Ndërlidhjet

Poroshenko zgjat armëpushimin për tri ditë


Separatistët pro-rusë
Separatistët pro-rusë

Presidenti i Ukrainës, Petro Poroshenko, ka shpallur zgjatjen e armëpushimit për 72 orë në pjesën lindore të Ukrainës.

Kjo shpallje u bë pak kohë pasi Poroshenko ishte kthyer në Kiev nga Brukseli, ku e nënshkroi marrëveshjen tejet të rëndësishme për tregti të lirë me Bashkimin Evropian.

Në faqen e tij në internet, Poroshenko tha se armëpushimi është zgjatur në harmoni me afatin e paraqitur nga liderët e BE-së për kryengritësit ukrainas, që të pajtohen për mekanizmin e monitorimit të armëpushimit, për kthimin e postblloqeve nën kontrollin e qeverisë në Kiev dhe lirimin e personave të rrëmbyer, përfshirë edhe katër monitoruesit e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE).

Armëpushimi ishte paraparë të përfundojë të premten në orën 22. Tash pas zgjatjes së tij, ai do të vlejë deri më 30 qershor në orën 22.

Më herët gjatë ditës së djeshme, separatistët pro-rusë në pjesën lindore të Ukrainës, kanë shprehur gatishmëri për ta respektuar zgjatjen e armëpushimit.

Megjithatë, lideri i separatistëve pro-rusë në Donjeck, Alexander Borodai, tha se kryengritësit nuk do t’i dorëzojnë tri postblloqe në kufi, që i kanë marrë më herët.

Pavarësisht armëpushimit, sot është raportuar për incidente të izoluara të dhunshme në rajonin e Donjeckut.

Ushtria e Ukrainës i ka akuzuar separatistët pro-rusë për të shtëna kundër ushtarëve në aeroportin Kramatorsk.

Ushtria tha se nuk ka pasur viktima në mesin e trupave të qeverisë.

Gjatë ditës së premte në Bruksel, liderët e Bashkimit Evropian i kishin tërhequr vërejtjen Rusisë për sanksione të reja, nëse nuk do të ketë ulje të tensioneve në pjesën lindore të Ukrainës, deri më 30 qershor.

Liderët e Bashkimit Evropian thanë se masa ndëshkuese janë përgatitur dhe mund të aktivizohen menjëherë.

Ata kanë shprehur frustrim lidhur me faktin se armëpushimi njëjavor, i shpallur nga presidenti Poroshenko, nuk i ka përfunduar luftimet.

Gjatë nënshkrimit të marrëveshjes në Bruksel, Proroshenko tha se Ukraina ka “paguar çmimin më të lartë të mundshëm për ta realizuar ëndrrën e saj evropiane”.

Dështimi për ta nënshkruar këtë marrëveshje, në nëntor të vitit të kaluar, ka shkaktuar protesta masive në Kiev, që kanë çuar në përmbysjen e ish-presidentit, Viktor Yanukovich.

Në Uashington, zëdhënësja e Departamentit Amerikan të Shtetit, Marie Harf, vlerësoi se përpjekjet e Rusisë në Ukrainë kanë dështuar.

“Mendoj se është e rëndësishme se saktësisht ajo që presidenti Putin është përpjekur ta parandalojë me ndërhyrjen e tij në Ukrainë, tash ka ndodhur”, tha Marie Harf.

Por, zëvendësministri i jashtëm i Rusisë, Grigory Karasin, tha se nënshkrimi i marrëveshjes Ukrainë – BE, do të ketë “pasoja të rënda” për Kievin.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Josh Earnst, këto kërcënime i ka cilësuar si “të padobishme”.

Nga ana tjetër, Departamenti Amerikan i Shtetit u ka hedhur një dyshim të dhënave në raportin e Komisariatit të Lartë për Refugjatë të Kombeve të Bashkuara, që pretendon se 110 mijë persona nga Ukraina tashmë kanë kaluar në Rusi, këtë vit.

Zëdhënësja Marie Harf, tha se këto të dhëna nuk janë konfirmuar nga Shtetet e Bashkuara.

Ajo tha se janë të besueshme shifrat se mijëra vetë kanë ikur nga konflikti, por ka theksuar se ekziston lëvizje e vazhdueshme e njerëzve përgjatë kufirit të dobët ndërmjet Ukrainës e Rusisë. (f. bujupi)

XS
SM
MD
LG