Ndërlidhjet

Dënim i fuqishëm i vrasjes së britanikut nga Shteti Islamik


Alan Henning
Alan Henning

Kryeministri britanik, David Cameron, e ka dënuar fuqishëm vrasjen e punëtorit humanitar, Alan Henning, duke thënë se ajo tregon se sa “barbarë dhe të neveritshëm” janë militantët e Shtetit Islamik (IS).

“Vrasja e Alan Henningut është absolutisht e neveritshme, e pakuptimtë, dhe është krejtësisht e pafalshme. Secili që ka pasur ndonjë dyshim për këtë organizatë, tash mund ta shohë se sa e neveritshme dhe sa barbare është kjo organizatë”, tha David Cameron.

Ai, më tutje, theksoi se Britania do të bëjë çdo gjë të mundshme “për t’i zënë këta vrasës dhe për t’i dërguar para drejtësisë”.

“Si vend, ne do të bëjmë çdo gjë të mundshme me aleatët tanë, për t’i shkaktuar disfatë kësaj organizate në rajon, por po ashtu, për t’i shkaktuar asaj disfatë edhe në shtëpi. Ne duhet të bëjmë çdo gjë për t’i zënë dhe për t’i gjetur njerëzit përgjegjës për këtë”, tha kryeministri britanik.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, nëpërmjet një kumtese, tha se Amerika e dënon fuqishëm “vrasjen brutale” të britanikut, Alan Henning.

Obama ka theksuar se Henning kishte punuar për ta përmirësuar jetën e popullit në Siri dhe se vrasja e tij është edhe humbje për ta, për familjen e tij dhe për Britaninë.

Më tutje, presidenti amerikan, Barack Obama, tha se së bashku me Britaninë dhe aleatët e tjerë, Shtetet e Bashkuara do të punojnë për t’i hedhur para drejtësisë ata që janë përgjegjës për vrasjen e britanikut.

Lisa Monaco, këshilltare për siguri të brendshme e presidentit Obama, u tha gazetarëve se vrasja e britanikut Henning, është edhe një rast i brutalitetit të militantëve të Shtetit Islamik.

“Ky është edhe një shembull i qartë i brutalitetit të këtij grupi dhe përse presidenti është shprehur dhe ka lëvizur në mënyrë gjithëpërfshirëse për ta degraduar dhe shkatërruar ISIL-in”, u tha gazetarëve në Uashington, Lisa Monaco.

Presidenti i Francës, Francois Hollande, është shprehur i tmerruar me këtë vrasje, duke u përkushtuar për ndihmë në gjetjen dhe sjelljen e autorëve të vrasjes para drejtësisë.

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara “e ka dënuar fuqishëm vrasjen e neveritshme dhe qyqare”.

“Anëtarët e Këshillit të Sigurimit, fuqishëm e dënuan vrasjen e neveritshme dhe qyqare të Alan Henningut, punëtor vullnetar humanitar britanik, nga organizata militante Shteti Islamik”, u tha mbrëmë gazetarëve Maria Cristina Perceval, ambasadore e Argjentinës në Kombet e Bashkuara, e cila e kryeson Këshillin e Sigurimit gjatë muajit tetor.

Një video e publikuar mbrëmë në Internet e tregon një grup të militantëve të Shtetit Islamik duke e vrarë me prerje koke të rrëmbyerin britanik, Alan Henning, 47 vjeçar.

Grupi militant, Shteti Islamik, më parë i ka publikuar edhe videot në të cilat është parë vrasja me prerje koke e dy gazetarëve amerikanë, James Foley dhe Steven Sotloff, dhe e shtetasit britanik, David Haines.

I ndjeri Henning, që ishte shofer dhe punëtor vullnetar humanitar, ishte zënë në Siri më 26 dhjetor të vitit të kaluar, pak kohë pasi e kishte kaluar kufirin nga Turqia.

Kjo video, që ishte e ngjashme me videot e mëparshme ku janë paraqitur vrasjet me prerje koke të të rrëmbyerve të tjerë nga militantët e Shtetit Islamik, përfundon me kërcënimin e një militanti të maskuar për vrasjen e një të rrëmbyeri, të cilin personi i maskuar e identifikoi si amerikan me emrin Peter Kassig.

Me këtë rast ky militant iu drejtua presidentit Obama, duke thënë se meqë “ju i keni filluar bombardimet ajrore të Sirisë, që janë sulme kundër popullit tonë, prandaj është e drejtë e jona që ne ta sulmojnë njeriun e ardhshëm të juaj”.

Këshilli i Sigurisë Kombëtare i Shteteve të Bashkuara, tha se po i shfrytëzon të gjitha mjetet për sjelljen në shtëpi të Kassigit, ish-ushtar.

Familja e tij ka thënë se pasi ishte larguar nga ushtria, Peter Kassig, ishte bërë vullnetar për ndihma humanitare. (f. bujupi)

XS
SM
MD
LG