Ndërlidhjet

Produktet vendore, cilësore apo jo?


Produktet kosovare, të cilat kanë depërtuar shumë pak në tregjet rajonale apo edhe më gjerë, konsiderohen jo edhe aq cilësore nga përfaqësues të Organizatës Joqeveritare “Konsumatori”. Ata thonë se prodhimet vendore nuk i plotësojnë standardet evropiane sa i përket cilësisë.

Kryetari i kësaj organizate, Selatin Kaçaniku, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, tregon për mosinteresim të prodhuesve në aktivitetet që kanë të bëjnë me ngritje të cilësisë.

“Në përgatitje të muajit mars për të drejtat e konsumatorëve i patëm ftuar të gjithë akterët, qofshin ato asociacione apo biznese që të na bashkëngjiten, gjatë këtyre manifestimeve që kishin për qëllim vetëdijesimin e tyre për depërtimin në tregjet evropiane. Por, fatkeqësisht, asnjë asociacion dhe asnjë biznes nuk na u bashkua dhe ky mosinteresim i bizneseve neve na bën të dyshojmë se ato akoma nuk janë të gatshme që të ballafaqohen me kushtet e standardeve evropiane”, sqaron Kaçaniku.

Kaçaniku, për cilësi të dobët të produkteve vendore fajëson edhe mekanizmat institucionalë, që sipas tij, nuk kanë treguar gatishmëri për ta ndihmuar sektorin e prodhimtarisë.

Sipas tij, në Kosovë përveç që bëhet në përqindje të lartë importi i produkteve cilësore që vijnë nga vendet e rajonit dhe më gjerë, shumë herë kanë hyrë në treg edhe produkte të dyshimta.

“Kjo mosgatishmëri ose mospërgatitje e mekanizmave në aspektin teknik kadrovik dhe material për të mbikëqyrur tregun edhe konsumatorin, më bën shumë për të dyshuar dhe lë shumë për të dëshiruar”, shton Kaçaniku.

Hulumtimet e bëra nga shumë organizata, përfshirë edhe Qendrën për Hulumtime Strategjike dhe Sociale, që kanë analizuar gjendjen në treg, cilësinë e artikujve ushqimore, kishin vlerësuar se gjendja e sigurisë së ushqimit në Kosovë, është shqetësuese.

Sidoqoftë, përfaqësues të bizneseve thonë se krahasuar me 3 apo 4 vjet më parë, prodhuesit kosovarë janë në një nivel më të mirë sa i përket cilësisë.

Kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini, thotë për Radion Evropa e Lirë se shumë prodhues vendorë i plotësojnë gjitha standardet më të larta ndërkombëtare për prodhimin e vet dhe shumë prej tyre kanë marrë edhe çmime ndërkombëtare për kualitet.

“Për fat të mirë, bizneset kosovare sidomos ato prodhuese, janë duke u vetëdijesuar se tregjet nuk mund të merren vetëm me sasi dhe kuantitet, por vetëm me kualitet dhe siguri të produktit të vet në treg, përveç që duhet të jetë çmimi konkurrente, duhet të jetë edhe kualiteti. Ne si AKB vazhdojmë t’i ftojmë konsumatorët që të konsumojnë prodhime vendore, derisa bizneset të prodhojnë kualitet të lartë të sigurt dhe të shëndetshëm”, thekson Shahini.

Politikat shtetërore, shton Shahini, duhet të krijojnë hapësirë politikave prodhuese, duke ulur kështu edhe deficitin e lartë tregtar.

Ndryshe, në raportin e fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, flitet për një deficit tregtar më të lartë për muajin prill. Eksporti i mallrave në muajin prill kishte vlerën e 24.4 milionë eurove, ndërsa importi 205.8 milionë euro.

Kjo tregon një rënie prej 12.7 për qind për eksport, ndërsa për import thuhet se nuk ka ndryshim me periudhën e njëjtë të vitit 2013.
XS
SM
MD
LG