Ndërlidhjet

A mund të shkëputet Rusia nga interneti?


Pas kryesimit të një takimi të Këshillit të Sigurisë, presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka thënë se Kremlini nuk planifikon të kufizojë qasjen në internet apo ta vë atë nën kontrollin e plotë shtetëror.

Autoritetet, megjithatë, do të marrin masa shtesë për të rritur sigurinë kibernetike dhe do të vazhdojnë të mbyllin faqet që promovojnë ekstremizmin, ksenofobinë, terrorizmin dhe pornografinë për fëmijët.

Putin i ka bërë komentet pas spekulimeve të gjera për kufizime të mundshme, e madje edhe për shkyçjen e Rusisë nga interneti. Kjo, në kohën e tensioneve në rritje me Perëndimin, në lidhje me konfliktin në Ukrainë.

Por, pavarësisht synimeve të Moskës, sa do të ishte e lehtë për Rusinë apo çdo vend tjetër që të shkyçet nga interneti?

Egjipti ka ndërprerë internetin në vend për pesë ditë, gjatë protestave të Pranverës Arabe më 2011.

Interneti në Siri është ndërprerë tri herë në vitin 2011. Nepali dhe Birmania janë shkyçur po ashtu për kohë të shkurtër, ndërsa Kina e ka ndërprerë atë në rajonin e Ksinjiangut gjatë trazirave të 2009-s.

E, sa është e lehtë shkyçja, varet nga numri i ofruesve të brendshëm të internetit, që kanë blerë lidhjen nga një ofrues tjetër jashtë vendit, thotë Jim Cowie nga kompania e performancës së internetit Dyn, me seli në SHBA.

Sa më shumë ofrues të tillë e bëjnë më të vështirë për qeverinë që ta shkyçë vendin nga interneti.

“Ka një efekt mbrojtës, sepse secila nga ta paraqet diçka që duhet fikur, në mënyrë që vendi të çkyçet plotësisht nga interneti”, thotë Cowie.

Egjipti ka më pak se 10 lidhje të tilla, ndërsa Siria ka vetëm dy. Kjo e bën më të lehtë për qeveritë përkatëse që të shkyçen nga interneti.

Por, Rusia nuk është si këto dy vende me mungesë të lidhjeve me botën e jashtme. Atje janë mbi 300 kompani që kanë blerë lidhjet nga jashtë vendit, thotë Cowie.

Qeveria ruse duhet t’i detyrojë të gjithë këta ofrues që të mbyllen, për të shkyçur vendin plotësisht nga interneti. Kjo mund të bëhet, por do të kërkonte kohë shumë të gjatë dhe punë intensive.

Një alternativë për të shkyçur internetin është edhe duke filtruar përmbajtjen.

Rusia tashmë ka bllokuar disa faqe të opozitës dhe ka miratuar ligjin që kërkon regjistrim për disa blogerë.

Moska po ashtu ka thënë se kompanitë e huaja të internetit duhet të jenë në përputhje me ligjet e saj.

Rregullatori i mediave në Rusi, Roskomnadzor, ka dërguar këtë kërkesë edhe te Facebook, Twitter dhe Google.

Por, cilat janë mënyrat e përdoruesve që të gjejnë internet në rast të shkyçjes së vendit?

Ekspertët thonë se ata mund të lidhen me smartfonë përmes sistemit 3G, nëse transportuesit mobilë janë ende funksionalë, ndërsa ofruesit e shërbimeve të internetit janë mbyllur.

Lidhja me internet jashtë vendit mund të jetë po ashtu opsion për ata që kanë lidhje telefonike ndërkombëtare, edhe pse me shpejtësi shumë të vogël dhe me çmim shumë të lartë.

Ofruesit evropianë të internetit me telefona tokësorë kanë ofruar shërbimet e tyre për egjiptianët në vitin 2011, kur interneti i tyre është bllokuar.(v.tela)

XS
SM
MD
LG