ato qeverisëse, të oponentit tjetër, Lidhjes Demokratike të Kosovës, i cili dështoi me qeverisjen në kryeqytet.

Pra, vijmë si një subjekt politik e që ka plan qeverisës dhe ka kualitete qeverisëse, që janë dukshëm më të qëndrueshme, më të mira sesa këto dy parti politike.

Në këtë rast, krahasimi ynë nuk bëhet më si në rastin e komunave ose në situata të tjera. Unë nuk kam qenë në zgjedhje nga viti 2004, pra në zgjedhje parlamentare. Këto janë zgjedhjet e para pas 10 vjetësh edhe vijmë me kualitet qeverisës që është më i qëndrueshëm se sa subjekti politik Partia Demokratike e Kosovës, që e ka dështuar vendin apo i subjektit politik që e dështoi kryeqytetin.

RADIO EVROPA E LIRË
Ju jeni shpallur edhe kandidat për kryeministër nga partia juaj. Nëse do të merrnit mandatin, cilat janë preferencat tuaja rreth koalicionit për të qeverisur vendin?

RAMUSH HARADINAJ
Mendoj se Kosova ka nevojë për institucione, për qeveri të ndërtuar nga opozita, për shkak se ndryshimet në Kosovë do të ishin të qëndrueshme, më kualitative; edhe dinamikat qeverisëse do të ishin më kualitative. Unë, preferoj që ta ndërtoj qeverinë me partitë opozitare.

RADIO EVROPA E LIRË
Cili janë pritjet tuaja nga votimet e datës 8 qershor?

RAMUSH HARADINAJ
Po shkojmë për fitore, të them ashtu sinqertë, për faktin se qytetarët tani e kanë një situatë shumë interesante - ata duhet të vendosin nëse duan të zgjedhin një kryeministër që ka qenë i keq, zotin Thaçi, një kryeministër ta zëmë zotin Mustafa, i cili është i dobët dhe i cili dështoi me qeverisjen në kryeqytet, apo një kryeministër që mbahet mend për kualitet për qeverisje të mirë, i cili ka edhe një plan qeverisës - Drejtimin e Ri - një plan serioz përmes të së cilit qytetarët mund të përfitojnë me shpejt.

Pra, qytetari e ka në interesin e vet sot që në këto zgjedhje, të veprojë me Aleancën, me numrin 44, në listën e së cilës prij unë, sepse është më reale, është partneri më i qëndrueshëm për ta ndryshuar jetën për mirë.
RADIO EVROPA E LIRË
Në raporte e ndryshme Kosova është cilësuar si një vend që vuan nga krimi dhe korrupsioni. Jeni zotuar se do t’i luftoni këto dukuri. Si?

RAMUSH HARADINAJ

Duke mos marrë pjesë në to, në radhë të parë. Kushti i parë për udhëheqësit e institucioneve është që të mos lejojnë në asnjë mënyrë përfshirjen e tyre në këto dukuri. T’i ndihmojnë qytetarët e vendit t’i ushtrojnë të gjitha të drejtat e tyre, qofshin sipërmarrësit, punëtorët, të papunët, secilin qytetar, pa pasur nevojë për praktika korruptive. Kur vetë [institucionet] nuk përfshihen, vetvetiu qytetari nuk ka nevojë të përdorë praktika korruptive.

Pra, faji është te ne, tek institucionet e vendit, te përfshirja jonë në këto dukuri. Mos-përfshirja e kryetarit të ardhshëm të qeverisë, e niveleve të tjera qeverisëse, ndihmon të fillojnë praktikat e punës jokorruptive, edhe atyre jo kriminale.

RADIO EVROPA E LIRË
Cila është sfida më serioze, sipas jush, me të cilën do të përballet qeverisja e ardhshme?

RAMUSH HARADINAJ
Qeverisja e ardhshme e bën gabimin e madh në rast se mendon se qeverisja bëhet vetëm prej pushtetarëve. Qeverisja bëhet prej qytetarëve.

Duhet ta inkuadrojmë qytetarin kudo që është; ata që janë në punë, sipërmarrës, pensionistët, të rinjtë, duhet t’i inkuadrojmë në qeverisje, duhet t’i bëjmë pjesë të asaj që ndodh në jetën tonë.

Kuptohet, plani ynë është t’i rrisim vendet e punës, ta ulim papunësinë në 10 për qind, duke qenë se ekonomitë nuk mund të jetojnë me papunësi më të madhe se 10 për qind, çdo herë janë të rrezikuar. Synojmë ta rrisim standardin, mirëqenien, buxhetin, me pagën e qytetarëve të vendit…për këto angazhohemi.
XS
SM
MD
LG