Ndërlidhjet

Dilema e Turqisë në Siri


Militantët e Shtetit Islamik kërcënojnë të pushtojnë qytetin sirian të Kobanit, të banuar me shumicë kurde. Ankaraja është zotuar se do ta mbrojë, por kur bëhet fjalë për mbështetjen e fjalëve të saj me veprime ushtarake, ajo ka dilema.

Nëse vepron, Turqia rrezikon të zemërojë ekstremistët e Shtetit Islamik dhe të futet në luftë. Nëse nuk ndërhyn, ajo po ashtu rrezikon të ndezë tensionet me kurdët turq dhe të prishë paqen e sapolindur me Partinë e Punëtorëve të Kurdistanit – grup ky militant.

Nëse Turqia ndërmerr aksione kundër militantëve të Shtetit Islamik në Kobani, qoftë me pushtim tokësor ose me bombardime nga ajri, ajo mund ta bëjë veten e saj shënjestër të xhihadistëve.

Ekspertët shkojnë aq larg dhe thonë se Shteti Islamik paraqet kërcënim ekzistencial për Turqinë, marrë parasysh ambiciet territoriale të grupit për krijimin e kalifatit islamik, i cili përfshin gjithë botën myslimane.

Gareth Jenkins, ekspert për Turqinë me seli në Stamboll, thotë se ndërhyrja e Ankarasë në Siri do të rriste gjasat e sulmeve terroriste brenda Turqisë.

“Do të rriten kërcënimet për sulme terroriste brenda Turqisë nga Shteti Islamik ose nga simpatizantët e tij. Shteti Islamik tashmë e ka përshkruar publikisht Turqinë si një regjim ‘femohues’, çfarë e bën atë shënjestër të ligjshme për islamistët e linjës së fortë”, thotë Jenkins.

Ai po ashtu thotë se nëse Turqia kthen armët kah Shteti Islamik – që është armiku më i ashpër i presidentit sirian, Bashar al-Assad – ajo rrezikon të humbasë kredibilitetin e saj në rajon.

Ankaraja, e cila, sipas Jenkinsit, e ka promovuar veten si superfuqi rajonale, ka kërkuar në mënyrë aktive ndryshimin e regjimit në Siri dhe ka qenë në mesin e mbështetësve më të flaktë të sulmeve ajrore kundër regjimit të Assadit.

Duke marrë në konsideratë interesat e saj në politikën e jashtme, Ankaraja i ka bërë disa kërkesa Perëndimit, para se forcat turke të futen në luftë.

Teksa ka folur para refugjatëve sirianë, presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, ka thënë se ka kërkuar tri gjëra: të krijohet zona e ndalim fluturimit, të shpallet një zonë e sigurisë paralele me rajonin, si dhe të trajnohet dhe pajiset opozita e moderuar në Siri dhe Irak.

Nëse këto kërkesa plotësohen, kredibiliteti i Ankarasë do të mbetet i paprekur.

Nëse Turqia futet ushtarakisht kundër njërit prej armiqve më të frikshëm të Assadit, atëherë e gjithë baza e politikës së saj të jashtme, gjatë disa viteve të fundit, do të vihet në pikëpyetje”, thotë Jenkins.

Por, nëse Turqia nuk ndërmerr aksione kundër Shtetit Islamik në Kobani, ajo rrezikon tensione me kurdët e margjinalizuar të vendit. Ato tashmë kanë nisur, me proresta të kurdëve në Turqi dhe në Evropë.

Aaron Stein, nga Institui i Shërbimeve të Bashkuara, me seli në Britani, thotë se Kobani është një pikë e nxehtë për kurdët.

Kurdët janë të zemëruar me vendimin e partisë në pushtet në Turqi për të mbajtur një politikë të kufirit të hapur, për të cilën mendojnë se ka qenë pjesë e një strategjie më të gjerë nga ana e Ankarasë, për të mbështetur Shtetin Islamik kundër kurdëve”, thotë Stein.

Jenkins po ashtu thotë se zemërimi i kurdëve me mosveprimin e Turqisë do të marrë kohë të gjatë derisa të largohet. Sipas tij, vendimi i Ankarasë për të mos lejuar kurdët nga Turqia që të kalojnë kufirin dhe të luftojnë, ka armiqësuar edhe më shumë pakicën etnike.

Javën e kaluar, Abdullah Ocalan, lideri i burgosur i Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit, ka thënë se një masakër e kurdëve në Kobani do të prishte paqen me Ankaranë, e cila së voni i ka dhënë fund kryengritjes 30-vjeçare të grupit për më shumë autonomi brenda Turqisë.

Stein thotë se përçarjet midis Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit dhe Ankarasë janë duke u zgjeruar, derisa luftimet në Kobani vazhdojnë.

Unë shoh një lidhje direkte midis luftimeve dhe problemeve me procesin e paqes. Procesi i paqes nuk mund të vazhdojë nëse Abdullah Ocalan e ndjen të nevojshme për t’i dhënë fund atij”, thotë Stein.

Ekspertët po ashtu paralajmërojnë se mosveprimi i Turqisë mund të rrezikojë marrëdhëniet e saj me qeverinë rajonale kurde në Irak. Rajoni autonom është bërë partneri kryesor tregtar i Ankarasë dhe aleat i saj në rajon.

Dhe, përveç presionit të brendshëm, Turqia po përballet me presion në rritje edhe nga komuniteti ndërkombëtar, për të vepruar në Kobani. Duke mos vepruar, Jenkins thotë se Ankaraja tashmë ka humbur një sasi të madhe të kredibilitetit ndërkombëtar.(v.tela)

XS
SM
MD
LG