Ndërlidhjet

Në Brazil 2014, s’ka ekipe “të mëdha” dhe “të vogla”


Kampionati i sivjetmë botëror i futbollit, që aktualisht po mbahet në Brazil, është kampionati i parë ku marrin pjesë 32 përfaqësuese dhe më masive se herëve të kaluara, dhe e ka hedhë poshtë tezën se aty ku ka masivitet nuk ka edhe kualitet, vlerësojnë njohësit e futbollit në Kosovë.

Sipas tyre, botërori i sivjetmë i futbollit ka shpërfaqur kualitete, të cilat në mjaft raste kanë qenë të papritura nga dashamirët e futbollit, e sidomos, sipas tyre, ka vërtetuar se nuk ka më të ashtuquajtura përfaqësuese “të vogla” apo “të mëdha” në krahasim.

Arbënor Morina, trajner i futbollit, thotë se në botërorin në Brazil, kanë befasuar për të mirë përfaqësueset nga Amerika latine, ndërkohë që dashamirët e futbollit janë habitur me performancën jo të mirë të disa përfaqësueseve të Evropës, e të cilat në fakt, janë llogaritur si favorite para se botërori të fillonte.

“Është treguar që numri i madh ka forcuar kualitetin. Këtu, në radhë të parë, mendoj në ekipet nga Amerika latine dhe Amerika e mesme, të cilat kanë bërë një ‘bum’, ndërsa kanë stagnuar ekipet e Evropës, për të cilat shumë ekspertë kanë menduar që do të jenë përsëri në kreun e futbollit botëror, siç janë Italia, Spanja dhe Anglia".

"Por, treguan se tek ato diçka nuk ka qenë në rregull. Te spanjollët është një ngopje me lojë dhe është një ekip që me moshë është deri diku e vjetër. Ndërkaq, te italianët dhe te anglezët, sipas meje, problemi kryesor është që në klubet dhe ligat e tyre kombëtare, lojën e tyre e udhëheqin lojtarët nga shtetet tjera”, vlerësoi trajneri Morina.

Ai ka shtruar se tek ekipet latine-amerikane dhe ato të Amerikës së mesme, është parë se ato e kanë thjeshtësuar lojën në maksimum, duke zhvilluar lojë të shpejtë me pasime të shkurta dhe të mesme, dhe se sipas tij, statistikat kanë treguar se pasimet e gjata janë në minimum, ndërkaq që shënimet e golave nuk i kanë të pakta në këtë kampionat.

Edhet Ramiz Krasniqi, po ashtu, trajner i futbollit, vlerëson ngjashëm, duke thënë se befasitë e këtij botërori të futbollit kanë nisur që nga gjiroja e parë. Sipas tij, skuadrat që nuk janë llogaritur si favorit, përkundrazi kanë treguar lojë të mirë dhe kanë ecur përpara në kualifikime dhe në të gjashtëmbëdhjetën e finales.

“Ky kampionat botëror mund të dallohet më ketë që pasur befasi të llojllojshme dhe ndeshje të paparashikueshme. Por, ky është një argument jashtëzakonisht pozitiv nga aspekti i sportit, i futbollit. Pavarësisht se në letër kanë qenë skuadra ‘të vogla’, kurse në praktikë ose në fushë kanë treguar një cilësi dhe kualitet".

"Mendoj që vet fakti po tregon se futbolli, gjithkund në botë, sidomos nëpër vendet e Amerikës latine dhe Afrikës, ka një ngritje shumë të lartë, sepse shumica e trajnerëve që janë duke punuar në këto shtete po tregojnë punë kualitative dhe cilësi të lartë”.

Trajneri Krasniqi shtoi se në disa raste disa ekipe kanë ecur para në botëror edhe me fat, por në të shumtën e rasteve është treguar futboll kualitativ.

Njohësit e futbollit kanë vlerësuar se tek ekipet e Afrikës dhe Azisë janë shënuar përparime në krahasim me botërorët e kaluar. Megjithatë, sipas tyre, te afrikanët vërehen mos organizimet e federatave përkatëse dhe kjo reflekton probleme tek ekipet e tyre.

Ndryshe, tashmë kanë mbetur edhe pak ndeshje deri në të tetën e finales, ku sipas njohësve të futbollit, pritet lojë, siç e quajnë ata, edhe më e mençur e përfaqësuesve që do të kualifikohen.

Madje, sipas tij, përfaqësueset që janë llogaritur si favorite e që deri më tash kanë ruajtur potencialin, tashmë do ta shpërfaqin atë.

Trajneri Morina vlerëson se në garën e mëtutjeshme në botërorin që po mbahet në Brazil, ekipet që kanë treguar qëndrueshmëri konstante në lojë, do të jenë në përparësi.

“Mirëpo, mos të harrojmë që tash kjo nuk është faza e grupeve, ku nëse e humbë një pikë në lojën e sotme mund ta kompensoni në lojën pas dy ditësh. Tash është faza e ‘knock out’- ëve dhe nëse humbet loja, shkon në shpi dhe përfundon kampionati botëror. Mirëpo, mendoj që ekipet, të cilat nga ana psikologjike janë më të fuqishme , më të përgatitura dhe nga ana teknike-taktike janë më kompakte, më të disiplinuara në lojë, do të arrijnë shumë larg”, tha Morina.

Ndërkaq, trajneri Krasniqi, thotë se tashmë gjithçka do të orientohet drejt finales dhe skuadrat do të përpiqen që të mos bëjnë lëshime, të cilat më nuk mund të përmirësohen..

“Mendoj se skuadrat e forta dhe cilësore, gradualisht e kanë pasur një lloj parapërgatitje për finalizimin e këtyre ndeshjeve të më hershme. Kështu që këto skuadra sigurisht që do ta japin maksimumin në gjysmëfinale dhe finale”, u shpreh Krasniqi.

Sidoqoftë, të dy këta njohës të futbollit, kanë prognozat e tyre se kush do të jetë në finale të kampionatit.

Trajneri morina thotë:

“Dëshira ime do të ishte që në finale të jenë një ekip nga Evropa dhe një nga Amerika latine”.

Ndërkaq, trajneri Krasniqi thekson..

Dëshirë do të kisha që në finale të jenë Gjermania e Zvicra, por, profesionalisht, mendoj se do të ishte një përmbyllje e kampionati me një finale ku do të ishin Brazili dhe Argjentina. Ky do të ishte kapaku i kampionatit botëror”.

Ndeshja finale e botërorit në Brazil, do të zhvillohet me 13 korrik.

XS
SM
MD
LG