Ndërlidhjet

SHBA: Senatorët kërkojnë më tepër sanksione kundër Rusisë


Ilustrim
Ilustrim

Dy senatorë të lartë të Komitetit për Marrëdhënie të Jashtme të Senatit të Shteteve të Bashkuara, u kanë shtruar pyetje të mërkurën vonë zyrtarëve të administratës së presidentit Barack Obama, lidhur me sanksionet kundër Rusisë.

Kryesuesi i këtij komiteti, Robert Menendez, demokrat nga Nju Xherzi, dhe anëtari, Bob Corker, republikan nga Tenesi, kanë kërkuar të dinë, gjatë seancës së dëgjimit për Ukrainën, se përse administrata Obama nuk ka ndërmarrë sanksione të mëtejshme kundër Rusisë.

Ndihmës sekretarja amerikane e shtetit për çështje të Evropës dhe Euroazisë, Victoria Nuland, tha se administrata mendon se sanksionet do të ishin më efektive me pjesëmarrjen evropiane dhe se po përgatiten më tepër sanksione.

Nuland ka theksuar se liderët evropianë do të takohen më 16 korrik dhe pas kësaj date mund të pritet aksion i ri.

Zoti Menendez ka sugjeruar se ligjvënësit mund të ndërmarrin aksion pavarësisht nga administrata kundër Rusisë, duke thënë:

“Unë nuk e mora këtë. Dhe nuk e di se sa gjatë disa prej nesh do të jemi të gatshëm të presim”, tha Robert Menendez.

Ai disa herë e pyeti zyrtaren e lartë të Departamentit amerikan të shtetit, Victoria Nuland, se “çka po presim ne”?

Derisa republikanët në Senat tashmë e kanë paraqitur legjislacionin për sanksione ndaj Rusisë përtej asaj që administrata është e gatshme të bëjë, presioni nga kryesuesi demokrat i Komitetit të Marrëdhënieve të Jashtme, Menendez, ishte më tepër i pazakonshëm.

Sikur Corker, po ashtu edhe Menendez, dukeshin qartas të irrituar ndaj zyrtarëve të administratës gjatë këtij dëgjimi.

Republikani Corker tha se politika e sanksioneve ishte “e paefektshme” dhe e pyeti zonjën Nuland se përse administrata nuk po ndërmerrë më tepër sanksione kundër Rusisë.

Nuland filloi të përgjigjet çka do të mund të ndodhte nëse administrata nuk do ta kishte sanksionuar Rusinë. Corker e ndërpreu atë dhe tha se ai nuk dëshrion të dëgjoj për këtë.

Victoria Nuland tha se administrata Obama po “bisedonte me evropianët për atë se kur ësht përkatëse për të lëvizur së bashku”, dhe ka përsëritur se Shtetet e Bashkuara dhe evropianët preferojnë të lëvizin së bashku.

“Ne duhet, në masë të mundshme, të vazhdojmë të punojmë me evropianët, pasi kjo do ta bënte politikën e sanksioneve maksimalisht efektive”, tha Nuland.

Ajo i ka mbrojtur sanksionet ekzistuese duke i vlerësuar si efektive dhe duke i përmendur zgjedhjet presidenciale në Ukrianë dhe tërheqjen e 40 mijë trupave ruse nga hapësirat afër kufirit të Rusisë me Ukrainën.

Senatori Corker, pas një pauze të gjatë, ka shprehur pakënaqësi të madhe.

“Jam i shqetësuar për ne. Vetëm dëshiroj që administrata të ndalet të thotë publikisht, nëpërmjet juve dhe të tjerëve, gjëra që po thuhen, kur ne e dimë se ne nuk do të veprojmë”, tha senatori Bob Corker.

Në përgjigje të aneksimit të Krimesë së Ukrainës nga ana e Rusisë dhe për rolin e Rusisë në luftimet që pasuan në pjesën lindore të Ukrainës, administrata Obama ka zgjedhur sanksione individuale kundër rusëve dhe ukrainasve pro-rusë, e jo për sektorë të gjërë të ekonomisë ruse.

Victoria Nuland ka përsëritur se administrata Obama është e gatshme për të imponuar “sanksione të shënjestruara, për sektorë specifikë shumë shpejtë, nëse Rusia nuk e ndryshon në mënyrë vendimtare kursin dhe e ndalë mbështetjen e saj për separatistët”. (f.bujupi)

XS
SM
MD
LG