Ndërlidhjet

OKB paralajmëron “luftë në shkallë të plotë” në Ukrainë


Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara ka mbajtur një seancë urgjente për krizën në Ukrainë, për të 26-tën herë. Anëtarët nuk janë pajtuar për ndonjë veprim, ndërsa kanë paralajmëruar për “luftime në shkallë të plotë”.

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në OKB, Samantha Power, i ka thënë Këshillit se Rusia flet për paqe, por vazhdon të ndezë luftën në lindje të Ukrainës.

“Ju nuk mund të arrini zgjidhje politike, nëse vetëm njëra anë është e angazhauar për të. Ju nuk mund të zbatoni në mënyrë efektive një plan, me dy palë si rusët dhe separatistët që mbështesin, të cilët vazhdimisht dështojnë të mbajnë fjalën. Ne e kemi parë këtë lojë të Rusisë në Transdniester, Oseti të Jugut, Abkhazi dhe Krime. Andaj, pyetja nuk është: çfarë do të bëjë Rusia në lindje të Ukrainës. Pyetja është: çfarë do të bëjmë ne, komuniteti ndërkombëtar, për të parandaluar një tjetër konflikt të ngrirë në Evropë, të prodhuar nga Rusia”, ka thënë Power.

Takimi i Këshillit të Sigurimit është zhvilluar disa orë pasi komandanti i lartë i NATO-s në Evropë ka thënë se aleanca ka konfirmuar kolona të mëdha të tankeve ruse, artilerive dhe njësiteve antiajrore, të kenë hyrë nga Rusia në lindje të Ukrainës qysh më 10 nëntor.

Këto raporte janë konfirmuar edhe nga Kievi, ditë më parë. Ambasadori i Ukrainës në OKB, Yuriy Sergeyev, ka kërkuar shpjegime nga Rusia.

“Ne i kemi të gjitha provat për të konstatuar se Ukraina është e rrethuar nga një sasi e madhe e armatimit dhe trupave. Ne kërkojmë nga Rusia që të shpjegojë se përse i duhet të mbajë në kufijtë tanë 200 tanke, 1,600 automjete, 640 njësite artilerie, 191 avionë sulmues dhe 121 helikopterë”, ka thënë Sergeyev.

Zëvendësambasadori i Rusisë në OKB, Alexander Pankin, i ka hedhur poshtë akuzat, duke thënë se bëhet fjalë për propagandë. Sipas tij, pretendimet e NATO-s nuk reflektojnë situatën në terren.

“Pajisjet dhe trupat në dispozicion të Forcave të Armatosura të Rusisë janë të vendosura të territorin e vendit tim dhe ato nuk kërcënojnë vendin tuaj (Ukrainën). Ato lëvizin në territorin e vendit tim. Andaj, nxitja e emocioneve të larta në Këshill të Sigurimit, se pushtimi i shpejtë në Ukrainë është i pashmangshëm, nuk u ndihmon bisedimeve tona konstruktive”, ka thënë Pankin.

Mbi 4,000 njerëz kanë vdekur në konfliktin midis ushtrisë së Ukrainës dhe rebelëve pro-rusë në lindje.

Gati një milion njerëz kanë ikur nga shtëpitë e tyre prejse kanë nisur luftimet në muajin prill.

Dhuna ka vazhduar pavarësisht marrëveshjes për armëpushim, të arritur në muajin shtator në Minsk. Të dyja palët kanë akuzuar njëra-tjetrën për shkelje.

Marrëdhëniet midis Rusisë dhe Perëndimit janë më të këqijat që prej Luftës së Ftohtë, për shkak të këtij konflikti.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG