Ndërlidhjet

Patologët, rol kyç në trajtimet shëndetësore


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese

Kosova ka rreth 30 patologë dhe roli i tyre është i rëndësishëm në diagnostifikimin e sëmundjes përfundimtare.

Kështu ka thënë Suzana Manxhuka Kërliu, patologe, për Radion Evropa e Lirë, duke shtuar se opinioni publik është shumë pak i njoftuar me këtë profesion.

"Shumë pak dihet për rolin e patologut edhe pse ka rol kyç në diagnostikim, patologu bën diagnostikimin më të saktë të të gjitha sëmundjeve . Pa diagnozën e patologut nuk mund të bëhet intervenimi kirurgjikal, nuk mund të fillohet me terapi , pra asnjë lloj trajtimi i mëtutjeshëm".

"Por tash roli i patologut ka ndryshuar. Po flas sipas tendencave botërore , roli i patologut ka qenë më i limituar, kurse tani ka ndryshuar pasi që është më afër klinikës dhe më afër pacientit. Pritet që në të ardhmen të jetë pjesë e caktimit të terapisë me kancer dhe sëmundjeve tjera", ka shtuar Manxhuka-Kërliu.

Ajo gjithashtu ka theksuar se kushtet për zhvillimin e kësaj pune nuk janë edhe aq të kënaqshme.

"Aspekti i investimeve infrastrukturore është shumë më i mirë se në të kaluarën, por ende nuk është ashtu siç do të donim, sipas tendencave të kohës".

Ndërkaq Faruk Gashi patolog, ka bërë të ditur se patologjia është avancuar viteve të fundit, duke përmendur edhe imuno-histo-kiminë, analizë kjo që nuk është bërë në Kosovë, e ka filluar të kryhet pikërisht në institutin patologjik.

"Numri i rasteve me karcinoma është në rritje, sidomos ajo e gjirit që prinë për nga numri i rasteve, pastaj e qafës së mitrës dhe e lëkurës. Instituti i patologjisë ka filluar të bëj edhe analizën e imuno- histo -kimisë, e që më herët nuk është bërë, dhe pacientët tash rezultatet i marrin këtu , e jo në vendet e rajonit e më gjerë siç ka qenë më herët".

"Si patolog mund të them se ka fluks të pacientëve, mirëpo pacientët shumë pak dinë për patologjinë , apo diagnostikimin përfundimtar të sëmundjes".

"Bashkëpunimi mes mjekëve dhe patologëve është i mirë, kryesisht me kirurg bashkëpunojmë më shumë. Vijnë biopsi nga klinikat kirurgjike, neurokirurgjike por jo edhe pacientët kanë shumë njohuri për patologjinë. Puna më e madhe mendoj se është te patologët për sëmundjen", ka shtuar Gashi.

Suzana Manxhuka Kërkliu poashtu ka theksuar se në mbarë botën këtë vit, me datën 5 nëntor, është shënuar dita botërore e patologjisë, ku edhe Kosova i është bashkuar kësaj nisme, me moton sensibilizimi i opinionit publik për rolin e patologëve, në kujdesin shëndetësor.

XS
SM
MD
LG