Ndërlidhjet

Nikoliq: "Serbia nuk do të luftojë..." - i ndërpritet fjalimi


Gazimestan
Gazimestan

Qindra serbë, të cilët të shtunën ishin tubuar në Gazimestan, për të shënuar festën e Shën Vidit dhe 625-vjetorin e Betejës mesjetare të Kosovës, e kanë ndërprerë fjalimin e kryetarit të Serbisë, Tomislav Nikoliq, gjatë kohës derisa ai po u drejtohej atyre.

Kryetari serb kishte ardhur të shtunën në Kosovë, për të vizituar Gazimestanin dhe Graçanicën, i shoqëruar edhe nga funksionarë tjerë të shtetit serb.

Por, fjalimi i kryetarit Nikoliq, i cili përderisa po thoshte se shqiptarët e Kosovës kanë ndërtuar dhe po ndërtojnë shtëpi në tokën serbe, është ndërprerë nga një numër i madh i serbëve të pranishëm në Gazimestan, të cilët i kanë fërshëllyer dhe brohoritur, duke e quajtur tradhtar.

Por, kryetari Nikoliq u ka thënë qytetarëve të tubuar se Serbia do të bisedojë me të gjithë.

“Unë ju lus juve, fëmijë që fërshëlleni, se po t’i fërshëllenin kështu Mbretit Llazar, kur ai bëri thirrje për betejë, ju sot nuk do të kishit ku të vinit këtu. Por, unë ju fal, sepse nuk dini se çfarë bëni. Serbia ka vendosur që të bisedojë deri në fund dhe me të gjithë”, theksoi Nikoliq, i cili në vazhdimësi fërshëllehej nga masa e tubuar, e cila e akuzonte se e ka tradhtuar me Kosovën.

Nikoliq shtoi se i vinte turp që ndjente brohoritje të tilla.

“Mua më vjen turp, pranë kësaj përmendore, që t’ju dëgjoj. Por, si nuk ju vjen juve turp para kësaj përmendoreje që të çirreni dhe bërtisni, unë nuk do ta kem kurrë të qartë”, u tha Nikoliq atyre që brohorisnin.

Në mesin e qytetarëve serbë që ishin tubuar në Gazimestan, pati edhe të tillë që i duartrokisnin kryetarit serb, Nikoliq, në shenjë përkrahjeje për të.

Pas ndërprerjes së fjalimit në Gazimestan, Nikoliq ka udhëtuar për në Graçanicë, ku është takuar me kreun e Manastirit të Graçanicës.

Ai ka shpjeguar situatën, e cila ndodhi në Gazimestan, duke thënë se është përpjekur t’ua shpjegojë njerëzve se si mendon shteti i Serbisë t’i zgjidhë problemet e serbëve në Kosovë, në një vend, siç është Gazimestani, ku sipas tij, 625 vjet më parë shumë serbë kanë dhënë jetën e tyre në Betejën mesjetare të Kosovës.

“E di që më nuk duhet dhënë më shumë jetë për Serbinë, por që Serbia duhet të udhëheqë politikë të mençur, të bisedojë dhe të merret vesh me të gjithë, se serbët dhe shqiptarët duhet të merren vesh dhe jo të luftojnë. Unë jam i bindur se sa të jem unë kryetar i Serbisë, Serbia nuk do të luftojë”, ka theksuar Nikoliq.

Ndryshe, për në Gazimestan të shtunën kanë udhëtuar qytetarë serbë nga të gjitha pjesët e Kosovës ku jetojnë ata.
Një numër banorësh serb në Gazimestan ka udhëtuar edhe nga veriu i Kosovës, nën përcjelljen dhe përkujdesjen e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës.

Pranë hyrjes së Manastirit në Graçanicë, më herët gjatë ditës, është mbajtur liturgjia e shenjtë e Shën Vidit, në të cilën kanë marrë pjesë një numër i madh i serbëve, besimtarë ortodoks.

Liturgjinë e kanë shërbyer metropolitani Amfilohije dhe peshkopët Teodosije dhe Pahomije.

XS
SM
MD
LG