Ndërlidhjet

Funksionalizimi i veriut, peng i politikës


Komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, nuk kanë arritur të bëhen funksionale për shkak të mungesës së vullnetit politik, vlerësojnë përfaqësuesit e serbëve, por edhe të shqiptarëve në veri të Kosovës.

Por, për këtë mungesë të vullnetit politik, përfaqësuesit e serbëve i akuzojnë institucionet qendrore të Kosovës, ndërkohë që përfaqësuesit e shqiptarëve që jetojnë në veriun e Kosovës, i akuzojnë strukturat udhëheqëse të komunave në veri.

Aleksandar Jabllanoviq, drejtues i Listës Serbe, anëtarë të së cilës janë kryetarët e 4 komunave në veri, thotë për Radion Evropa e Lirë se mosnjohja e situatës në veri të Kosovës nga ana e autoriteteve në Prishtinë, ka sjellë deri te situata që komunat veriore të mos bëhen funksionale plotësisht dhe ato nuk mund t’iu përgjigjen nevojave reale të qytetarëve që jetojnë në hapësirat e këtyre komunave.

“Ne kemi probleme lidhur me miratimin buxhetit, ku Prishtina nuk po e kupton nevojën që në 3 apo 4 vjetët e ardhshëm, të ndahen mjete të veçanta për veriun dhe në këtë mënyrë të zëvendësohet një periudhë e mos investimit në hapësirën e veriut të Kosovës. Do të thotë, nuk ekziston ndonjë shprehje e vullnetit të veçantë nga ana e qeverisë në Prishtinë që komunat në veri të Kosovës të konstituohen dhe të bëhen funksionale sikurse të gjitha komunat tjera në Kosovë”, theksoi Jabllanoviq.

Por, ndryshe e sheh situatën Emir Azemi, zëvendës-kryesues i Kuvendit komunal të Mitrovicës veriore.

Duke folur për Radion Evropa e Lirë, ai thotë se pas zgjedhjeve lokale të vitit 2013, në 4 komunat e veriut të Kosovës, organet komunale janë formuar në aspektin formal, por në aspektin praktik ende nuk ka funksionalizim të këtyre 4 komunave.

”Për një kohë të gjatë, afër 8 muaj, ende nuk kemi objekt tonin ku mund të shkojmë. I kemi disa zyre të përkohshme, të cilat na janë dhënë nga shefja e zyrës administrative. Por, në tërësi, mund të them se tranzicioni është duke shkuar shumë ngadalë. Të katër komunat veriore, në përgjithësi, janë duke ngecur në integrim në institucionet e Republikës së Kosovës. Njëkohësisht, vullneti politik i kryetarëve (të komunave të veriut), siç duket, nuk është në nivelin e duhur për t’i integruar (komunat) plotësisht në sistemin juridik dhe kushtetues të vendit”, tha Azemi.

Në anën tjetër, Jablanoviq thekson se vullneti i serbëve për funksionalizimin e komunave është treguar me zgjedhjet lokale të 3 nëntorit 2013, si dhe me zgjedhjet parlamentare, të mbajtura sivjet me 8 qershor.

Vullneti politik, sipas tij nuk mungon as sot. Por, siç thotë ai, do të duhet një presion mbi institucionet qendrore të vendit nga ana e Listës Serbe, si faktor politik në Kuvendin e Kosovës, si dhe nga faktori ndërkombëtar, në mënyrë që të respektohet të gjitha obligimet, të cilat Qeveria e Kosovës i ka marrë mbi vete kur i ka shpallur zgjedhjet edhe në veri të vendit.

Sfidat e ardhshme për funksionalizimin e komunave, thotë Jabllanoviq, kanë të bëjnë me listën e pagave për shëndetësinë dhe arsimin, të cilat sipas tij, duke u bazuar në marrëveshjen e Brukselit, nuk do të pranohet që të jenë nën kompetencat e institucioneve të Kosovës, por të Serbisë.

Pala nga Prishtina dëshiron që pjesën më të madhe të investimeve ta dedikoj për shëndetësinë dhe arsimin, duke qenë të vetëdijshëm që ne ato mjete nuk do t’i shfrytëzonim. Në këtë mënyrë, në fund të vitit, ato para do t’i ktheheshin buxhetit të Kosovës, si suficit apo si mjete që komunat nuk i kanë shpenzuar. Ndërkaq, komunat do të karakterizoheshin si të paafta për përdorimin e mjeteve buxhetore, të cilat u janë dedikuar”, tha Jabllanoviq.

Ai ka shtuar se komunat veriore dëshirojnë që mjetet e tilla të dedikohen për projektet që janë në interes të qytetarëve të këtyre komunave dhe projektet e tilla, sipas tij, janë përshkruar me detaje, në buxhetet të cilat i kanë miratuar komunat veriore të Kosovës.

Ndryshe, Azemi ka theksuar se për shkak të mungesës së vullnetit politik nga ana e përfaqësuesve të serbëve në katër komunat veriore, do të nevojitet kohë për integrimin e tërësishëm të këtyre komunave në sistemin juridik dhe kushtetues të Kosovës.

XS
SM
MD
LG