Ndërlidhjet

Irak: Mbi 1,000 të vrarë në qershor


Irak
Irak

Kombet e Bashkuara thonë se së paku 1,075 njerëz janë vrarë në Irak në periudhën 5 qershor – 22 qershor, derisa militantët sunitë kanë pushtuar territore në provincën Anbar dhe në veri të Bagdadit.

OKB thotë se shumica e viktimave janë civilë, të cilët kanë pësuar nga shpërthimet dhe ekzekutimet.

Zëdhënësi i OKB-së, Rupert Colville, ka thënë se shifrat duhet të shihen si minimum.

Shteti Islamik i Irakut dhe Levanti, grup i lidhur me Al Kaidën, ka thënë se ka ekzekutuar mbi 1,700 rekrutë shiitë të ushtirsë, pasi ka marrë kontrollin e qytetit Mosul, pak javë më parë.

Në qytetin verior të Irakut, Irbil, të martën ka qëndruar sekretari amerikan i shtetit, John Kerry. Ai ka takuar atje presidentin e rajonit autonom kurd, Masud Berzani, në përpjekje për të inkurajuar formimin e një qeverie të re, më gjithëpërfshirëse.

Kryeministri i Irakut, Nuri al-Maliki, një shiit i cili është kritikuar për nxitjen e tensioneve sektare, pasi nuk u ka ofruar pozita adekuate përfaqësuesve sunitë dhe kurdë, i ka thënë Kerryt të hënën se do të japë dorëheqje nga posti më 5 korrik.

Kerry, gjatë bisedimeve me Berzanin dhe zyrtarët e tjerë kurdë, ka thënë se sfida e formimit të qeverisë është sfida kryesore në Irak.

Ai po ashtu ka lavdëruar bashkëpunimin e forcave kurde në siguri, duke thënë se ka qenë vërtet e rëndësishme që t’iu ofrohet ndihmë forcave irakiane të sigurisë, në luftën kundër militantëve.

“Sfida e formimit të qeverisë është sfida kryesore me të cilën përballemi. Në ditët e fundit, bashkëpunimi në siguri midis forcave këtu, në rajonin kurd, ka qenë vërtet i rëndësishëm”, ka thënë Kerry.

Militantët e Shtetit Islamik të Irakut dhe milicitë finsore kanë vazhduar edhe sot luftimet në përpjekje për të konsoliduar kontrollin në territoret që kanë uzurpuar së fundmi, në perëndim të provincës Anbar dhe në veri të Bagdadit.

Zyrtarët e ushtrisë irakiane kanë hedhur poshtë pohimet e militantëve se kanë marrë nën kontroll të plotë rafinerinë më të madhe në vend, Baiji, e cila ndodhet pranë Mosulit.

Kjo rafineri është nën rrethimin e militantëve që dhjetë ditë. Forcat qeveritare kanë thënë sot se kanë kryer një seri sulmesh ajrore kundër militantëve, duke pretenduar se kanë vrarë disa prej tyre. Por, këto informacione nuk kanë mundur të verifikohen në mënyrë të pavarur.(v.tela)

XS
SM
MD
LG