Ndërlidhjet

Të amnistohen të miturit e përfshirë në luftëra?


Ilustrim
Ilustrim

Këshilli i Rinisë Evropiane të Kosovës, ka vlerësuar se të rinjtë e Kosovës po vazhdojnë të mashtrohen nga grupe të ndryshme kriminale dhe individ të caktuar brenda dhe jahstë Kosovës, për t’iu bashkuar luftërave në Irak dhe Siri.

Avdullah Hasani, drejtues i këtij këshilli, në një konferencë për media ka theksuar se implikimi i të rinjve në këto luftëra po i sjellin dëme Kosovës dhe sipas tyre, deri më tash më shumë se 22 të rinj nga Kosova, janë vrarë në luftërat në Siri dhe Irak. Ai ka kërkuar kthimin e të rinjve nga këto luftëra, rehabilitimin dhe re-integrimin e tyre në shoqëri.

“Këshilli i Rinisë Evropiane të Kosovës, ka kërkuar përmes kanaleve të ndryshme institucionale dhe kërkon edhe tani, publikisht, nga të rinjtë që janë pjesë e këtyre dy luftërave, në Irak dhe në Siri, që të kthehen në republikën e Kosovës, të vazhdojnë jetën e tyre. Po ashtu, kërkon nga institucionet që atyre, kthimi në atdhe t’iu mundësohet dhe ata të kthehen në jetën e tyre normale në Republikën e Kosovës, si dhe t’iu sigurohet riintegrimi i tyre në Republikën e Kosovës”, tha Hasani.

Hasani ka kërkuar që institucionet e drejtësisë në vend t’i sanksionojnë shkelësit e ligjeve të Republikës së Kosovës, por gjithashtu t’i amnistojë të miturit.

Por, profesori i të drejtës penale, Ismet Salihu, thotë për Radion Evropa e Lirë, se ligjet në Kosovë nuk parashohin amnisti për personat e mitur që kanë kryer vepër penale.

Kjo, sipas tij mund të jetë barrierë edhe për kthimin e atyre që kanë vullnetin të braktisin luftërat jashtë vendit në të cilat janë përfshirë.

“Prej 14 deri në 18 vjet mund të trajtohen, nëse kanë kryer krime, vepra penale. Përndryshe, për gjërat tjera nuk dënohen. Ata nuk mund të kthehen për shakk të frikës që kanë se do të përgjigjen (ndaj ligjit) dhe mund të mbesin atje, gjallë ose të vriten. Këto janë çështje të rregulluara me ligj dhe nuk mund të bëhet asgjë për ata që kanë rrezikuar veten”, u shpreh Salihu.

Në anën tjetër, Hasani ka përmendur edhe dukurinë e marrjes së fëmijëve nga prindërit e tyre në vendet ku po zhvillohen luftërat, në Siri dhe Irak.

Sipas tij, kjo është një formë e kontrabandimit të fëmijëve, që paraqet shkelje të konventës ndërkombëtare për të drejtat e fëmijëve.

“Rasti më i freskët ishte kur një baba e merr fëmijën e tij në luftën në Irak dhe familjarët e tjerë, përkatësisht nëna, ankohet për shkak se nuk është pyetur, por prindi, njëanshëm e ka marrë fëmijën me vete”, tha Hasani.

Edhe në rastet e tilla, sipas profesor Salihut, normat ligjore krijojnë barriera për kthimin e fëmijëve nga zonat e luftës, pavarësisht faktit se fëmijët nuk konsiderohen të përgjegjshëm para ligjit.

Por, sipas tij, prindërit e tyre, të cilët i kanë marrë me vete fëmijët, i frikohen përballjes me ligjin.

“Fëmija nuk ka kurrfarë përgjegjësie. Prindi mund të përgjigjet për këtë, sepse ka rrezikuar jetën dhe shëndetin e fëmijës. Nuk kthehet për shkak të frikës dhe mbetet së bashku me fëmijën atje”, theksoi Salihu.

Ndryshe, Këshilli i Rinisë Evropiane të Kosovës, ka thënë se ka kërkuar edhe zyrtarisht nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe dikasteret e saj, që të mos lejojnë që të miturit ta dalin jashtë territorit të Kosovës, pa autorizim të dyfishtë nga të dy prindërit.

Sipas përfaqësuesve të këtij këshilli, kjo ende nuk është e përcaktuar në mënyrë decidive me normat dhe ligjet e Kosovës, por, një gjë e tillë, siç kanë thënë ata, duhet të ndryshohet, në mënyrë që të ndikohet për tu parandaluar dërgimi i fëmijëve në zona të luftës.

XS
SM
MD
LG