Ndërlidhjet

Rritje alarmante e ekzekutimeve në Iran


Flamuri i Iranit
Flamuri i Iranit

Raportuesi special i Kombeve të Bashkuara për situatën e të drejtave të njeriut në Iran paralajmëron për valë të madhe të ekzekutimeve në Republikën Islamike.

Në raportin e tij të fundit para Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, Ahmed Shaheed ka thënë se së paku 852 njerëz, përfshirë edhe tetë të mitur, janë ekzektuar në Iran qysh në qershor të vitit 2013.

Ai ka thënë se shifrat paraqesin “rritje alarmante”.

“Shumica e ekzekutimeve vazhdojnë të jenë për krime që nuk i plotësojnë standardet ndërkombëtare të krimeve më serioze, përfshirë krime politike, posedim të drogës dhe korrupsion”, ka thënë Shaheed.

Sipas tij, Irani duhet të shqyrtojë një moratorium për të miturit dhe ekzekutimet publike.

Ai ka theksuar se përkundër disa hapave avancues që ka ndërmarrë qeveria dhe parlamenti i Iranit, situata e të drejtave të njeriut në këtë vend mbetet shqetësim serioz.

“Elemente të qeverisë iraniane kanë bërë përpjekje të adresojnë shqetësimet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut në Republikën Islamike. Ato përfshijnë ndryshime në kodin penal islamik , propozimin e një Karte të Qytetarëve shtatorin e kaluar… Pavarësisht këtyre përpjekjeve, situata mbetet thellësisht shqetësuese”, ka thënë Shaheed.

Raportuesi i Kombeve të Bashkuara po ashtu ka paralajmëruar për censurën dhe presionin ndaj mediave iraniane.

Sot, së paku 35 gazetarë janë të burgosur në Iran. Tridhjetegjashtë gazetarë të tjerë, blogerë dhe autorë janë arrestuar, janë thirrur në bisedë informative ose janë dënuar në lidhje me aktivitetet e tyre gazetareske ose, thjesht, për shprehjen e opinionit të tyre nëpër media socialie, qysh në maj të këtij viti”, ka thënë Shaheed.

Shaheed, i cili është kritikuar nga autoritetet iraniane për raportet e tij, ka vënë në dukje edhe presionin ndaj pakicave fetare në Republikën Islamike.

Ai ka thënë se aktualisht janë rreth 300 individë në burgjet e Iranit për shkak të besimeve dhe praktikave të tyre fetare. Ata përfshijnë 126 pjesëtarë të komunitetit Baha, 49 të krishterë dhe nëntë dervishë.

Raportuesi i OKB-së është ndalur edhe te presioni i vazhdueshëm i shtetit te mbrojtësit e të drejtave të njeriut, të cilët, sipas tij, shpesh përballen me fushata për shpifje, që i barazojnë me terroristë dhe agjentë të huaj.

Shaheed gjithashtu ka thënë se ligjet diskriminuese kundër vajzave dhe grave iraniane vazhdojnë të institucionalizojnë statusin e tyre të klasës së dytë.

“Ligjet, politikat dhe praktikat që diskriminojnë gratë dhe vajzat në Iran vazhdojnë të institucionalizojnë statusin e tyre të klasës së dytë. Ligjet nuk janë në pajtim me fuqizimin e grave”, ka thënë Shaheed.

Ai ka bërë të ditur se pas përfshirjes së politikave të racionimit gjinor më 2012, numri i grave në universitete ka rënë nga 62 për qind në vitin 2008 në 48 për qind vitin e kaluar.

Një përfaqësuese e Iranit, duke folur në Kombet e Bashkuara, ka thënë se mandati i Shaheedit është i motivuar politikisht dhe se raporti i tij ofron një imazh me “të meta” të situatës në Iran.

Megjithatë, ajo është zotuar se Republika Islamike e Iranit do të vazhdojë “përpjekjet” për promovimin e të drejtave të njeriut.(v.tela)

XS
SM
MD
LG