Ndërlidhjet

OEK: Përkeqësohet situata e bizneseve


Përqindja e bizneseve që e konsiderojnë situatën aktuale ekonomike të pakënaqshme në Kosovë, ka shënuar rritje krahasuar me tremujorin e katërt të vitit 2013, thuhet në një studim të Odës Ekonomike të Kosovës.

Ky studim, ndër të tjera, tregon se situata e bizneseve kosovare është përkeqësuar në tremujorin e parë të vitit 2014.

Rënia është theksuar te të gjithë sektorët, por situatë më e përkeqësuar vërehet te tregtia me pakicë dhe ajo me shumicë.

Megjithatë, sipas këtij studimi, pritjet për të ardhmen janë optimiste.

“Rreth 60 për qind të bizneseve presin që punësimi të mbetet i njëjtë. Derisa 37 për qind e bizneseve presin që punësimi të rritet në tre muajt e ardhshëm”, thuhet në indikatorin matës të bizneseve.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës Safet Gërxhaliu, thekson se për krijimin e vendeve të reja të punës duhet të bëhet më shumë.

Sipas tij, 60 për qind e bizneseve të anketuar presin dhe shpresojnë të ketë përmirësim të kësaj situate.

“Shumë prej bizneseve të anketuara mendojnë se do të largohet ndikimi dhe agjenda politike dhe do të jemi të orientuar drejt ekonomisë dhe e tërë kjo bënë që 37 për qind e bizneseve presin që punësimi të rritet në muajt e ardhshëm dhe kjo bazohet edhe në premtimet e dhëna në kampanjën zgjedhore dhe para zgjedhore e cila rritë në një formë optimizmin për një trendë që do të jetë më pozitiv”, shton Gërxhaliu.

Edhe në këtë studim, pengesë kryesore për zhvillimin e biznesit mbetet mungesa e financave, vështirësitë në marrjen e kredive, kamatat e larta si dhe kryerja e pagesave me kohë në mes bizneseve.

“Nëse bëhet një analizë më e thuktë e këtyre pesë përqindjeve të analizuar le të kuptosh se sa e rëndësishme është sundimi i rendit dhe ligjit në Kosovë. Pra është e pamundur të kemi kredi të lira pa sundim të rendit dhe ligjit, dhe është e pamundur që të kemi ulje të borxheve mes bizneseve pa sundim të rendit dhe ligjit”, shprehet Gërxhaliu.

Në anën tjetër, zëvendës ambasadori i Gjermanisë në Kosovë Mathias Kiesler ka theksuar se për zhvillimin dhe stabilitetin e një shteti, një ekonomi e qëndrueshme është më se e domosdoshme.

“Fushata parazgjedhore në Kosovë këtë herë ka qenë shumë e përqendruar në zhvillimin ekonomik dhe ky është për mua një shenjë e mirë pasi që të gjithë partitë politike e kanë kuptuar se sa e rëndësishme është ekonomia për zhvillimin e një vendi. Dhe kushdo qoftë që e bën qeverinë e ardhshme është shumë më rendësi që idetë dhe qasjet që i kanë pasur gjatë fushatës zgjedhore të mund t’i zbatojnë në një masë më të madhe, pasi që vetëm në këtë mënyrë është e mundur të tërhiqen investimet”, thekson Kiesler.

Në përputhje me pritjet për përmirësim, bizneset kanë pritje më optimiste për gjashtëmujorin e ardhshëm: rreth 60 për qind presin që situata e biznesit të përmirësohet, derisa 11 për qind e bizneseve të anketuara presin përkeqësim të situatës.
XS
SM
MD
LG