Ndërlidhjet

SHBA ka të drejtë të shkatërrojë Shtetin Islamik


Presidenti Obama dhe ndihmësit e tij të lartë janë duke përdorur fjalën “shkatërrim” për të përshkruar synimet e Shteteve të Bashkuara në lidhje me forcën fanatike të Lindjes së Mesme, të njohur si Shteti Islamik.

Grupi tashmë ka pushtuar pjesë të mëdha të Irakut dhe Sirisë dhe planfikon të destabilizojë Jordaninë, Arabinë Saudite dhe Kurdistanin, si dhe sulme në Evropë, nëse nuk ndërmarrin gjë Shtetet e Bashkuara, shkruan në editorialin e saj gazeta Washington Post.

Dy amerikanët e vrarë nga militantët e Shtetit Islamik nuk do të jenë të fundit nëse udhëheqësit e grupit vazhdojnë rrugën e tyre.

Kjo ushtri vrasëse terroriste nuk mund as të ndalet, as të menaxhohet nëse presidenti Obama vazhdon të hezitojë, shkruan gazeta.

Washington Post e vlerëson qasjen e matur të Obamës, por thotë se nëse ai është vërtet i interesuar për të mposhtur grupin, gjërat duhet të lëvizin tutje. Së pari, qëllimi – fitorja – duhet të përcaktojë strategjinë, taktikat dhe orarin.

Deri më tani, presidenti Obama ka pasur një tendencë të mjerë për t’i bërë gjërat anasjelltas. Ai ka thënë se vendi i tij është i lodhur nga lufta dhe, në shumë raste, ka përjashtuar shumë mjete, si forcat tokësore, edhe para se dikush t’i kërkonte ato.

Tani, nëse Obama mendon se shkatërrimi i militantëve të Shtetit Islamik është thelbësor për sigurinë e Shteteve të Bashkuara, ai duhet të angazhohet rreth këtij qëllimi, pa marrë parasysh se çfarë strategjie i duhet për ta arritur atë, shkruan Washington Post.

Ai po ashtu duhet të shpjegojë domosdoshmërinë e kësaj për popullin amerikan dhe të fitojë mbështetjen e përfaqësuesve të tij në Kongres.

Zyrtarët e administratës kanë pranuar se mund të duhen vite për të çrrënjosur militantët e Shtetit Islamik nga territoret që kontrollojnë. Ata po ashtu e dinë se qëllimi nuk mund të arrihet pa shpenzime dhe pa rrezik për anëtarët e shërbimit të SHBA-së.

Obama ka thënë se nuk e ka ndërment të urdhërojë ndërhyrje apo pushtim të stilit të Irakut, por ai tashmë ka dërguar mbi 1,000 luftëtarë në Irak, kujton gazeta.

Obama do t’i drejtohet Kongresit dhe kombit të mërkurën. Duke kërkuar mbështetjen e tyre për atë që mund të jetë lufta e parë afatgjate që fillon gjatë mandatit të tij, presidenti duhet të jetë krejtësisht i hapur për rreziqet e mosveprimit, por edhe për koston e mundshme të veprimit.

Vetëm një president i fortë, i mbështetur nga populli dhe përfaqësuesit e informuar, mund ta çojë botën në këtë mision të rëndësishëm, shkruan gazeta Washington Post.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG