Ndërlidhjet

Kujdesi për dhëmbët te fëmijët


Ilustrim
Ilustrim

Në bazë të hulumtimeve të bëra në Kosovë, del se fëmijët nga mosha 6 deri në 14 vjeç, kanë pesë deri në gjashtë dhëmbë të prishur, thotë drejtuesi i projektit “Dhëmbë të shëndoshë, fëmijë të lumtur”, Xheladin Ujkani.

“Niveli i njohurive nuk është i kënaqshëm, andaj edhe ky projekt është nisur pikërisht për këtë. Gjendja aktuale te grupmoshat e reja nuk është e kënaqshme. Me vlerësimet që i kemi bërë, del se shumica e fëmijëve kanë 5 deri në 6 dhëmbë të prishur”.

“Projekti është i fokusuar në edukim të grupmoshave të reja, në institucione parashkollore, dhe ata prej klasës së parë deri në të pestën. Fokusi është në edukim përmes shfaqjeve, poezive, recitimeve, po ashtu edhe me metoda tjera më të avancuara për promovim të higjienës orale. Projekti realizohet në bashkëpunim dhe monitorim me komitetin ndërministror të shkollave promovuese të shëndetit dhe gjithashtu edhe me Kuvendet Komunale, drejtoritë për arsim, shëndetësi e kulturë”, bën të ditur Ujkani.

Ai thotë se fëmijët duhet gjithashtu të dinë edhe për ushqimet që i konsumojnë, se sa ndikojnë ato në dëmtimin e dhëmbëve:

“Niveli i njohurive nuk është i kënaqshëm, andaj fëmijët qysh të vegjël në moshë, pra nga mosha 2 apo 3 vjeçare duhet të dinë se cilat janë ushqimet e shëndetshme të dhëmbëve dhe cila është mënyra e drejtë e pastrimit të dhëmbëve”.

Ndërkohë, edhe prindërit pohojnë nevojitet më shumë punë dhe vetëdijesim nga ana e prindërve me fëmijët, në mënyrë që fëmijët të kujdesen për shëndetin oral.

Kaltrina Maxhuni, nënë e një djali tre vjeç, konsideron se përveç në familje ku, sipas saj, nuk mungon edukimi i fëmijëve për shëndetin oral, edukim duhet të ketë edhe në shkolla e institucione parashkollore.

“Sa i përket shëndetit oral, mendoj se prindërit duhet të jenë ata, të cilët duhet t’i mësojnë në këtë aspekt fëmijët e tyre. Duhet shumë herët t’i edukojnë për shëndetin oral. Por, mendoj se edhe në shkolla, si dhe në institucione parashkollore, duhet t’i edukojnë. Sa i përket fëmijëve në familjen tonë, ata janë të mësuar qysh nga mosha njëvjeçare se shëndeti oral duhet të mësohet”, shprehet Kaltrina.

Edhe Vjollca Sadiku pohon se jo vetëm prindërit duhet edukuar fëmijët sa i përket shëndetit oral. Ajo thotë se në lëndë mësimore duhet të futet edukimi për shumë çështje, duke përfshirë edhe shëndetin oral.

“Mendoj se është një çështje që bazën duhet ta ketë në parashkollor dhe shkollë. Por, pa dyshim që familja luan një rol të rëndësishëm aty. Secili prind duhet ta mësojë fëmijën e vet që t’i lajë dhëmbët çdo ditë. Sa praktikohet ajo, për një pjesë të vogël në Kosovë mund të them që po, por pjesa tjetër nuk e di. Andaj mendoj se shkolla duhet ta luajë rolin e vet”, thotë Vjollca.

Ndërkaq, stomatologët në vend thonë se fëmijët kryesisht e vizitojnë stomatologun vetëm atëherë kur fillojnë problemet me dhëmbët e qumështit, apo kur u dalin dhëmbët e përhershëm, pra pas moshës 7-vjeçare e tutje.

“Mendoj se niveli i shëndetit oral dhe higjienës orale te fëmijët, nuk është e kënaqshme. Konsideroj se aty përgjegjësinë e kanë prindërit, pasi që fëmijët nuk janë të vetëdijshëm për shëndetin oral. Fëmijët më së shumti vizitojnë stomatologun atëherë kur paraqiten dhëmbët e përhershëm dhe kur kanë probleme me dhëmbët e qumështit, domethënë pas moshës 7-vjeçare e tutje”, thotë stomatologu Ardian Kastrati.

XS
SM
MD
LG