Ndërlidhjet

Policia në veri, në sprovën e besueshmërisë


Në veriun e Kosovës, që është i banuar me shumicë serbe, më shumë se 280 pjesëtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, janë integruar në Policinë e Kosovës.

Ish-pjesëtarët e policisë serbe, të cilët kanë pranuar të jenë pjesë e Policisë së Kosovës, kanë marrë grada dhe ngritje në poste në 4 stacione policore, thonë për Radion Evropa e Lirë, Zheljko Bojiq, shef i operativës në Policinë e Kosovës, për regjionin e Mitrovicës.

Sipas tij, deri më tash janë graduar 24 policë, prej të cilëve 18 me gradën “toger” dhe 6 me gradën “major”.

Bojiq thotë se gradimi është paraparë me marrëveshjen e Brukselit, e cila ishte arritur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Në drejtorinë rajonale të Mitrovicës së veriut janë të angazhuar 516 policë, prej të cilëve 42 janë me përkatësi etnike shqiptare.

Bojiq, thekson se që nga fillimi i vitit e deri më tash në regjionin verior të Mitrovicës janë regjistruar 92 raste të veprave të rënda penale.

“Të gjitha këto janë raste, me të cilat po merret njësiti hetues i Mitrovicës së veriut dhe me krenari mund të them se nga 92 raste të regjistruara, janë ndriçuar gjithsej 76 prej tyre. Do të thotë, kemi të bëjmë me vepra të rënda penale, si: vrasje të rënda, tentim vrasje, vjedhje dhe vepra penale të ngjashme”, theksoi Bojiq.

Me gjithë angazhimet e Policisë së Kosovës në rajonin e Mitrovicës së veriut, të cilat Bojiq i përmend, qytetarët serbë që jetojnë në këtë hapësirë, vlerësojnë se siguria aty është në nivel mjaft të ulët, edhe pas integrimit të ish-pjesëtarëve të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë në Policinë e Kosovës.

Kjo vlerësim, sipas tyre, vjen sidomos kur kihen parasysh një numër incidentesh të cilat kanë ndodhur ditëve, muajve dhe viteve të kaluara, ndërkohë që kryerësit e veprave ende nuk janë gjetur dhe proceduar.

Milan Bulatoviq, një qytetar i moshuar i Mitrovicës, thotë se nuk ka besim në Policinë e Kosovës.

“Mund të them se disponim i qytetarëve është i mirë, por situata e përgjithshme e sigurisë është e dobët. Policisë së Kosovës nuk i besojmë, sepse po të kishin qenë të vlefshëm, ata do të kishin mbetur në policinë serbe. Nuk ju besojmë absolutisht, sidomos pjesëtarëve serb të policisë, të cilët janë integruar në Policinë e Kosovës. madje, atyre ju besoj shumë më pak se sa pjesëtarëve shqiptarë të Policisë së Kosovës”, tha Bulatoviq.

Ngjashëm thotë edhe bashkëqytetari i tij, Goran Popoviq. Ai thekson se nuk ndjehet i sigurtë për shumë arsye.

“Po ndodhin incidente dhe eksese të ndryshme, kohë pas kohe. Pikërisht, ato mund të sjellin deri te përshkallëzimi i situatës së sigurisë, të cilën askush nga ne nuk e dëshiron. Dhe kur më pyesni se a i besoj Policisë së Kosovës, çfarë të them? Unë më nuk i besoj as vetvetes”, theksoi Popoviq.

Ndryshe, shefi i operativës në Policinë e Kosovës, për regjionin e Mitrovicës, Bojiq vlerëson se situate e sigurisë në Mitrovicën e veriut aktualisht është e qetë, por megjithatë, për shkak të situatës politike specifike, tensionet janë evidente.

“Ekzistojnë tensione në qytet, por ne e përcjellim situatën në terren për çdo ditë. Kjo do të thotë se i mbledhim informatat caktuara, të cilat më pas i analizojmë. Në përputhje me këtë, ne i zbatojmë aktivitetet tona, me qëllim të parandalimit. Më duhet të theksoj se kemi bashkëpunim të mirë me qytetarët në mjediset shumetnike”, theksoi Bojiq.

Në anën tjetër, Emir Azemi, zëvendës-kryesues i Kuvendit komunal të Mitrovicës veriore, thekson se ish-pjesëtarët e Ministrisë së Punëve të brendshme të Serbisë, të integruar në Policinë e Kosovës, ndonëse punojnë në përputhje me ligjet e Republikës së Kosovës, ata, siç thotë ai, ende nuk e kanë arritur besimin e plotë të bashkësive etnike jo serbe të cilat jetojnë në Mitrovicën veriore.

Sipas tij, këta polic nuk duhet paragjykuar, por shembulli i fundit që ngjall mosbesimin e plotë të qytetarëve jo serb ishte mos intervenimi i tyre gjatë brohoritjes të, siç i quajti ai, huliganëve, të cilët pas ndeshjes së futbollit Shqipëri –Serbi, janë tubuar në mes të qytetit dhe kanë bërë thirrje për linçimin dhe vrasjen e shqiptarëve,

“Në rast se në prezencën e tyre, thirret për dhunë etnike mu në mes të qytetit dhe nuk ka të arrestuar, inicim të procedurave hetimore apo ngritje të ndonjë procedurë penale, karshi këtij grupi të organizuar, i cili në mes të qytetit kanë thirrur për vrasjen ose linçimin e shqiptarëve... Me të vërtetë, fakti është shqetësues dhe kjo mund ta ulë besueshmërinë karshi këtyre policëve”, tha Azemi.

Ndryshe, gjatë fundjavës së kaluar në Mitrovicën e veriut janë shënuar një varg incidentesh.

Të shtunën, me 25 tetor, persona të paidentifikuar kanë shtënë me armë zjarri në rrugën Gjon Kenedi, mbi një veturë, pronar i së cilës është Sërgjan Joviq, prodekani i fakultetit të shkencave teknike në Universitetin paralel të Prishtinës, që ka selinë në Mitrovicën e veriut.

Gjatë incidentit nuk ka pasur viktima në njerëz , por janë shkaktuar dëme materiale në automjet. Policia e Kosovës po i vazhdon hetimet lidhur me këtë rast, por edhe për raste të tjera.

XS
SM
MD
LG