Ndërlidhjet

Obama: Kombet e vogla të mos frikësohen nga të mëdhatë


Barack Obama
Barack Obama

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, ka thënë se siguria në Azi nuk duhet të bazohet në frikësimin e shteteve të vogla nga ato të mëdhatë.

Obama u ka thënë studentëve në Brizbën të Australisë, ku po merr pjesë në samitin e vendeve më të industrializuara G20, se siguria në rajon duhet të varet nga aleancat reciproke.

Ai po ashtu ka thënë se “nuk ka asnjë dyshim” në përkushtimin e tij ndaj aleatëve të Azi-Paqësorit, duke iu refereuar përpjekjeve amerikane për të forcuar lidhjet strategjike me këtë rajon.

Obama i ka kushtuar një pjesë të fjalimit krizës në Ukrainë. Ai ka thënë se Shtetet e Bashkuara kundërshtojnë agresionin e Rusisë kundër Ukrainës, i cili është kërcënim edhe për botën.

Ai ka thënë se kërcënimi rus është dëshmuar me hedhjen poshtë të një aeroplani malajzian të pasagjerëve, më 17 korrik. Aeroplani është goditur me raketa nga një territor në pjesën lindore të Ukrainës, i cili kontrollohet nga separatistët pro-rusë.

Të 298 njerëzit në bord, në mesin e tyre 38 shtetas të Australisë, kanë humbur jetën.

“Si aleate dhe mike e juaja, Amerika ndan pikëllimin e këtyre familjeve australiane. Ne ndajmë edhe vendosmërinë e vendit tuaj për drejtësi dhe llogaridhënie”, ka thënë Obama.

Presidenti amerikan është zotuar para studentëve se vendi i tij do të ndihmojë në adresimin e të gjitha sfidave që kërcënojnë botën.

“Si super-fuqia e vetme në botë, Shtetet e Bashkuara kanë përgjegjësi të veçanta. Ne jemi duke udhëhequr komunitetin ndërkombëtar në luftë kundër grupit terrorist të Shtetit Islamik. Ne jemi duke udhëhequr trajtimin e Ebolës në Afrikën perëndimore dhe jemi duke kundërshtuar agresionin rus në Ukrainë”, është shprehur Obama.

Roli i Rusisë në konfliktin në Ukrainë është duke zënë vend të rëndësishëm edhe në samitin dy ditor të G20-ës - që ka nisur sot - edhe pse nuk ka qenë në agjendën formale të tij.

Ka qenë e paraparë që liderët e G20-ës të përqendrohen më shumë në nxitjen e rritjes ekonomike. Por, presidenti i Këshillit Evropian, Herman Van Rompuy, ka thënë se Moska ka dërguar trupa dhe armatim të rëndë në lindje të Ukrainës. Ai ka kërcënuar me aksione të mëtejshme ndëshkuese, nëse Rusia nuk ndalon këtë praktikë dhe nuk i tërheq të gjitha asetet ushtarake nga Ukraina.

Duke folur në Brizbën, Rompuy ka thënë se ministrat e jashtëm të Bashkimit Evropian do të mblidhen më 17 nëntor për të shqyrtuar hapat e mëtejshëm kundër Rusisë. Moska tashmë po përballet me sanksione nga BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara për shkak të aneksimit të Krimesë dhe ndihmës që u jep separatistëve pro-rusë në lindje.

Samiti i G20-ës është duke u zhvilluar nën masa të rrepta të sigurisë, me rreth 6,000 policë të vendosur në rrugë. Njëzeteshtatë grupeve të ndryshme u është dhënë leja për të protestuar në zona të caktuara.

Qeveria e Australisë është duke u përballur me kritika për shkak të poltikave të saj për klimën.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG