Ndërlidhjet

Thirrje për mbrojtje juridike për viktimat e krimit


“Java për të Drejtat e Viktimave të Krimit”.
“Java për të Drejtat e Viktimave të Krimit”.

Përkrahja e të drejtave të viktimave të krimit është mision dhe vlerë, e cila duhet të zbatohet në përpikmëri nga të gjitha institucionet kompetente.

Kështu deklaruan të hënën përfaqësues të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare në Prishtinë, me rastin e fillimit të “Javës për të Drejtat e Viktimave të Krimit”.

Ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Sylë Hoxha, tha se kryeprokuroria ka krijuar infrastrukturë ligjore dhe ka shtuar resurset njerëzore, me qëllim që viktimat e krimit të trajtohen me dinjitet dhe respektin që meritojnë.

“Duke mësuar nga lëshimet në të kaluarën, këshilli prokurorial i Kosovës ka marrë vendim për caktimin e koordinatorëve në çdo prokurori themelore nga radhët e prokurorëve, të cilët do të ndjekin trajnime dhe do të specializohen me qëllim të shqyrtimit të rasteve të viktimave të krimit, veçanërisht të rasteve të dhunës në familje, si raste me të shpeshta në shoqërinë tonë”, tha Hoxha.

Për parandalimin e krimit u tha se nuk mjafton të punojnë vetëm prokuroria, gjyqësia dhe policia.

Në ketë çështje u tha nga të pranishmit se duhet të angazhohen të gjitha institucionet, duke përmendur edhe shkollat, mediat dhe familjet.

Duke folur në ketë ceremoni të fillimit të shënimit të “Javës për të Drejtat e Viktimave të Krimit”, ambasadorja amerikane në Kosovë Tracey Ann Jacobson tha se është shumë e rëndësishme që të ketë sundim të ligjit, në mënyrë që të parandalohet krimi.

Ajo vlerësoi se institucionet e Kosovës, kanë punuar në ketë drejtim, por ende ka shumë punë për t'u bërë.

“Natyrisht që ka edhe shumë gjera për tu bërë. Shtete e Bashkuara mbesin të përkushtuara që të punojnë me Kosovën si edhe në shtete e tjera në rajon përfshirë edhe legjislacionin për të drejtat e viktimave, por për të bërë ketë na duhet kuvendi në duhet qeveria", tha Jacobson.

Edhe kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Enver Peci ka theksuar se i gjithë legjislacioni vendor dhe ndërkombëtar janë të orientuar në drejtim të forcimit të të drejtave të viktimave krimit apo të dëmtuarit.

Ai tha se në drejtim të luftës efikase kundër kriminalitetit, veç gjykimit dhe dënimit të kryesit, është e domosdoshme që edhe viktimës t’i ofrohet ndihmë adekuate.

“Në Kosovë dhe në disa vende të tjera mbetet shumë aktuale nevoja për nxjerrjen e normave juridike nga kjo fushë, me qellim të garantimit se viktima e krimit të ketë mbrojtje juridike adekuate. Është e nevojshme që t’i qasemi në mënyrë më konkrete rasteve të tilla”, tha Peci.

Ndryshe, me qëllim të sensibilizimit të opinionit publik për domosdoshmërinë e trajtimit sa më dinjitoz për të drejtat e viktimave të krimit, Zyra e Kyeprokurorit të Shtetit në bashkëpunim me Ambasadën e SHBA-ve në Kosovë, kanë organizuar Javën për të Drejtat e Viktimave të Krimit”.

Motoja e kësaj konference është një javë vetëdijesim 365 ditë shërbim.

"Java për të Drejtat e Viktimave të Krimit”, për herë të parë është organizuar në vitin 2010.

XS
SM
MD
LG