Ndërlidhjet

Berishaj: UP-ja nuk do të ketë krizë financiare


“Kam marrë siguri nga ministri i Financave, Besim Beqaj, dhe ekipi i tij se ky universitet në asnjë mënyrë nuk guxon të dështojë dhe asnjë veprimtari e UP-së nuk do të ngecë për shkak të atyre masave që ka marrë Qeveria. Pavarësisht se kush do të jetë në krye të Qeverisë, unë jam i prirë të besoj se të gjithë këtë universitet e duan dhe askush nuk ka dëshirë që të pësojë nga çfarëdo mase”, thotë në një intervistë Për Radion Evropa e Lirë, ushtruesi i detyrës së rektorit të Universitetit të Prishtinës, Anton Berishaj.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Berishaj, jeni ushtrues detyre i rektorit të Universitetit të Prishtinës që nga muaji mars i këtij viti. Me cilat sfida u përballët dhe çka arritët të përmirësoni në Universitetin e Prishtinës?

ANTON BERISHAJ

Sfida më e madhe ishte ta pranoja këtë pozitë, pasi që isha i vetëdijshëm se çka më pret këtu.

Jam ballafaquar me shumë sfida, fillimisht është dashur që gjërat të kthehen në binarë. Është dashur që të fillohet ndërtimi nga e para i një infrastrukture ligjore, me një sens të veçantë në rregullore të funksionimit të zgjedhjes, të rizgjedhjes, të përtëritjes së stafit zgjedhjes së aplikuesve për doktoratë, të gjitha këto i kemi bërë.

Këto ndoshta mund të jenë jo shumë atraktive për opinionin, meqë opinioni ka pasur një pritshmëri më të madhe prej menaxhmentit të ri që po vjen pas asaj gjendjeje, në të cilën ishte universiteti.

Unë nuk jam ngarkuar shumë me atë që pritshmëria ka qenë e madhe, pasi që e kam ditur që mrekulli nuk mund të bëhen këtu. Për mua, megjithatë, është një mrekulli e vogël nëse pas këtij menaxhmenti do t’i keni disa norma, disa rregulla, disa rregullore të prekshme, të cilat krijojnë një kornizë të funksionimit normal të këtij universiteti. Pastaj është çështje tjetër a do të respektohen apo jo, por një menaxhment kush do qoftë, unë apo dikush tjetër, i cili mendon dhe ia do të mirën këtij universiteti, duhet të insistojë që gjithmonë që ajo do, të respektohet. Nëse nuk respektohet, atëherë praktikisht nuk mund të flasim për një institucion të arsimit të lartë, por po flasim për një treg, e treg Universiteti i Prishtinës nuk guxon të jetë kurrë.

RADIO EVROPA E LIRË
Universiteti i Prishtinës është kritikuar për parregullsi të mëdha. Cilat ishin parregullsitë që ju i keni hasur në Universitetin e Prishtinës dhe a arritët t’i eliminoni ato?

ANTON BERISHAJ

Nuk jam shumë i gatshëm të flas për atë çka ka ndodhur para meje, nga një arsye e thjeshtë, pasi që do të ishte jo korrekte që të flas për ata që i kanë paraprirë punës sime. I përmenda, janë disa gjëra, të cilat kanë funksionuar ndoshta jo krejt mirë brenda kornizave të caktuara që i parasheh Statuti dhe Ligji për arsimin e lartë, nën presionin e grupeve të caktuara, nën presionin e familjarëve, nepotizmi... Ne jemi një shoqëri farefisnore dhe nganjëherë reflektohet negativisht edhe funksionimi normal.

Varet shumë prej asaj se sa ju jeni i përcaktuar, edhe sa ju jeni i bindur se mund ta ndryshoni gjendjen. Unë e kam pranuar këtë pozitë, jo për të përfituar, pasi që unë jam para përfundimit të karrierës sime, por thjesht e kam parë obligim.

Kam qenë i vetëdijshëm se Universiteti i Prishtinës për Kosovën është shumë më i madh sesa universitetet në botë për botën. Ne jemi ndër rastet e rralla që Universiteti e ka krijuar shtetin, e jo e kundërta, ky ka qenë një tempull jo vetëm i dijes, por ka pasur mision tjetër të veçantë, edhe patriotik, edhe revolucionar.

Unë hyra në këtë punë me një ekip që e zgjodha vetë, për t’i marrë vetë përgjegjësitë nëse dështoj. Nëse dështoj, dështoj vetë dhe jo prej presioneve të ndryshme të qarqeve politike. Kur i përmendi qarqet politike mund të them se asnjë presion prej askujt nuk kam pasur.

RADIO EVROPA E LIRË
Së fundi, Qeveria e Kosovës ka marrë një vendim për zvogëlimin e pagesës për 50 për qind të semestrit për mbi 53 mijë studentet të nivelit bachelor dhe master, derisa ka paraparë që studentët që regjistrohen për herë të parë në fakultete, të jenë pa pagesë. Cili është rreziku real që UP-ja të mbetet pa financa?

ANTON BERISHAJ

Ne kemi pasur një takim me ministrin e Financave, Besim Beqaj. Unë kam marrë garanci nga ministri Beqaj dhe ekipi i tij se ky universitet në asnjë mënyrë nuk guxon të dështojë dhe asnjë veprimtari e UP-së nuk do të ngecë apo pësojë për shkak të atyre masave që ka marrë Qeveria.

Unë nuk kam arsye të dyshoj në disponimin dhe vullnetin e mirë të tyre që këtë ta bëjnë. Unë nuk mund të flas a do të realizohen apo si realizohen - me rëndësi është që unë mora garanci dhe jam komod që ky universitet mund të vazhdojë funksionimin normal në të gjitha veprimtaritë.

RADIO EVROPA E LIRË
Çfarë ju është siguruar?

ANTON BERISHAJ

Ne nuk shkuam për të nënshkruar asgjë, mbeti që një dokumentacion të kompletohet nga shërbimet tona përkatëse, gjegjësisht Drejtoria e financave, mandej ky është një proces dhe të shihet se ku dhe në çfarë forme mund të intervenohet, po unë nuk kam asnjë arsye të dyshoj në vullnetin e tyre të mirë.

Pavarësisht se kush do të jetë në krye të Qeverisë, unë jam i prirë të besoj se të gjithë këtë universitet e duan dhe askush nuk ka dëshirë që të pësojë nga çfarëdo mase.

RADIO EVROPA E LIRË
Të flasim edhe për cilësinë e Universiteti i Prishtinës, është kritikuar për cilësi të dobët. Studentët jo rrallë herë pas përfundimit të studimeve, janë treguar ta papërgatitur për tregun e punës...

ANTON BERISHAJ

Çështja e nivelit, e mësimit, e kriterit lidhet me faktin që ne, si universitet, jemi tepër i madh dhe ne po bëjmë absorbimin e një fuqie të re, e cila po del nga shkollat e mesme, dhe unë jam i sigurt që një numër i madh i atyre, po të kishin mundësi që të gjejnë punë pas shkollës së mesme, siç ndodh gjithandej botës, nuk do të shkonin të gjithë në universitet. Në një formë, ne po e luajmë edhe rolin e një institucioni jo vetëm arsimor, por edhe social. Është një numër i madh i studentëve krahas një profesori, andaj normalisht edhe cilësia është edhe më e vogël.

Po bëjmë përpjekje maksimale që së paku mësimi të ngrihet në nivel më të lartë, mungesa e arsimtarëve të zvogëlohet, mos të them të eliminohen krejt.

Do të parashohim edhe disa masa, nëse unë eventualisht do ta vazhdoj mandatin, të cilat do të jenë shumë efektive sa i përket vijueshmërisë edhe të arsimtarëve, por edhe të studentëve

Cilësia nuk mund të arrihet, nuk është akt, është një proces. Këtu duhet të investohet, jo vetëm në një drejtim, por në disa drejtime, duhet infrastrukturën ta kemi tjetër fare, të kemi laboratorë, të kemi investime në shkencë, por të tëra këto lidhen me ekonominë, me mundësinë e buxhetit.

Një universitet kaq i madh me një buxhet relativisht të vogël krahasuar me vendet e rajonit, atëherë edhe cilësia mund të jetë e lidhur dhe diktohet nga këta faktorë.

Të bëjmë atë që është e mundur, e çka është e mundur, vijueshmëria, përgatitjet e profesorëve, të synohet rregulli, të respektohen normat, t’i krijohet hapësirë studentit nëse ka mundësi edhe për konsultime, të krijohet një atmosferë që secili individ ta ndiejë veten të rëndësishëm, që mund t’i jepet fjala dhe të zhvillojë debate.

XS
SM
MD
LG