Ndërlidhjet

Qytetarët të pa kënaqur me situatën politike


Qytetarë të Kosovës
Qytetarë të Kosovës

Shumica e qytetarëve të Kosovës kanë refuzuar të përgjigjen ose janë deklaruar se nuk dinë nëse institucionet e reja të Kosovës do të mund të ishin të mira apo të këqija nëse do të formoheshin nga blloku i përbërë nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Nisma dhe Vetëvendosje.

Këto të dhëna i vë në pah anketa e tetë e Pulsit Publik e publikuar të premten nga Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara në Kosovë.

Rezultatet e Pulsit Publik janë bazuar në mostër të anketës me 1,306 qytetarë të Kosovës, mbi moshën 18 vjeçare dhe ka përfshirë të gjitha komunat dhe rajonet e Kosovës duke mbuluar zonat rurale dhe urbane.

Sipas qytetarëve të anketuar, 25 për qind besojnë se nëse blloku i partive të koalicionit pas zgjedhor në Kosovë arrin në pushtet do të ishte e dobishme për Kosovën, ndërsa 23 për qind thonë të kundërtën.

Mungesa e një qëndrimi të qartë të qytetarëve sipas menaxherit të projektit të Pulsit Publik, Atdhe Hetemi, vërehet në pyetjen që ka të bëjë mbi mandatin e plotë në rast se institucionet e reja do të formoheshin nga blloku i partive të koalicionit.

“Më shumë se gjysma e respodentëve, diku rreth 53 për qind prej tyre kanë refuzuar t’i përgjigjen kësaj pyetje derisa kemi 25 për qind të tyre që kanë thënë se me gjasë do të mund ta mbaninqeverinë në katër vitet e ardhshme dhe 21 për qind të tyre kanë deklaruar se ka pak gjasa që të përfundojnë mandatin e plotë katër vjeçar”, tregon Hetemi.

Mungesa e një zgjidhjeje për dalje nga kriza e formimit të institucioneve, ishte vlerësuar se mund ta drejtoj Kosovën kah alternativa e fundit, që nënkupton thirrjen e zgjedhjeve të reja të parakohshme.

Atdhe Hetemi nga UNDP, ka theksuar se duke parë që zgjedhjet janë konsideruar si opsion për zgjidhjen e ngërçit, qytetarët ishin pyetur edhe për qëndrimet kundrejt votimit.

Anketa e fundit sipas Hetemit, rezulton se qëndrimet e kosovareve ndaj votimit janë mjaft pesimiste.

“Një numër mjaft i lartë i respodentëve beson se vota e tyre nuk do të mund të ndryshojë gjendjen në Kosovë, apo nuk e dinë nëse vota e tyre do të mund të ndryshojë atë. Fatkeqësisht vetëm 31 për qind e votuese potencial besojnë se vota e tyre do të mund të ndryshojë gjendjen në Kosovë”, ka shtuar Hetemi.

Vetëm 5 për qind e qytetarëve të Kosovës thuhet në këtë raport janë të kënaqur me drejtimin e tanishëm politik të Kosovës, në krahasim më 21 për qind sa ishte në prill të këtij viti.

Rezultatet e Anketës së Pulsit Publik tregojnë rënie të konsiderueshme të kënaqshmërisë së njerëzve, ku vetëm 25 për qind e qytetarëve shprehen të kënaqur me punën e institucioneve ekzekutive, legjislative dhe gjyqësore të Kosovës.

XS
SM
MD
LG