Ndërlidhjet

Temperaturat e larta dhe helmimet


Temperaturat e larta që po mbizotërojnë ditëve të fundit në Kosovë kanë shtuar numrin e pacientëve që kërkojnë ndihmë mjekësore.

Fluksi i atyre që kërkojnë ndihmë më shumë vërehet në Klinikën Pediatrike, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. Fëmijët preken kryesisht nga të vjellat, diarea e helmimet me ushqim.

Kështu thotë drejtori i Klinikës së Pediatrisë, Muharrem Avdiu.

"Vërehet një tendencë e shtimit të numrit të rasteve, sidomos tash në muajin gusht për shkak të temperaturave të larta; vërehen helmimet me ushqim , si dhe barkqitje e të vjella. Muaji korrik ka qenë më i freskët, kurse në këto dy javë kemi pasur shumë raste dhe çdo ditë kemi raste të reja".

"Rekomandimi ynë si mjek është që të lajmërohen te mjeku, sidomos fëmijët me simptoma të dyshimta. Duhet fillohet me trajtim të menjëhershëm, dhe fëmijët duhet t'u nënshtrohen ndonjë diete dhe të vlerësohet disa herë gjendja e sëmundshmërisë", thotë doktor Avdiu.

Shemsedin Dreshaj, drejtor i Klinikës Infektive i ka thënë Radios Evropa e Lirë se çdo vjet në sezonin e verës, kjo klinikë përballet me pacientë që vuajnë nga helmimet në ushqim.

"Në Klinikën Infektive ballafaqohemi me numër të rëndomtë të pacientëve, që kërkojnë ndihmë mjekësore për shkak të helmimeve me ushqim, por ky numër është brenda normales, siç e kemi çdo vjet në sezonat me temperatura të larta".

Edhe Sami Gjoka, kardiolog ka shpjeguar për Radion Evropa e Lirë pasojat e temperaturave të larta në organizmin e njeriut.

"Në ditët e nxehta të verës, kjo dukuri krijon shqetësim te disa pacientë që janë me sëmundje kardiovaskulare. Te ata njerëz temperaturat e nxehta mund të jenë fatale, andaj duhet pasur kujdes. Trupi i njeriut ka një temperaturë deri në 37 gradë Celsius he gjatë verës u ekspozohemi temperaturave edhe me të larta, gjë që organizmi pastaj lufton për ta mbijetuar".

"Gjatë temperaturave të larta procesi i zhvillimit të virusëve dhe baktereve është shumë i madh, dhe vjen deri te helmimet me ushqim. Organizmi nuk mund t'i përballojë një infeksioni të tillë. Andaj jemi të rrezikuar dhe organizmi është i ekspozuar ndaj virusëve dhe e gjithë kjo ndikon në uljen e imunitetit te njeriu, duke shkaktuar edhe çrregullim të sistemit imunitar".

Zyrtarë nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës kanë rekomanduar që fëmijët, njerëzit e moshuar dhe ata me sëmundje kronike, të mos u ekspozohen temeprturave të larta dhe të konsumojnë sa më shumë lëngje.

XS
SM
MD
LG