Ndërlidhjet

Përkeqësimi i krizës nga Ebola


Liberi...
Liberi...

Ditët e fundit kanë sjellë dy zhvillime alarmante në luftën kundër Ebolës, shkruan New York Times.

Fushata kundër epidemisë në Afrikën Perëndimore, si mënyra e vetme për të parandaluar përhapjen e virusit në Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera, ka dështuar. Dhe, zbulimi se një infermiere, e cila ka trajtuar një pacient me Ebola në Dallas, është infektuar edhe vetë, ngre dyshime për gatishmërinë e spitaleve amerikane për të trajtuar pacientët me Ebola, shkruan gazeta.

Sipas saj, deklaratat e zyrtarëve shëndetësorë se çdo spital ka një njësi të izolimit për të trajtuar pacientë të tillë, nuk shihen më me optimizëm.

Deri më tash, rreziku më i madh qëndron te mundësia shumë reale që virusi të vazhdojë të dalë nga kontrolli në Guine, Liberi dhe Siera Leone, dhe nga atje të përhapet në pjesë të tjera të Afrikës apo në kontinente të tjera, duke hapur edhe një gamë të gjerë të rrugëve për njerëzit e infektuar që të arrijnë në Shtetet e Bashkuara.

New York Times kujton se shumë vende dhe organizata ndërkombëtare, të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara, kanë premtuar para, pajisje dhe fuqi punëtore për të luftuar epideminë në Afrikën Perëndimore. Por, ndihma ka arritur ngadalë te vija e frontit, duke i lënë punëtorët shëndetësorë me shumë pak shtretër për të akomoduar të sëmurët, shkruan gazeta.

Në Siera Leone, zyrtarët shëndetësorë kanë miratuar një politikë të re të trajtimit të pacientëve në shtëpitë e tyre, duke shpërndarë barna kundër dhimbjeve dhe dorëza te qindra familje.

Por, nëse një infermiere në Dallas, e veshur me veshje mbrojtëse, nuk ka mundur t’i shpëtojë infektimit, është vështirë të besohet se familjarët më pak të mbrojtur në Siera Leone do t’i ikin infektimit nga një pacient me Ebola në mesin e tyre, shkruan New York Times.

Gazeta thekson se ritmi i ndihmës ndërkombëtare duhet të përshpejtohet në mënyrë dramatike. Kjo nuk është detyrë që mund t’iu lihet organizatave joqeveritare, të tilla si Mjekët pa Kufij, të cilët kanë bërë shumë, nëse jo më së shumti, për vendet e goditura.

Shtetet e Bashkuara kanë marrë rolin udhëheqës në ofrimin e ndihmës në Liberi, një vend me lidhje të gjata me SHBA-në.

Ushtria ka nisur të vendosë mijëra trupa në zonë, për të ndihmuar ndërtimin e qendrave të reja të trajtimit, kryerjen e analizave laboratorike dhe trajnimin e punëtorëve të kujdesit shëndetësor, por shumica e kësaj ndihme nuk është realizuar ende.

Obligimi i Shteteve të Bashkuara është më i madh se kaq, shkruan gazeta. Presidenti Obama duhet personalisht të rrisë urgjencën e përgjigjes së SHBA-së dhe nivelin dhe shpejtësinë e burimeve të ofruara, shkruan gazeta amerikane New York Times.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG