Ndërlidhjet

Gazpromi me monopol diskriminues


Harta e shteteve evropiane që paguajnë gazin nga kompania ruse Gazprom
Harta e shteteve evropiane që paguajnë gazin nga kompania ruse Gazprom

Kompania ruse Gazprom nuk i ka çmimet e njëjta të gazit për të gjitha shtetet në Evropë.

Një studim i të dhënave publike në dispozicion tregon se vendet perëndimore të Evropës paguajnë më pak te Gazpromi, që është një kompani gjigante e udhëhequr nga shteti në Rusi, se sa vendet e varfra në pjesën lindore dhe qendrore të Evropës.

Pra, shtrohet pyetja se përse Polonia dhe Republika e Çekisë paguajnë më tepër se 500 dollarë amerikanë për 1000 metra kub gaz, ndërsa matanë kufirit, Gjermania paguan më pak se 400 dollarë?

“Çmimet e Gazpromit caktohen sipas asaj se cilat janë alternativat në këto vende”, thotë James Henderson, ekspert i industrisë ruse të gazit dhe naftës në Institutin për Studime Energjetike në Oksford, dhe shton se “esencialisht vepron si monopolist diskriminues”.

Ai thekson se “nëse ka aksione të rëndësishme në treg në vend, ose nëse e sheh se ai shtet ka alternative të kufizuara, atëherë i cakton çmimet në mënyrë përkatëse”.

Vendet e varfra në Evropë paguajnë çmime shumë të larta

Prej pesë vendeve më të varfra në Evropë, vetëm Moldavia paguan nën mesatare për gazin rus. Maqedonia, vendi i pestë më i varfër evropian sipas të dhënave të Fondit Monetar Ndërkombëtar, paguan më tepër se çdo vend tjetër, pasi çmimi për këtë vend është 564 dollarë amerikanë për 1000 metra kub.

Bosnjë Hercegovina, ku të ardhurat mesatare mujore janë pesë herë më të ulëta se në Gjermani, paguan 515 dollarë, për 1000 metra kub gaz.

Përse janë akuzuar se janë të buta ndaj Rusisë?

Disa nga shtetet më të pasura në Evropë, që paguajnë më pak për gazin rus, janë akuzuar se janë më të buta ndaj Rusisë.

Pas aneksimit të Krimesë në Ukrainë, nga ana e Rusisë, në muajin mars, dhe luftimeve që pasuan në pjesën lindore të Ukrainës, ku Rusia është akuzuar se i mbështet luftëtarët separatistë, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë imponuar sanksione të shënjestruara ndaj Moskës.

Por, Gjermania, Austria dhe Franca, të cilat paguajnë më pak se 400 dollarë amerikanë për gazin rus, janë akuzuar se i kundërshtojnë penaltitë më të ashpra kundër Moskës.

Shpenzuesi më i madh i Gazpromit, Gjermania, që në vitin 2013 i ka blerë 40 miliardë metra kub gaz, që është një vëllim i barabartë me 40 mijë ndërtesa të Empire State Building në Nju Jork, ishte nën presion të liderëve industrialë gjermanë për t’iu shmangur sanksioneve të mëtejshme.

Franca ka refuzuar ta tërheq marrëveshjen në vlerë prej shumë miliarda dollarësh për të shitur luftanije në Rusi.

Austria, që paguan 397 USD për 1000 metra kub, në muajin qershor ka nënshkruar marrëveshje për konstruktimin e sektorit austriak të gypsjellësit rus, që do ta anashkalonte Ukrainën.

Por, një javë para se Vjena ishte pajtuar për kushtet e kontratës me Moskën, Bashkimi Evropian me sukses i bëri presion Bullgarisë, e cila paguan 497 USD për 1000 metra kub, që ta shtyjë marrëveshjen me Rusinë për projektin e njëjtë të gypsjellësit Rrjedha Jugore.

Rusia u mundëson çmime të ulëta vendeve të Unionit Doganor

Gjatë kohës kur ish-presidenti i Ukrainës, Viktor Yanukovich, refuzoi nënshkrimin e Marrëveshjes për Asocim me Bashkimin Evropian në nëntor të vitit të kaluar, presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ishte përpjekur ta bindë Kievin për t’iu bashkuar Unionit Doganor, që udhëhiqet nga Rusia, e ku aktualisht përfshihen Bjellorusia dhe Kazakistani.

Pos 15 miliardë dollarëve hua, Putin kishte ofruar ulje të madhe të sasisë që pritej se Ukraina do ta paguante për importin e gazit.

Nga ana tjetër, Bjellorusia, anëtare e Unionit Doganor, paguan 166 USD për 1000 metra kub, që është çmimi më i vogël se i çdo vendi tjetër.

Armenia, e cila vitin e kaluar befasishëm ka shpallur synimin për t’iu bashkuar Unionit Doganor, paguan 189 USD për 1000 metra kub.

Bjellorusia dhe Armenia, gjithë gazin natyral të tyre e marrin nga Rusia.

Ish-shtetet e tjera sovjetike paguajnë shtrenjtë

Disa nga vendet që më së shumti varen nga gazi rus, janë shumë të ashpra në kritikat e tyre ndaj Rusisë. Të tri vendet baltike, Letonia, Lituania dhe Estonia, që ishin mbështetës të fuqishëm të Ukrainës në krizën aktuale, 100% të nevojave të tyre të gazit i marrin nga Rusia.

Ukraina i merr afro 72% të gazit nga Rusia. Asnjëra nga këto vende nuk paguan më pak se 416 USD për 1000 metra kub gaz.

Simpatitë politike për Rusinë duket se nuk kanë peshë

Pas Bjellorusisë, Serbia është aleati më i afërt i Rusisë në Evropë, por ajo paguan 457 dollarë amerikanë për 1000 metra kub. Italia, që kishte raporte të afërta me Rusinë gjatë periudhës kur kryeministër ishte Silvio Berlusconi, paguan 440 USD për 1000 metra kub.

“Kjo në masë të madhe është çdoherë çështje ekonomike”, thotë eksperti James Henderson, dhe shton se “atje ka çdoherë mbulesë politike në negociata dhe ndonjëherë koha e diskutimeve dhe veçanërisht koha e negociatave kanë ngarkesë politike”. (f. bujupi)

XS
SM
MD
LG