Ndërlidhjet

QNR: Në proces të numërimit, votat me kusht


Në Qendrën e Numërimit dhe të Rezultateve në Fushë Kosovë, ka vazhduar procesi i numërimit të votave me kusht dhe i atyre të personave me nevoja të veçanta.

Për dallim nga dita e martë, ku për disa orë vëzhguesi e partive politike kishin ndërprerë procesin, pasi që, siç kanë thënë ata, ka pasur dyshime se fletëvotimet e ardhura me postë nga Serbia ishin të mbushura nga një person, si dhe kishte për probleme me kodin e fletëvotimeve.

Megjithatë, sipas zyrtarëve të QNR-së, procesi i numërimit të votave me postë ka përfunduar të martën vonë.

Koordinatori i kësaj qendre, Burim Ahmetaj, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, se procesi i numërimit të votave me kusht është duke vazhduar normalisht dhe nuk ka parregullsi.

“Sigurisht që të dhënat nga ky proces i numërimit, do të procedohet në data-bazë. Mirëpo, QNR-ja i ka edhe rezultatet nga vendvotimet e rregullta, të cilat janë në pritje në data-bazë për t’iu bashkuar edhe këto rezultate, që tash jeni në procesin e numërimit. Do të na duhet patjetër të presim edhe procesin e rinumërimit, në mënyrë që të kompletohet dhe t’i kemi të gjitha rezultatet, që QNR-ja të dalë me rezultatet përfundimtar”, ka thënë Ahmetaj.

Pas përfundimit të numërimit e këtyre votave, në proces për rinumërim janë në radhë edhe kutitë me vota të 18 vendvotimeve, të cilat duhet të rinumërohen.

Ky rinumërim do të bëhet pasi që Komisionit Qendror i Zgjedhjeve ka marrë vendim ku, sipas tyre, në ato vendvotime është vërejtur mospërputhje e numrit të votave dhe i shifrave në formularëve.

“Për 18 vendvotimet, të cilat kanë probleme mospërputhjeje me formularët e rezultateve, do të ndodhë menjëherë pas procesit të numërimit të votave me kusht. Ndërsa, rinumërimi i 421 vendvotimeve që kanë kryesisht probleme me votat e kandidatëve, do të vijë pas rinumërimit të këtyre 18 vendvotimeve. Po ashtu, i kemi edhe dy vendvotime, të cilat me vendim të PZAP-së duhet të rinumërohen”, ka shpjeguar Ahmetaj.

Këto vendvotime, të cilat do të rinumërohen, sipas Ahmetajt, janë nga komuna të ndryshme të Kosovës si, Prishtina, Peja, Podujeva e të tjera.

Pavarësisht se në Qendrën e Numërimit dhe të Rezultateve, kishte vëzhgues nga partitë politike dhe shoqëria civile, aty nuk mungojnë as ata të Bashkimit Evropian.

Njëra nga vëzhgueset, e cila nuk deshi ta japë emrin e saj, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se deri më tash, nuk ka vërejtur ndonjë parregullsi të madhe.

“Ne mendojmë se zyrtarët janë duke e kryer punën e tyre, po vërejnë gabimet e mundshme dhe po bëjnë aq sa munden dhe sa më shpejt që munden”, është shprehur ajo.

Edhe Ismet Kryeziu, drejtues i koalicionit të organizatave “Demokracia në Veprim”, që kanë monitoruar procesin zgjedhor, dhe tash edhe të numërimit të votave, ka pohuar se procesi i numërimit të votave po ecën normalisht.

“Deri tani nuk kemi ndonjë vërejtje të këtij procesi... Normalisht që është një ngadalësim i procesit dhe resurset humane janë të angazhuara deri në orën 12:00 të mbrëmjes, dhe merr pak kohë, por do të shohim se si do të shkojë më tutje. Sa i takon votave me postë, deri tani kemi pasur disa ankesa të subjekteve politike, të cilat ankesa janë dorëzuar në PZAP - do të shohim si do të trajtohen ato, e sidomos votat që vijnë nga Serbia”, ka theksuar Kryeziu.

Sipas vëzhguesve të shoqërisë civile, por edhe atyre të partive politike, procesi i numërimit dhe rinumërimit të votave të zgjedhjeve të 8 qershorit pritet të përfundojë pas 4 apo 5 ditëve të ardhshme.
XS
SM
MD
LG