Ndërlidhjet

Afarizmi i dobët i bizneseve, alarm për krizë ekonomike


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Përkeqësimi i situatës së bizneseve në Kosovë mund të shkaktojë probleme të mëdha ekonomike, vlerësojnë ekspertët e çështjeve ekonomike dhe përfaqësues të bizneseve në Kosovë.

Indikatori matës i bizneseve i bërë nga Oda Ekonomik të Kosovës tregoi se biznese të shumta kanë raportuar për përkeqësim të situatës së afarizmit të tyre.

Kjo performancë jo e mirë e bizneseve, sipas ekspertit të çështjeve ekonomike Naim Gashi do të ndikon në shkurtimin e vendeve të punës dhe rrjedhimisht do të shkakton probleme financiare në vend.

“Afarizmi pozitiv i bizneseve është themeli i një ekonomie nacionale, në rastin konkret ekonomisë së Kosovës, për arsye se nëse kompanitë ballafaqohen me vështirësi financiare atëherë ne do të ballafaqohemi me shkurtime të vendeve të punës, me pagesë më të ulët të taksës së shtetit dhe me një zinxhir të problemeve”, tregon Gashi për Radion Evropa e Lirë.

Numri i përgjithshëm i bizneseve që figurojnë të regjistruara në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, është mbi 130 mijë. Prej tyre 99.1 për qind u takojnë ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme.

Shuarja e bizneseve në Kosovë është konfirmuar edhe nga Minstria e Tregtisë dhe Industrisë Vetëm gjatë pesë muajve të parë të këtij viti 652 kompani të ndryshme në Kosovë kanë shuar biznesin e tyre.

Afarizmi i bizneseve thekson eksperti i çështjeve ekonomike Naim Gashi është duke u ashpërsuar për shkak të një hendeku financiar në të cilin kanë hyrë disa kompani të mëdha në Kosovë.

“Një nga arsyet e vështirësive financiare në tregun e bizneseve në Kosovë janë edhe kamatat e larta për arsye se tani ka ardhur deri tek maturimi i kredive dhe bizneset para tri apo katër viteve kanë marrë kredi të mëdha dhe ato kanë përmirësuar afarizmin e tyre financiar për këto vite, por tani kanë ardhur në kohën e kthimit të kredive dhe duke pasur parasysh kamatat e larta dhe kthimi i kredive ato po ballafaqohen me vështirësi të mëdha financiare”, sqaron Gashi.

Në përmirësimin e kësaj situatë, shton Gashi sistemi i drejtësisë duhet të bëjë më tepër. Gjykata ekonomike, sipas tij, duhet të jetë më azhure sa i përket trajtimit të lëndëve që kanë të bëjnë me bizneset.

Përkeqësimin e situatës së bizneseve në Kosovë e konfirmon edhe drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Prishtinë Arian Zeka.

Në një prononcim për Radion Evropa e Lirë si thekson se bizneset që janë anëtare të kësaj shoqate kanë raportuar për një përkeqësim të ambientit të të bërit biznes.

“Një prej shqetësimeve kryesorë që ne si Odë Amerikane kemi marrë nga bizneset ka qenë mos zbatimi i duhur i ligjeve, interpretimi i njëanshëm nga ana e institucioneve publike, gjë që natyrisht ka krijuar pasiguri ligjore dhe i ka pamundësuar bizneseve të të kenë një parashikueshmëri gjatë të bërit biznes”, shton Zeka.

Sidoqoftë, raporti i fundit i Bankës Botërore “Të bërit Biznes”, për vitin 2013 kishte vlerësuar se Kosova ka shënuar të arritura, në krijimin e një klime të favorshme për bizneset. Ky raport e kishte radhitur Kosovën në vendin e 86-të, duke shënuar përparim për 10 pozita krahasuar me vitin e 2012.
XS
SM
MD
LG