Ndërlidhjet

Protestë kundër kërcënimeve ndaj gazetarëve


Protestë kundër dhunës ndaj gazetarëve
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:20 0:00

Protestë kundër dhunës ndaj gazetarëve

Për shkak të kërcënimeve të shpeshta të gazetarëve në Kosovë, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, ka mbajtur një protestë në Prishtinë ku është kërkuar që të ketë mbrojtje dhe respektim më të madh të gazetarëve.

Kjo protestë u organizua pasi të hënën në vendin e punës një person ka sulmuar me thikë gazetarin Milot Hasimja, duke i shkaktuar katër plagë në kokë dhe qafë.

Kryetari i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Zekirja Shabani para gazetareve tha se rasti i djeshëm i gazetarit të “Klan Kosova”, tregon se sa e brishtë është siguria e gazetarëve në Kosovë. Ai tha po ashtu se gjatë këtij viti numri i kërcënimeve ndaj gazetarëve ka shkuar në 21.

“Brenda këtyre gjashtë muajve në kemi pranuar dhjetëra raste kërcënime shantazhe dhe pengesa në punë që u janë bërë kolegëve tanë gazetar. Gazetarët çdo ditë po thyhen sulmohen dhe maltretohen, madje edhe sulmuesit marrin guximin dhe në vendet e punës i kërcënojnë dhe i sulmojnë gazetarët. Është tmerruese që për mungesë të mbrojtjes se garantuar me ligj, gazetari sulmohet në vendin e punës”, tha Shabani.

Ai poashtu u ka bërë thirrje autoriteteve të rendit dhe atyre të drejtësisë që rastet e kërcënimeve ndaj gazetarëve të trajtohen deri ne fund dhe me shpejtësi.

“U bëjmë thirrje agjencive për zbatimin e ligjit dhe gjyqësorit që në mënyrë të hollësishme t’i hetoj këto kërcënime dhe kërcënimet e tjera ndaj gazetarëve dhe të siguroj se ata që shkelin lirinë e shprehjes do të mbahen përgjegjës për veprimet e tyre”, ka shtuar Shabani.

Gjendja e gazetarëve dhe medieve në Kosovë nuk është e mirë, kanë vlerësuar dhe gazetarët e pranishëm në protestë.

Muhamet Hajrullahu, redaktor në Rrjetin Ballkanik për Gazetari Hulumtuese në Kosovë ,tha se rasti i fundit tregon për kërcënimet e shumta që u bëhen gazetarëve.

"Vitin e kaluar kemi pas kërcënime përmes padive të ndryshme ndaj gazetarëve në Kosovë, fatkeqësisht në këtë vit ka kaluar në dhunë fizike në detyrën e gazetareve që e bënjë në Kosovë, jo vetëm në Prishtinë. Rasti i Milotit është rast fatkeqësisht i cili duhet të jetë një lloj ndërgjegjësimi për të gjitha institucionet që të sigurojnë punë sa më të mirë për gazetarët”, tha Hajrullahu për Radion Evropa e Lirë.

Gazetarët theksuan po ashtu se shumica e institucioneve të Kosovës, mediet i shohin si një pengesë në punën e tyre dhe jo si një faktor në zhvillimin e demokracisë.

Ndryshe në raportin e Progresit të Komisionit Evropian, i publikuar para pak javësh është thënë se në Kosovë nuk ka përmirësim të gjendjes së medieve dhe sigurisë së gazetarëve.

Sulmin ndaj gazetarit Milot Hasimja, e kanë dënuar presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, kryeministri në largim i Kosovës, Hashim Thaçi, partitë politike, gazetarë dhe organizata të ndryshme.

XS
SM
MD
LG