Ndërlidhjet

Kosova me standardin më të ulët jetësor në rajon


Bazuar në të dhënat e Bankës Botërore të cilat janë përditësuara në shtator të këtij viti, del se Kosova në krahasim me vendet e rajonit, Bruto Produktin Vendor për kokë banori e ka më të ulëtin.

Bruto produkti vendor për kokë banori në vendet e rajonit dhe në Kosovë është:

Kroacia - 13,529 dollarë amerikanë

Mali i Zi - 7,125 dollarë amerikanë

Serbia - 5,935 dollarë amerikanë

Maqedonia - 4,850 dollarë amerikanë

Shqipëria - 4,652 dollarë amerikanë

Kosova - 3,815 dollarë amerikanë

Bruto Produkti Vendor është treguesi kryesor dhe më i rëndësishëm makroekonomik në Sistemin e Llogarive Kombëtare, i cili paraqet rezultatet finale të prodhimit në të gjitha aktivitetet e njësive prodhuese rezidente.

Eksperti i çështjeve ekonomike, Naim Gashi në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thotë se Kosova nuk qëndron keq krahasuar me vendet e rajonit, sa i përket vlerës së BPV-së për kokë banori.

Megjithatë, sipas Gashit, nëse shikohen si të tilla këto të ardhura kombëtare për kokë banori nuk janë të ulëta, mirëpo duke pasur parasysh se koncentrimi i kapitalit është vetëm në duar e disa pronarëve, atëherë kjo vlerë e BPV-së mbetet e ulët.

“Shikuar këto statistika atëherë Kosova nuk qëndron keq, se nëse pjesëtojmë 365 ditë me 3,815 dollarë atëherë nuk jemi keq, mirëpo këtu eksiton një shpërputhje e madhe në mes atyre që posedojnë një shumë të madhe të kapitalit, do të thotë kapitali në Kosovë është i koncentruar në shumë pak banor dhe shumica e banorëve kanë një standard të ulët të jetesës, i cili është nën minimumin e përcaktuar nga institucionet financiare ndërkombëtare”, sqaron Gashi.

Ai shton se nëse një banor i Kosovës ka më pak se dy dollarë për një ditë do të thotë ajo konsiderohet varfëri ekstreme, e cila në Kosovë është në rritje.

Sipas të dhënave të Bankës Botërore, varfëria në Kosovë është 29.7 për qind, derisa varfëria ekstreme 10 për qind.

Varfëria ekstreme, sipas Bankës Botërore, përkufizohet si jetesa me më pak se 2.5 dollarë në ditë.

Në anën tjetër, Ibrahim Rexhepi drejtor ekzekutiv i Qendrës Strategjike dhe Sociale “STRAS” , thekson se të dhënat e fundit të BPV-së për kokë banori janë të kënaqshme, por që gjithsesi se mbetet e ulët.

Sipas tij, jo secili qytetarë i Kosovës ka këtë standard apo këto të ardhura.

“Vetë fakti, kur kemi parasysh edhe shifrat e BPV-së në vendet e tjera të rajonit dhe pavarësisht rritjes që ka pasur vendi , ne ende mbesim vend i varfër krahasuar me vendet e rajonit e mos të flasim sa larg qëndrojmë nëse bëjmë një krahasim më vendet e rajonit”, thekson Rexhepi.

Ndërkohë të dhënat e fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës tregojnë se Bruto Produkti Vendor ka arritur në 5 miliardë e 326 milionë euro, gjë e cila që nga viti 2008 ka shënuar rritje.

Megjithatë, mosfunksionimi i institucioneve të reja Kosovës të dala nga zgjedhjet e 8 qershorit, sipas ekspertit të ekonomisë Naim Gashi do të reflektojnë negativisht edhe në Bruto Produkti Vendor.

“Nëse ne kemi frenim të investimeve, frenim të konsumit, frenim të të hyrave të shtetit brenda një viti, në vitet e ardhshme do të kemi refleksione negative makroekonomike të cilat do të ndikojnë negativisht jo vetëm në BPV për kokë banori, por edhe në uljen e standardit të jetësor të popullatës, në zvogëlimin e vendeve të punës dhe në thellimin në bilancit negativ tregtarë me botën e jashtme”, shton Gashi.

XS
SM
MD
LG