Ndërlidhjet

Nisin sulmet kundër Shtetit Islamik në Siri


Shtetet e Bashkuara dhe disa vende arabe kanë nisur sulmet ajrore kundër militantëve të Shtetit Islamik në Siri, duke zgjeruar fushatën ajrore që fillimisht ka nisur në Irakun fqinj.

Pentagoni ka thënë se aleatët arabë që marrin pjesë në aksion, përfshijnë: Jordaninë, Arabinë Saudite dhe shtetet e Gjirit: Bahrejnin, Katarin dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

Ai ka bërë të ditur se Shtetet e Bashkuara kanë kryer 14 sulme kundër Shtetit Islamik, duke përdorur aeroplanët luftarakë, bombarduesit, avionët e telekomanduar dhe raketat Tomahawk.

Një total prej 47 raketash Tomahawk janë hedhur nga anijet amerikane në Detin e Kuq dhe në Gjirin Arab.

“Sulmet kanë shkatërruar ose dëmtuar disa caqe të Shtetit Islamik, përfshirë luftëtarë, komplekse të trajnimnit, komanda të kontrollit, objekte të magazinimit, një qendër financiare, kamionë të furnizimit dhe automjete të armatosura”, thuhet në deklaratën e Pentagonit.

E njëjta shton se shtetet arabe kanë marrë pjesë ose kanë mbështetur sulmet, por nuk jep detaje të tjera.

Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut, grup monitorues me seli në Britani, ka thënë se sulmet ajrore kanë goditur provincën veriore Raka, kryeqytetin e saj, si dhe provincën lindore Deir el-Zour, e cila kufizohet me Irakun.

Raka është bastioni kryesor i militantëve të Shtetit Islamik.

Rami Abdurrahman, i cili kryesorn Observatorin, ka thënë se i ka konfirmuar informacionet për viktima në mesin e luftëtarëve militantë.

Pentagoni po ashtu ka thënë se tetë sulme të ndara ajrore kanë pasur në shënjestër një grup të ish-operativëve të Al Kaidës, të njohur si Grupi Khorasan, dhe janë kryer në provincën e Alepos.

Aksioni ka pasur për qëllim të parandalojë një sulm të mundshëm kundër Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve perëndimorë nga “veteranët e Al Kaidës”, që kanë krijuar strehë të sigurt në Siri.

Abdurrahman, nga Obseravtori Sirian, ka thënë se 30 luftëtarë nga Fronti Al Nusra, i lidhur me Al Kaidën, dhe tetë civilë, përfshirë fëmijë, janë vrarë në sulmet kundër një caku në provincën Alepo.

Në anën tjetër, NATO-ja ka bërë të ditur se nuk është përfshirë në sulmet e udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara kundër objektivave të Shtetit Islamik në Siri.

Rusia ka thënë se sulmet ajrore shkelin sovranitetin e Sirisë dhe ligjin ndërkombëtar.

Në deklaratën e Ministrisë së Jashtme ruse thuhet se “operacionet e tilla kërkojnë pëlqimin e shprehur në mënyrë të qartë nga Qeveria siriane ose një vendim të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara”.

Ministria e Jashtme e Sirisë, ndërkaq, përmes një deklarate që është lexuar në televizionin shtetëror, ka thënë se Damaskut i është bërë e ditur “disa orë më herët” se Shtetet e Bashkuara dhe disa aleatë të saj do të sulmojnë militantët e Shtetit Islamik në Siri.

Mësohet se ministri i Jashtëm sirian, përmes Irakut, ka marrë një letër nga sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry.

Sulmet në territorin e Sirisë janë pjesë e një fushate të zgjeruar ushtarake, e cila është autorizuar nga presidenti i SHBA-së, Barack Obama, afro dy javë më parë, me qëllim të degradimit dhe shkatërrimit të organizatës militante.

Qysh në fillim të gushtit, Shtetet e Bashkuara kanë kryer rreth 190 sulme ajrore kundër xhihadistëve të Shtetit Islamik në Irak.

SHBA llogarit se rreth dy të tretat e rreth 31,000 militantëve të Shtetit Islamik ndodhen në Siri.

Militantët kanë pushtuar sipërfaqe të mëdha të territorit që shtrihet nga Siria në veri dhe perëndim të Irakut.

Ata po ashtu kanë vrarë mijëra njerëz, si dhe u kanë prerë kokën disa shtetasve perëndimorë, përfshirë dy gazetarë amerikanë dhe një punëtor britanik të ndihmës.

Avancimi i Shtetit Islamik në veri të Sirisë ka krijuar krizë refugjatësh edhe në Turqinë fqinje, me mbi 130,000 refugjatë kurdë që kanë kaluar kufirin vetëm gjatë fundjavës.

Shumica e refugjatëve janë nga Kobane, qytet sirian pranë kufirit me Turqinë, i cili është nën rrethimin e militantëve të Shtetit Islamik.

Agjencia për Refugjatë e Kombeve të Bashkuara ka thënë se është duke bërë plane rezervë për t’u marrë me 400,000 banorët e mbetur në Kobane, që pritet të largohen për në Turqi.

Para fluksit të fundit, në Turqi veçmë janë ndodhur mbi një milion refugjatë sirianë.(v.tela)

XS
SM
MD
LG