Ndërlidhjet

Nuk ka Ebola në Kosovë


Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik në Kosovë ka konfirmuar të premten se nuk ka virus Ebola në Kosovë.

Drejtori i këtij Instituti, Naser Ramadani, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, se rasti i paraqitur të enjten mbrëma, në një qendër të mjekësisë familjare në Prishtinë, nuk ka Ebola.

"Një pacient me vjellje, pa temperaturë, është paraqitur në Klinikën Infektive në QKUK mbrëmë, pasi ka shkuar për t'u trajtuar në qendrën e mjekësisë familjare në Dardani; prej aty ka rrjedhë një thashetheme se pacienti është i dyshimtë me Ebola. Ai është kthyer nga Arabia Saudite dhe nuk ka asnjë shenjë për t'u dyshuar se ka Ebola", thotë Ramadani.

"Personi vjen në kontroll te ne rregullisht, pasi që është në observim; ai dhe 863 persona të tjerë janë nën observim, pra të gjithë që janë kthyer nga Arabia Saudite. Ata janë persona të shëndetshëm", shton Ramadani.

Edhe Izet Sadiku, infektolog në Klinikën Infektive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, thotë se pacienti i paraqitur në këtë klinikë nuk ka pasur shenja të sëmundjes, siç është temperatura.

"Ka filluar lajmërimi i personave në klinikën infektive, që kanë qenë në shërbimet e Haxhit në Mekë, dhe janë lajmëruar në kontrollime rutinë, për shkak të rrezikut me virusin Ebola. Ata nuk kanë pasur shenja. Vetëm njëri nga ta që ka ardhur në orët e pasdites, ka pasur disa simptoma, por nuk ka pranuar të rrijë në spital. Por ai nuk ka pasur temperaturë kur është lajmëruar në klinikën infektive, e që është simptoma kyçe", thekson Sadiku.

Ndryshe, nga Instituti Kombëtar thonë se tashmë janë në gjendje gatishmërie 24 orë në rast të paraqitjes së sëmundjes.

Sipas tyre, janë bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për virusin Ebola. Këto përgatitje janë bërë në bashkëpunim më të gjitha institucionet relevante, si Ministria e Shëndetësisë dhe shërbimi spitalor klinik universitar.

Në pelegrinazh, në Mekë të Arabisë Saudite, përpos 863 kosovarëve, ishin të pranishëm edhe mijëra myslimanë nga Afrika Perëndimore, aty ku në fillim të vitit shpërtheu virusi Ebola.

Edhe zyrtarë të Organizatës Botërore të Shëndetësisë me zyrë në Kosovë patën deklaruar për Radion Evropa e Lirë se duke pasur parasysh që Kosova çdo vit përballet me ethet hemorragjike, kuadri shëndetësor është i njoftuar me procedurat e kontrollit të infeksionit në kuadër të institucioneve shëndetësore.

Që prej shpërthimit të këtij virusi në fillim të këtij viti, numri i të vdekurve ka tejkaluar shifrën prej 4,500, kurse numri i të infektuarve vazhdon të rritet.

Virusi bartet gjatë kontaktit me lëngje trupore nga i infektuari, ndërkaq simptomat janë temperatura e lartë, vjellja dhe ethet.

XS
SM
MD
LG